26 SHTATOR 2025
KALEDONIA E RE
otra nga Kaledonia e Re mbajnë në duar botime në gjuhët vendase: (nga e majta) drehu, valisiane, nengone dhe frënge
Plot 50 vjet që Dëshmitarët e Jehovait në Kaledoninë e Re gëzojnë njohje ligjore
Në shtator të vitit 2025, u bënë plot 50 vjet që kur Dëshmitarët e Jehovait u njohën ligjërisht në Kaledoninë e Re. Pas dy përpjekjeve të pasuksesshme për të marrë statusin ligjor, vëllezërit u gëzuan pa masë kur, më në fund, u regjistruan ligjërisht më 19 shtator 1975.
Për herë të parë, lajmi i mirë mbërriti në këtë shtet-ishull mbi 90 vjet më parë. Në vitet 30, një grup i vogël Dëshmitarësh lundronin nga njëri ishull në tjetrin dhe shpërndanin literaturë të bazuar në Bibël. Dy dekada më vonë, dhjetëra motra e vëllezër të zellshëm u transferuan nga Australia në këtë ishull. Teksa predikonin, gjenin shumë njerëz të etur për njohurinë e Biblës. Në gusht të vitit 1956, u formua kongregacioni i parë në Numea.
Vëlla Xhon Hubleri dhe gruaja e tij, Elena, kur shërbenin në Kaledoninë e Re
Pastaj më 1959, papritur qeveria nuk i rinovoi më vizat e të huajve, duke i detyruar kështu motrat e vëllezërit australianë të ktheheshin në vendin e tyre. Vitin pasues, qeveria i shpalli të ndaluara të gjitha botimet tona. Vëlla Xhon Hubleri kujtonte: «Vëllezërit vendas na thanë që priftërinjtë kishin njoftuar në kishat e tyre se, tani që të gjithë ‘udhëheqësit’ e Dëshmitarëve të Jehovait ishin larguar nga vendi, shpejt Dëshmitarët vendës do të ktheheshin në kishë.»
Vëlla Zhan-Pjer Fransini, një nga Dëshmitarët e parë që u pagëzuan në këtë vend, tha: «Edhe pse vëllezërit australianë u detyruan të largoheshin, grupi ynë i vogël prej 15 lajmëtarësh vazhdoi të predikonte. Ndalimi i literaturës mund të na e kishte zbehur zellin, por Jehovai na mbështeti. Predikonim vetëm me Bibël. Grupi ynë i vogël filloi të rritej.»
Në nëntor 1962, u hoq ndalimi për të gjitha botimet tona, me përjashtim të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Më vonë u hoq ndalimi edhe për revistat. Një muaj pasi morën njohjen ligjore në shtator të vitit 1975, vëllezërit e motrat tona në Kaledoninë e Re mirëpritën misionarët e parë të stërvitur në Galad, Mark dhe Polina Fosetin. Në qershor të vitit 1976, në Numea u hap një zyrë dege. Pak pas kësaj, në të njëjtin qytet u ndërtua Salla e parë e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait.
Gjatë 5 dekadave të kaluara, vëllezërit e motrat tona në Kaledoninë e Re kanë përhapur me zell lajmin e mirë. Sot, në gjithë territorin e degës shërbejnë rreth 2.700 lajmëtarë. Në vitin 2024, Përkujtimin e vdekjes së Krishtit e ndoqën rreth 7.833 veta, afro trefishi i numrit të lajmëtarëve.
Anëtarë të familjes Bethel në Kaledoninë e Re, shtator 2025. Fotografia e vogël: zyra e degës sot në Numea
Na gëzon zemra tek shohim sa po e bekon Jehovai veprën në Kaledoninë e Re. Pesëdhjetë vjet pas njohjes ligjore, vëllezërit e motrat tona akoma ‘mezi presin të shpallin lajmin e mirë’.—Romakëve 1:15.

