Kalo te përmbajtja

Gjykata e Lartë vendosi në favor të vëllezërve Nam Ou Nu (majtas), Li Jung Hion (qendër) dhe Nam Tej Hi (djathtas), të cilët kryen shërbimin ushtarak para se të bëheshin Dëshmitarë të Jehovait dhe më vonë janë përballur me ndëshkime ligjore të vazhdueshme

3 MARS 2021
KOREJA E JUGUT

Gjykata e Lartë në Kore vendos në favor të atyre që nuk pranojnë të hyjnë në forcat rezerviste për shkak të ndërgjegjes

Gjykata e Lartë në Kore vendos në favor të atyre që nuk pranojnë të hyjnë në forcat rezerviste për shkak të ndërgjegjes

Më 28 janar 2021, Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut vendosi se nuk është krim të mos pranosh të hysh në forcat rezerviste për shkak të ndërgjegjes. Tani, vëllezërit tanë që kanë kryer shërbimin ushtarak para se të bëheshin Dëshmitarë të Jehovait, nuk do të ndëshkohen më ngaqë refuzojnë stërvitje ushtarake të mëtejshme.

Në Korenë e Jugut, të gjithë burrat që kanë kryer shërbimin ushtarak duhet të paraqiten rregullisht, për tetë vjet me radhë, para forcave rezerviste që të marrin stërvitje të mëtejshme. Kjo do të thoshte se vëllezërit tanë që kishin kryer shërbimin ushtarak, do të thirreshin dhe do të ndëshkoheshin sa e sa herë ngaqë refuzonin stërvitjen. Një vëllai iu desh të paraqitej në polici, në zyrën e prokurorisë, në gjyq dhe në gjykatat e apelit plot 60 herë brenda një viti.

Në vitin 2018, dy gjykata të larta koreane, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, vendosën se refuzimi i shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes nuk përbënte krim. Kjo i jepte mundësi një të krishteri të kryente shërbim civil alternativ. Mirëpo, gjykatat nuk zgjidhën çështjen e Ligjit të Forcave Rezerviste, i cili përligjte ndëshkimin e atyre që refuzonin stërvitjen në forcat rezerviste për shkak të bindjeve fetare.

Vendimi që mori së fundmi Gjykata e Lartë, njeh të drejtën për të refuzuar stërvitjen me forcat rezerviste për shkak të ndërgjegjes. Vëllezërit që janë përfshirë në beteja ligjore të gjata, tani mund të aplikojnë për të kryer shërbim civil alternativ, në vend që të gjobiten e të burgosen si kriminelë. Vëllai Nam Tej Hi, një nga të pandehurit në këtë çështje, shpjegon: «Pas sa e sa herësh që jam paraqitur në gjykatë gjatë këtyre tetë viteve, më në fund, të drejtat e mia po respektohen. Ndihem sikur kam hequr një peshë të madhe nga supet.»

Gëzojmë dhe falënderojmë Jehovain dhe vëllezërit në Kore e familjet e tyre që ‘u kanë bërë ballë vështirësive dhe kanë vuajtur padrejtësisht ngaqë kanë mbajtur një ndërgjegje të pastër përpara tij’!—1 Pjetrit 2:19.