Kalo te përmbajtja

Përfaqësues të Dëshmitarëve të Jehovait takojnë kreun e Komisionit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut të Koresë, për të diskutuar rreth programit të shërbimit alternativ civil në vend. Pas mbledhjes, komisioni nxori një deklaratë në lidhje me këtë çështje

27 JANAR 2022
KOREJA E JUGUT

Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kore bën thirrje të përmirësohet shërbimi alternativ

Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kore bën thirrje të përmirësohet shërbimi alternativ

Një zyrtar që punon për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Korenë e Jugut, ka bërë një deklaratë zyrtare në të cilën thuhej se shërbimi alternativ civil i vendit (ACS) nuk përmbush standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Më 2 dhjetor 2021, presidenti Song Du Han, kreu i ri i Komisionit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kore (NHRCK), a nxori në faqen zyrtare të komisionit një deklaratë ku thuhej se kushtet e ACS-së duhej të ndryshonin. Koreja e Jugut nisi të aplikonte shërbimin alternativ më 26 tetor 2020.

Në deklaratë pjesërisht thuhej: «Edhe pse sistemi i ACS-së hyri në fuqi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2018, jam krejtësisht dakord se sistemi ka nevojë të përmirësohet që të përmbushë standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut . . .»

Deklarata erdhi pas takimit që z. Song zhvilloi me përfaqësues të degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Korenë e Jugut dhe të Shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait në Azi dhe në Paqësor (APAJW) më 23 nëntor 2021. Vëllezërit i dhanë z. Song raportin me titull «Shërbimi alternativ civil në Korenë e Jugut—2021», përgatitur nga APAJW-ja.

Raporti shpjegon se shërbimi alternativ në Korenë e Jugut është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Programi zgjat 36 muaj që do të thotë dyfishi i kohës që duhet për shërbimin ushtarak. Veç kësaj, programi i ACS-së ka kushte që ngjajnë shumë me burgosjen. Ata që nuk kanë pranuar të bëjnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, po e kryejnë shërbimin alternativ në burgje. Por, gjatë muajit të parë të shërbimit, nuk lejohen të largohen nga godinat e burgut. Pas kësaj mund të largohen vetëm me leje dhe duhet të kthehen para orës 9.30 të darkës.

Aktualisht NHRCK-ja po shqyrton kërkesat për përmirësime që kanë paraqitur ata që po kryejnë shërbimin alternativ. NHRCK-ja nuk ka fuqi legjislative, por mund të bëjë rekomandime për ata që i bëjnë ligjet.

Marrim forcë nga besimi dhe integriteti i vëllezërve tanë në Korenë e Jugut. E dimë se Jehovai do t’i mbështetë.—Psalmi 55:22.

a NHRCK-ja është një organizatë që mbron të drejtat e njeriut, e themeluar në vitin 2001.