18 TETOR 2019
RUSI
Një ekspert i mirënjohur i feve në Rusi dëshmon në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Saratov
Më 4 shtator 2019, gjatë gjyqit për gjashtë Dëshmitarë të Jehovait në Saratov, ftuan të dëshmonte nën betim Sergej Igoreviç Ivanenkon, një studiues të mirënjohur të feve dhe këshilltar në Federatën Ruse. Dr. Ivanenko është autori i dy veprave akademike për Dëshmitarët e Jehovait në Rusi. Fragmentet e mëposhtme janë shkëputur nga dëshmia e tij.
Jetesa dhe adhurimi i Dëshmitarëve të Jehovait. «Dëshmitarët e Jehovait janë unikë se nuk ndjekin rregulla strikte ose një udhëheqës në veçanti. Ata përpiqen t’i ndihmojnë besimtarët të zhvillojnë një ndërgjegje të bazuar në Bibël, që secili të marrë vendime me vullnet të lirë duke ndjekur parimet e saj.
Dëshmitarët e Jehovait bëjnë çmos të zbatojnë atë që shkruhet në Bibël, në harmoni me parimet që dha Jezu Krishti dhe dishepujt e tij që në shekullin e parë të erës sonë.
Ata e adhurojnë Perëndinë së bashku duke studiuar Biblën, duke iu përgjigjur pyetjeve nga Bibla e duke kënduar këngë që po ashtu bazohen në të. Pra, është e qartë se Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort të ndjekin parimet e Biblës në gjithçka.
Gjithashtu besojnë se një i krishterë duhet të jetë pjesë e një kongregacioni. Edhe për këtë Dëshmitarët e Jehovait shqyrtojnë Dhiatën e Re, atë që thotë për Jezu Krishtin e dishepujt e tij dhe për hapat e parë të kishës së krishterë. . . . Dëshmitarët e Jehovait besojnë se duhet ta adhurojnë Perëndinë së bashku si kongregacion.
Ata theksojnë se dishepujt e Jezu Krishtit do të dallohen për dashurinë mes tyre.»
Vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait. «Dëshmitarët e Jehovait shquhen për veprën e tyre të predikimit. Për mua meritojnë vendin e parë për sa i përket përkushtimit dhe zellit në predikim. Çdo besimtar duhet të dalë në predikim.
Zakonisht shprehen: ‘Shiko çfarë thotë Bibla.’ Pra, kushdo mund ta hapë Biblën e të shohë çfarë thotë. Nëse bie dakord me ta, mund të bëhet Dëshmitar. Nëse jo, nuk bëhet. Ata nuk detyrojnë askënd.»
Akuza se Dëshmitarët e Jehovait janë ekstremistë. «Disa nga botimet e tyre u shpallën ekstremiste ngaqë ekspertët pohuan që në to thuhej se vetëm feja e Dëshmitarëve të Jehovait është e vërtetë dhe gjithë të tjerat janë të rreme. Këto pohime i bëjnë edhe fe të tjera, por vetëm Dëshmitarët e Jehovait u akuzuan si ekstremistë. Deklaratat se vetëm feja e tyre është e vërtetë u interpretuan si propagandë se është fe superiore.
Nga pikëpamja ime si studiues i feve, një aspekt ku çalon [vendimi i gjykatës] është se, po t’i hetosh fetë, do të konstatosh se të tëra kanë thënë se vetëm feja e tyre është e vërtetë dhe gjithë të tjerat janë të rreme.
Patjetër që çdo besimtar mendon se feja e vet është absolutisht e vërtetë, kurse të tjerat janë plotësisht ose kryesisht të rreme. Dhe kështu duhet të jetë, përndryshe do të ishte hipokrit.
Megjithatë, për sa kohë që ligjet e Perëndisë nuk bien ndesh me ligjet e shtetit, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen seriozisht dhe vazhdimisht t’u binden ligjeve të shtetit. Jo më kot dëgjojmë kaq shpesh për raste kur Dëshmitarët e Jehovait kthejnë portofolat që gjejnë, paguajnë gjoba a taksa edhe pse mund t’u bëjnë bisht. Veprojnë kështu se e ndiejnë vërtet, ndaj nuk do t’i akuzoja kurrë për ekstremizëm.»
Dëshmitarët e Jehovait dhe Bibla. «Ndryshe nga të tjerët, Dëshmitarët e Jehovait përdorin disa përkthime të Biblës në studim dhe predikim. Për ta është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kenë Biblën në gjuhën e tyre dhe përpiqen fort për këtë. Janë të vetmit që i japin goxha rëndësi Biblës. Në fakt, përkthimi i tyre u shpall ekstremist këtu . . . Ndoshta ata që morën vendimin, mendonin se Dëshmitarët ishin të fiksuar pas atij përkthimi dhe se do të dorëzoheshin po të nxirrej jashtë loje. Mirëpo e kishin gabim. Dëshmitarët e Jehovait vlerësojnë çdo përkthim të Biblës.»
Entet ligjore dhe Dëshmitarët e Jehovait. «Vendimi i Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse tregon se . . . shumica e kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait nuk kanë ente ligjore . . . Prandaj nuk është e saktë të themi se çdo Dëshmitar i Jehovait në një zonë të caktuar është automatikisht anëtar i një enti ligjor.
I kam studiuar me kujdes statutet e tyre dhe terma të tillë, si mbikëqyrës, pleq dhe pionierë nuk përmenden fare. Zakonisht në to përmenden themeluesit, një grup deri në 10 veta. Përgjegjësitë e tyre janë vetëm ligjore, jo fetare. Brenda kongregacionit nuk kanë ndonjë pozitë të veçantë dhe as autoritet që të marrin vendime për adhurimin e Dëshmitarëve të Jehovait. . . . Veprimtaria e Dëshmitarëve mbetet njësoj në çdo vend e rajon.
Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur të respektojnë [vendimin e Gjykatës së Lartë që mbylli vetëm entet e tyre ligjore]. Në të njëjtën kohë nuk kanë hequr dorë nga veprimtaritë e tyre fetare, meqë autoritetet nuk i kanë ndaluar. Si individë, ata vazhdojnë ta adhurojnë Perëndinë. Nga pikëpamja e tyre dhe imja si ekspert, veprimtaritë e Dëshmitarëve nuk shkelin vendimin e Gjykatës së Lartë.»
Dëshmitarët e Jehovait dhe transfuzionet e gjakut. «Bibla thotë se ‘jeta është në gjak’, prandaj gjaku nuk duhet përdorur kurrë. Konteksti tregon se ky kufizim lidhet me ushqimin, por ata e lidhin edhe me gjëra të tjera. Dëshmitarët besojnë se gjaku nuk duhet përdorur në asnjë formë, as si ushqim (nuk hanë salsiçe me gjak), as për transfuzion. Megjithatë pranojnë fraksione të vogla gjaku. Ky është vendim personal . . . Fakti që nuk pranojnë transfuzion gjaku, s’do të thotë se duan të vdesin. Përkundrazi duan trajtimin mjekësor të nivelit më të lartë. Si ata, edhe shumë mjekë, mendojnë se transfuzionet e gjakut mbartin rreziqe, sepse mund të transmetojnë SIDA-n a ndonjë sëmundje tjetër. Kirurgjia pa gjak ofron më shumë garanci. Nga statistikat kam parë se të pasurit preferojnë të shmangin transfuzionet e gjakut, sepse kështu janë më të mbrojtur nga infeksionet dhe komplikacionet.»
Dëshmitarët e Jehovait dhe dhurimet. «Dikush mund të vendosë të mos dhurojë asgjë. Faktikisht, ai mund t’i ndjekë gjithë jetën mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait e të mos kontribuojë kurrë asnjë qindarkë. Secili vendos vetë nëse do të japë diçka apo jo.»
Pavarësisht nga dëshmia bindëse e dr. Ivanenkos se Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë të ndërgjegjshëm që i binden ligjit, gjykata i shpërfilli argumentet e tij dhe i dënoi gjashtë vëllezërit me afate të ndryshme burgimi.
Ndërkohë që Rusia hedh akuza të rreme ndaj vëllezërve tanë dhe i burgos padrejtësisht, lutemi që Jehovai t’i bekojë bashkëbesimtarët tanë të guximshëm e besnikë që të vazhdojnë ta adhurojnë me gëzim.—Psalmi 109:2-4, 28.