13 TETOR 2025
LAJME NDËRKOMBËTARE

Gjatë shtatorit 2025 prezantohen libra të Biblës në 3 gjuhë

Gjatë shtatorit 2025 prezantohen libra të Biblës në 3 gjuhë

Gjuha zambiane e shenjave

Më 12 shtator 2025, vëllai Ouen Thom, anëtar i Komitetit të Degës në Zambie, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën zambiane të shenjave. Njoftimi u bë gjatë ditës së parë të Kongresit Rajonal 2025 «Adhurimi i pastër» që u mbajt në Sallën e Asambleve në Lusakë. Të pranishëm për këtë event ishin 528 veta. Shkrimet e Krishtere Greke u vunë menjëherë në dispozicion në sitin jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language.

Gjuhën zambiane të shenjave e flasin rreth 50.000 njerëz. Aktualisht në Zambie ka 778 vëllezër e motra që shërbejnë në 16 kongregacione dhe në 12 grupe të gjuhës së shenjave.

Ponapeane

Më 26 shtator 2025, vëlla Atsushi Ishibashi, anëtar i Komitetit të Degës në Mikronezi, prezantoi botimin e plotë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ponapeane. Prezantimi u bë para një auditori me 62 veta të mbledhur për Kongresin Rajonal 2025 «Adhurimi i pastër» në Kolonia, Ponpei, Mikronezi. Të gjithë të pranishmit morën një kopje të shtypur të Përkthimit Bota e Re. Botimi u vu në dispozicion edhe në sitin jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Shumica e rreth 45.000 vetave që flasin gjuhën ponapeane përreth botës jetojnë në Mikronezi. Mes tyre janë 59 vëllezër e motra që shërbejnë në 1 kongregacion të kësaj gjuhe. Ata janë shumë të lumtur që tani kanë botimin e plotë të Fjalës së Perëndisë të përkthyer në gjuhën e tyre dhe mezi presin ta përdorin për studimin personal, gjatë adhurimit familjar, në mbledhjet e kongregacionit dhe në veprën e predikimit.

Tupuri

Më 28 shtator 2025, vëllai Eli Uatshome, anëtar i Komitetit të Degës në Kamerun, prezantoi Biblën—Lajmi i mirë sipas Mateut në gjuhën tupuri. Prezantimi u bë gjatë një mbledhjeje speciale me 150 të pranishëm, që u mbajt në Marua, Kamerun. Libri i Mateut u vu menjëherë në dispozicion në sitin jw.org dhe në aplikacionin JW Library. Kopjet e shtypura do të disponohen në vitin 2026.

Gjuhën tupuri e flasin rreth 330.000 veta në Kamerun dhe në Çad. Përkthimi i Biblës që ekzistonte në këtë gjuhë e kishte hequr emrin e Autorit të saj, Jehovait. Të 188 vëllezërit e motrat që shërbejnë në 7 kongregacione dhe në 1 grup të gjuhës tupuri në Kamerun, janë shumë të lumtur që tani kanë një përkthim të librit të Mateut që rivendos emrin e Perëndisë aty ku i takon.