Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët përshëndetin me dashuri njëri-tjetrin gjatë një programi special që u mbajt në Keralë, Indi, më 4 nëntor 2023

17 NËNTOR 2023 | PËRDITËSUAR MË 8 DHJETOR 2023
INDI

PËRDITËSIM—Shkon në 8 numri i të vdekurve nga tragjedia në Indi

PËRDITËSIM—Shkon në 8 numri i të vdekurve nga tragjedia në Indi

Të dielën më 2 dhjetor 2023, një vëlla 76-vjeçar, i cili shërbente si plak kongregacioni dhe pionier i rregullt, vdiq për shkak të plagëve të marra gjatë shpërthimeve në Keralë, Indi. Mjerisht, 5 ditë më vonë, të enjten më 7 dhjetor, vdiq nga plagët e shkaktuara nga shpërthimet edhe gruaja e tij e shtrenjtë, që po ashtu shërbente si pioniere e rregullt. Gjithsej kanë humbur jetën 8 vëllezër e motra për shkak të këtij akti të tmerrshëm.

Të dielën më 29 tetor 2023, në vendin ku mbahej një kongres rajonal në Keralë, Indi, shpërthyen disa bomba. Mjerisht, përveç 3 vdekjeve që kemi raportuar tashmë, kanë vdekur edhe 1 vëlla e 2 motra të tjera. Ndër ta ishin mamaja dhe vëllai i 12-vjeçares që vdiq më parë. Gjithashtu, 11 vëllezër e motra janë ende në spital.

Për t’u siguruar ngushëllimin dhe inkurajimin aq të nevojshëm atyre që u prekën nga ky sulm, dega e Indisë mori miratimin për të organizuar një mbledhje speciale, që u mbajt më 4 nëntor 2023. Në të u ftuan vëllezërit e motrat nga 21 kongregacionet që ishin caktuar në kongresin ku shpërthyen bombat. Programi u zhvillua në një Sallë Mbretërie vendëse ku ishin të pranishëm gati 200 veta. Kurse 1.300 të tjerë u lidhën nëpërmjet videokonferencës. Gjithashtu, programi u regjistrua dhe u vu në dispozicion për ata që ishin ende në spital. Një plak nga zyra e degës trajtoi Psalmin 23:1 dhe theksoi se Jehovai kujdeset për secilin prej shërbëtorëve të tij. Ai shpjegoi: «Në këtë varg, psalmisti nuk thotë se Jehovai është një bari, nuk thotë as se Jehovai është një bari fantastik. Ai e quan Jehovain ‘bariu im’. Sa na jep zemër dijenia se Jehovai interesohet personalisht për secilin prej nesh!»

Motrat ngushëllojnë me dashuri njëra-tjetrën

Një vëlla që ishte i pranishëm kur shpërthyen bombat, pranoi se tani ka vështirësi me gjumin. Pavarësisht nga kjo, u ofrua për të ndihmuar ata që janë akoma në spital. Ai tha: «Besimi dhe pozitiviteti i tyre më ndihmoi ta hiqja mendjen nga shqetësimet e mia. Edhe pse me plagë e dhimbje, shumë këndonin me gëzim këngët e Mbretërisë.» Një vëlla tjetër komentoi: «Mund të duhet goxha kohë që disa nga motrat e vëllezërit tanë të shtrenjtë t’i kthehen normalitetit. Prapëseprapë, jam i sigurt se bashkëbesimtarët do të vazhdojnë t’i mbulojnë me dashuri. S’kam dyshim se Perëndia ynë i dashur do ta mbajë fort secilin prej tyre me duart e tij të fuqishme. Kjo është shumë inkurajuese.»

Si një familje mbarëbotërore e bashkuar, na ngushëllon e na jep forcë fakti që Jehovai po vazhdon ‘të shërojë zemërthyerit dhe t’ua lidhë plagët’ motrave dhe vëllezërve tanë të çmuar në Indi.—Psalmi 147:3.