A ke gjetur dikë që mund të jetë bashkëshort i përshtatshëm? Nëse po, nga e kupton se është i duhuri?

Është e rëndësishme të mos shikosh vetëm pamjen. Në fund të fundit, vajza më simpatike që njeh, mbase s’është e besueshme ose djali më i pëlqyer në shoqëri, mbase s’është i moralshëm. Mos harro se je në kërkim të një njeriu me të cilin të ndihesh rehat e me të cilin të të përputhen karakteri dhe synimet.​—Zanafilla 2:18; Mateu 19:4-6.

Mos shih vetëm pamjen

Shihe njeriun me të cilin je lidhur me sy objektiv. Megjithatë, kujdes! Mund të priresh të shohësh vetëm atë që dëshiron të shohësh. Ndaj mos u nxito. Përpiqu të kuptosh karakterin e vërtetë.

Shumë nga ata që kanë nisur një lidhje, shohin te tjetri vetëm pamjen. Madje përqendrohen te gjërat e përbashkëta. «Kemi të njëjtat shije për muzikën.» «Na pëlqejnë të njëjtat aktivitete.» «Jemi dakord për çdo gjë!» Megjithatë mos shih vetëm pamjen. Duhet të dallosh ‘njeriun e fshehtë të zemrës’. (1 Pjetrit 3:4; Efesianëve 3:16) Në vend që të përqendrohesh se sa shumë ju përputhen mendimet kur jeni dakord, mund ta njohësh më mirë personin po të vëresh çfarë ndodh kur nuk jeni dakord.

Për shembull, shqyrto sa vijon:

  • Si reagon kur keni mosmarrëveshje? Ngul këmbë që t’i dalë e vetja me ‘shpërthime zemërimi’ ose me ‘sharje’? (Galatasve 5:19, 20; Kolosianëve 3:8) Apo tregohet i arsyeshëm, domethënë, kur bëhet fjalë thjesht për preferenca, është gati të hapë rrugë që të mos prishë paqen?​—Jakovi 3:17.

  • A është xheloz? A bën gjithçka që t’i dalë e vetja? A të kontrollon orë e çast që të dijë çdo gjë që bën? «Kam dëgjuar për çifte të dashuruarish që grinden, sepse njëri nuk duron dot që tjetri ‘nuk raporton’ për çdo gjë që bën,—thotë Nikola.—Sipas meje kjo është shenjë e keqe.»​—1 Korintasve 13:4.

  • Ç’mendim kanë të tjerët për të? Do të ishte mirë të flisje me ata që e njohin prej kohësh, si për shembull me njerëz të pjekur në kongregacionin e tij ose të saj. Kështu do të mësosh nëse për të ‘flitet mirë’.​—Veprat 16:1, 2.