29 TETOR 2025
LAJME NDËRKOMBËTARE
Gjatë tetorit 2025 prezantohen libra të Biblës në 2 gjuhë
Keçua (Huajaga huanuko)
Më 11 tetor 2025, vëllai Marselo Mojano, anëtar i Komitetit të Degës në Peru, prezantoi Biblën—Lajmi i mirë sipas Mateut, si edhe librat biblikë të Markut dhe Filemonit, në gjuhën keçua (Huajaga huanuko), gjatë një programi special që u mbajt në Huanuko, Peru. Programin e ndoqën fizikisht gjithsej 285 veta, kurse 268 të tjerë u lidhën nëpërmjet videokonferencës. Të gjithë të pranishmit morën një kopje të shtypur të Biblës—Lajmi i mirë sipas Mateut. Të 3 librat e Biblës u vunë menjëherë në dispozicion në format digjital dhe në format audio në sitin jw.org dhe në aplikacionin JW Library.
Gjuhën keçua (Huajaga huanuko) e flasin rreth 72.800 veta që jetojnë në Peru. Në këtë gjuhë ekziston një përkthim i Biblës, por është shumë i shtrenjtë dhe i vështirë për t’u kuptuar. Sot ka 218 vëllezër e motra që shërbejnë në 5 kongregacione të gjuhës keçua (Huajaga huanuko) anekënd vendit.
Lole
Më 12 tetor 2025, vëllai Lamar Uillson, anëtar i Komitetit të Degës në Mozambik, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën lole, gjatë një programi special që u mbajt në Zambezia, Mozambik. Të pranishëm për këtë program ishin 736 veta, kurse 1.097 të tjerë u lidhën nëpërmjet videokonferencës. Të gjithë të pranishmit morën një kopje të shtypur të Shkrimeve të Krishtere Greke. Botimi i ri u vu në dispozicion edhe në format digjital dhe në format audio në jw.org dhe në aplikacionin JW Library.
Gjuhën lole e flasin rreth 330.000 veta, përfshirë 821 vëllezër e motra që shërbejnë në 21 kongregacione dhe në 1 grup të kësaj gjuhe në Mozambik.

