Burgosen për shkak të besimit—Rusi
Historia e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusinë e kohëve moderne është një histori shtypjeje dhe përndjekjeje. Në pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, autoritetet ruse i kanë sulmuar dhe keqtrajtuar Dëshmitarët, edhe pse ata njihen si nënshtetas paqësorë që i binden ligjit. Qëllimi i qeverisë së Bashkimit Sovjetik ishte t’i detyronte të pranonin ideologjinë sovjetike. Nuk i lejonin të kishin Bibël ose literaturë fetare. Dëshmitarët ishin gjithë kohës nën vëzhgim dhe u duhej t’i mbanin fshehurazi mbledhjet fetare. Nëse i zbulonin, i rrihnin dhe i dënonin me burg për një kohë të gjatë. Qeveria internoi mijëra Dëshmitarë në Siberi.
Kjo situatë nisi të ndryshonte më 1991 kur qeveria ruse i njohu ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait dhe njohu të drejtën për të adhuruar lirisht Perëndinë pa ndërhyrjen e autoriteteve. Mirëpo, ajo periudhë paqeje nuk zgjati shumë.
Në vitin 2009, kundërshtimet dhe kufizimet nisën të përshkallëzoheshin kur Gjykata e Lartë Ruse përkrahu vendimin e një gjykate të një shkalle më të ulët, e cila e kishte shpallur «ekstremist» një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Pas shumë betejash ligjore që zgjatën për vite me radhë, në prill 2017 Gjykata e Lartë Ruse vendosi të mbyllte entet ligjore të Dëshmitarëve, me pretendimin se kryenin aktivitete ekstremiste. Menjëherë autoritetet ruse ndërmorën hapa për t’u konfiskuar pronat, për të mbyllur vendet e tyre të adhurimit dhe për t’i shpallur «materiale ekstremiste» botimet e tyre fetare.
Duke mos u mjaftuar me sulmin kundër enteve ligjore të Dëshmitarëve, autoritetet ruse vendosën të vinin në shënjestër edhe individët Dëshmitarë të Jehovait. Duke shkuar përtej vendimit, ata e lidhin adhurimin në mënyrë private të individëve Dëshmitarë me organizatën e ndaluar. Bastisjet e policisë nëpër shtëpitë e Dëshmitarëve, shoqërohen me keqtrajtime fizike dhe marrje në pyetje në mënyrë të ashpër. Autoritetet kanë arrestuar, kanë shpallur fajtorë e kanë dënuar me burg ose arrest shtëpie shumë Dëshmitarë e Dëshmitare.
Që nga ndalimi në prill të 2017-s, qindra Dëshmitarë janë dënuar nëpër qendra paraburgimi e burgje me akuzën për ekstremizëm. Deri më 21 mars 2025, gjithsej 149 Dëshmitarë po vuajnë dënimin me burg.
Thirrje kundër keqtrajtimeve që u bëjnë autoritetet ruse Dëshmitarëve të Jehovait
Autoritetet ruse vazhdojnë të shpallin fajtorë Dëshmitarë të Jehovait për veprimtari ekstremiste, pavarësisht nga thirrjet e ndërkombëtarëve që Rusia t’i japë fund përndjekjes mizore. Vëzhgues të mirinformuar dhe gjykata jashtë Rusisë e kanë dënuar qeverinë ruse për përndjekjen e vazhdueshme kundër Dëshmitarëve të Jehovait.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut: Më 7 qershor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mori një vendim historik kundër Rusisë, duke e dënuar përndjekjen e saj ndaj Dëshmitarëve të Jehovait (OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët kundër Rusisë. nr. 32401/10 dhe 19 të tjera). Gjykata e shpalli të paligjshëm vendimin e Rusisë në vitin 2017 për të ndaluar Dëshmitarët e Jehovait. Ajo e urdhëroi Rusinë «të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të ndalojë të gjitha ndjekjet penale kundër Dëshmitarëve të Jehovait . . . dhe të lirojë . . . Dëshmitarët e Jehovait [që janë në burg]». Për më tepër Rusia duhet të kthejë të gjitha pronat e konfiskuara ose të paguajë një dëmshpërblim prej më tepër se 60 milionë dollarësh, si edhe t’u paguajë aplikantëve një dëmshpërblim mbi 3 milionë dollarë.
Letër nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës: Në letrën e 9 dhjetorit 2022, drejtuar ministres së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Pejçinoviç-Buriçi, thuhej: «Në çështjet Dëshmitarët e Jehovait në Moskë dhe të tjerë dhe Krupko dhe të tjerë, kur foli për shpërbërjen e komunitetit fetar të aplikuesve, që solli ndalimin e aktiviteteve të tij, shpërndarjen e një mbledhjeje fetare paqësore dhe më pas mohimin e lirisë së disa pjesëmarrësve, Komiteti i nxiti fuqimisht autoritetet të anulonin ndalimin e vendosur për aktivitetet e të gjitha organizatave të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të mos i ndjekin më penalisht.»
Vendimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës: Në mbledhjen e zhvilluar në shtator të vitit 2023, Komiteti i Ministrave [CoM] vërejti me «keqardhjen më të madhe se sugjerimet e qarta të [Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut] në përputhje me nenin 46 të Konventës dhe me vendimin në fuqi për çështjen OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët, janë shpërfillur plotësisht dhe me qëllim nga autoritetet ruse, sidomos për sa i përket . . . lirimit të Dëshmitarëve të Jehovait të burgosur». Duke marrë parasysh mosbashkëpunimin e Rusisë, Komiteti i Ministrave «vendosi t’i sillte këto çështje në vëmendje të Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Grupit të Punës për Burgosjen Arbitrare në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe organeve të tjera përkatëse ndërkombëtare që merren me problemin e përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait në Federatën Ruse, me synimin për të siguruar bashkëpunimin me kërkesat e vendimeve të marra».
Raste të vendimeve të ashpra të marra kohët e fundit
Më 6 shkurt 2024, një gjykatë apeli la në fuqi vendimin që e shpallte fajtor Dimitri Barmakinin. Atë e arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit dhe e futën në burg, ku do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit me 8 vjet. Në korrik të vitit 2018, policë të armatosur hynë me forcë në apartamentin ku ndodheshin Dimitri dhe gruaja e tij, Jelena. Ata ishin atje që të kujdeseshin për gjyshen 90-vjeçare të Jelenës. Dimitrin dhe Jelenën i kthyen në qytetin e tyre, Vladivostok, ku Dimitrin e arrestuan. Pas kësaj, kundër tij ngritën një çështje penale me akuzën e «organizimit të aktiviteteve të një organizate ekstremiste». Aktualisht po kryen dënimin në një burg në Territorin e Habarovskut dhe do të lirohet në nëntor të vitit 2029. Edhe Jelena po përndiqet penalisht për shkak të besimit.
Më 29 shkurt 2024, Aleksandër Çagani, një burrë i martuar 53-vjeçar, u shpall fajtor nga Gjykata Krahinore e Centralnëjit në Toliat, në Rajonin e Samarës. Atë e dënuan me 8 vjet burg, një nga dënimet më afatgjata që u është dhënë burrave Dëshmitarë në Rusi. Në përfundim të gjyqit, atë e arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit. Aktualisht ai po kryen dënimin në Burgun nr. 4, në Rajonin e Samarës, dhe do të lirohet në janar të vitit 2032.
Më 5 mars 2024, një gjykatë në Rajonin e Irkutskut në lindje të Siberisë shpalli fajtorë për ekstremizëm 9 Dëshmitarë. Nëntë burrat, ku më i vjetri është 72 vjeç, u dënuan me afate të ndryshme burgosjeje me deri 7 vjet. Ky ishte përfundimi i çështjeve penale të ngritura në tetor të vitit 2021 pasi autoritetet u kontrolluan shtëpitë. Në kohën kur u shpall vendimi, një nga burrat, Jaroslav Kalini, kishte kaluar tashmë 2 vjet në paraburgim. Ai e përshkroi burgosjen si një eksperiencë të hidhur ku ka vuajtur në «qelitë dhe në kushtet më të këqija të mundshme».
Në prill të vitit 2024, autoritetet e burgut transferuan Rinat Kiramovin, i cili po kryen dënimin me 7 vjet, në një burg tjetër aty afër që ofron kujdes mjekësor, me pretekstin se kishte tuberkuloz. Në nëntor të 2021-shit, kishin ngritur një çështje penale kundër Rinatit 36-vjeçar, nën akuzën për aktivitet ekstremist. Pasi kaloi 1 vit e gjysmë pas hekurave, atë e dënuan me 7 vjet burg. Kur Rinatin e transferuan në burgun me kujdes mjekësor, një grup të burgosurish abuzuan fizikisht me të, madje e torturuan duke përdorur një armë me elektroshok. Përveç kësaj, për 4 ditë ata nuk e lanë të flinte dhe e lejuan të hante vetëm një vakt në ditë. Pas një kontrolli mjekësor që zbuloi se Rinati nuk kishte tuberkuloz, atë e transferuan në burgun e mëparshëm, më 17 maj 2024. Ai e përfundon dënimin në dhjetor të vitit 2027.
Më 2 dhjetor 2024, Gjykata Krahinore e Leninskit në Kursk shpalli fajtorë tre Dëshmitarë—Dmitri Kausovin; gruan e tij, Oksana Kausovin dhe vëlla Nikolai Kuprijaniskin. Ata u akuzuan për organizim dhe pjesëmarrje në aktivitetet e një organizate ekstremiste. Çiftin Kausov e dënuan secilin me 2 vjet e gjysmë burg, kurse Nikolain e dënuan me 6 vjet burg. Ata i arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit.
Më 6 dhjetor 2024, Gjykata e Qytetit të Blagoveshenskut shpalli fajtore 4 gra për pjesëmarrje në aktivitetet e një organizate ekstremiste. Kristina Golikun dhe Valentina Jermilovin e dënoi secilën me 2 vjet e gjysmë punë të detyruar, kurse Maria Misnikovin dhe Jekaterina Olshjevskin me 2 vjet e 2 muaj punë të detyruar, ku 10 për qind të pagës ua mban Shteti. Meqë Jekaterina ka një djalë të vogël në shtëpi, autoritetet vendosën që ajo ta kryejë dënimin rreth 10 vjet më vonë. Bashkëshortët e Kristinës, Valentinës dhe Jekaterinës ndodhen tashmë në burg për të kryer dënimet e tyre afatgjata. Duke hedhur poshtë akuzat për ekstremizëm, Maria tha: «Besimi im shkon plotësisht kundër ekstremizmit. Ai na mëson të duam njerëzit, të respektojmë autoritetet dhe të jemi paqebërës.»
Vazhdojnë përpjekjet për t’u dhënë fund burgosjeve të padrejta
Dëshmitarët e Jehovait anekënd botës janë thellësisht të shqetësuar që Rusia po keqtrajton ashpër bashkëbesimtarët e tyre. Miliona Dëshmitarë nga e gjithë bota u kanë dërguar letra zyrtarëve të qeverisë ruse për Dëshmitarët e burgosur. Avokatët e Dëshmitarëve të burgosur kanë apeluar në çdo shkallë të gjykatave ruse dhe kanë paraqitur sa e sa kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, Dëshmitarët e Jehovait kanë paraqitur ankesa edhe pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pranë Grupit të Punës të OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare dhe kanë dorëzuar raporte pranë organizatave ndërkombëtare që monitorojnë rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Dëshmitarët e Jehovait do të përdorin çdo mënyrë për të informuar vazhdimisht opinionin publik për vuajtjet që po heqin bashkëbesimtarët e tyre në Rusi, që t’i japin fund kësaj përndjekjeje të rëndë fetare.
Tabelë kronologjike
21 mars 2025
Janë të burgosur gjithsej 149 Dëshmitarë.
24 tetor 2023
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (CCPR) publikoi 2 Raporte për Organizatat Fetare Lokale në Elistë dhe Abinsk. Në të dyja rastet, CCPR-ja arriti në përfundimin se Rusia ka shkelur të drejtat e Dëshmitarëve sipas neneve 18.1 («e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë») dhe 22.1 («e drejta e lirisë së shoqërimit») të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Këto vendime konfirmojnë se në botimet e tyre fetare nuk kanë asnjë përmbajtje që nxit urrejtje dhe dhunë.
7 qershor 2022
GJEDNJ-ja merr një vendim historik, OFL-ja e Taganrogut dhe të tjerët kundër Rusisë, dhe dënon Rusinë për keqtrajtimin e Dëshmitarëve të Jehovait.
12 janar 2022
Ministria e Drejtësisë e Federatës Ruse e futi aplikacionin JW Library në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Ky është aplikacioni i parë dhe i vetëm i ndaluar si ekstremist në Rusi.
27 shtator 2021
Gjykata e Qytetit të Shën-Pjetërburgut hodhi poshtë apelimin për vendimin e 31 marsit 2021, që e deklaroi ekstremist aplikacionin JW Library dhe ndaloi përdorimin e tij në të gjithë Federatën Ruse dhe në Krime. Vendimi fillestar i gjykatës hyri menjëherë në fuqi.
26 prill 2019
Grupi i Punës për Burgosjen Arbitrare të OKB-s deklaron se të drejtat e Dimtri Mihajlovit janë shkelur dhe se Rusia po përndjek padrejtësisht Dëshmitarët e Jehovait.
20 prill 2017
Gjykata e lartë e Federatës Ruse vendosi të mbyllte zyrën kombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait dhe 395 organizatat fetare të saj në vend.