ERITRE

Burgosen për shkak të besimit—Eritre

Burgosen për shkak të besimit—Eritre

Prej shumë vitesh, qeveria në Eritre arreston dhe burgos Dëshmitarë të Jehovait, përfshirë gra e të moshuar, pa proces gjyqësor ose pa akuza formale. Ngaqë nuk votuan në referendumin e pavarësisë të vitit 1993 dhe refuzonin të kryenin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, presidenti Afuerki u hoqi nënshtetësinë me anë të një dekreti presidencial të datës 25 tetor 1994. Para se rekrutimi të bëhej i detyrueshëm, Eritreja kishte siguruar shërbim alternativ tërësisht civil. Shumë Dëshmitarë kanë kryer këtë formë shërbimi pavarësisht nga ndryshimi i administratës së qeverisë. Madje, autoritetet jepnin sistematikisht «Certifikata për përfundimin e shërbimit ndaj shtetit» dhe shpesh i lavdëronin ata që merrnin pjesë. Por, që me daljen e dekretit presidencial, forcat e sigurisë në Eritre i kanë burgosur, torturuar dhe përndjekur Dëshmitarët e Jehovait në përpjekje për t’i detyruar të mohojnë besimin e tyre.

Aktualisht në burg janë 64 Dëshmitarë të Jehovait (37 vëllezër dhe 27 motra). Në shtator të 2024-s, ky numër u shtua ndjeshëm kur disa policë hynë me forcë në një shtëpi ku po zhvillohej paqësisht një grumbullim fetar dhe arrestuan 24 veta. Më vonë, 2 të mitur i liruan. Pak ditë më pas, arrestuan edhe një Dëshmitare tjetër 85-vjeçare. Të 23 Dëshmitarët i transferuan në burgun «Mai-Serua». Më 7 dhjetor 2024, autoritetet liruan nga burgu një Dëshmitare, Saron Gebru, e cila ishte 9-muajshe shtatzënë me fëmijën e saj të parë. Gjithashtu më 15 janar 2025, liruan 82-vjeçaren Mizan Gebrejasus.

Më 1 nëntor 2024, autoritetet i vunë sërish në shënjestër Dëshmitarët, e kësaj here arrestuan 4 nxënës Dëshmitarë të moshave 16-18 vjeç. Ata i morën në pyetje dhe i futën menjëherë në burgun «Mai-Serua». Më 22 nëntor, oficerët morën nga shkolla vajzën e vogël të Almaz Gebrehiuotit dhe e çuan në komisariat. Kur Almaza shkoi atje për të marrë të bijën, oficerët lanë të lirë vajzën, por në vend të saj mbajtën Almazën. Aktualisht Almazën po e mbajnë në Komisariatin nr. 5, në Asmarë.

Kushte të këqija në burg

Dëshmitarët kanë vuajtur kushte tmerrësisht të këqija në «Mai-Serua» dhe në burgje të tjera. Të burgosurit i dyndin në qeli të vogla të mbushura plot, ku nuk ka vend mjaftueshëm për t’u shkrirë me kurriz, por u duhet të flenë të kthyer anash, ngjeshur pas njëri-tjetrit. Godina me kushte sanitare as nuk ekzistojnë. Si burrave, ashtu edhe grave u lejohet të kryejnë nevojat e tyre vetëm në orare të përcaktuara, 2 herë në ditë, nën vëzhgimin e ushtarëve. Mungon kujdesi i duhur shëndetësor dhe nuk kanë mjaftueshëm ushqim dhe ujë.

Nga këto kushte të mjerueshme kanë humbur jetën 4 Dëshmitarë ndërsa ishin në burg dhe 3 Dëshmitarë të moshuar kanë vdekur pas lirimit nga burgu, për shkak të kushteve tejet të vështira gjatë burgimit.

  • Më 2011 dhe 2012, dy Dëshmitarë vdiqën për shkak të trajtimit çnjerëzor në kampin e burgimit «Meitir». Misgina Gebretinsae, një i burgosur 62-vjeçar, vdiq në korrik të 2011-s për shkak të nxehtësisë ekstreme ndërsa ishte në një zonë dënimi që njihej si «nëntoka». Ndërsa një i burgosur 68-vjeçar, Johanes Haile, vdiq më 16 gusht 2012, pas gati 4 vjetësh burg në këtë kamp në kushte të ngjashme.

  • Tre Dëshmitarë të moshuar, Kasai Mekoneni, Goitom Gebrekristosi dhe Tsehaje Tesfamariami kanë vdekur pas lirimit nga burgu, për shkak të kushteve tepër të vështira që duruan në kampin «Meitir».

  • Dy Dëshmitarë vdiqën në 2018, pasi i transferuan në burgun «Mai-Serua». Habtemikael Tesfamariami vdiq më 3 janar, në moshën 76-vjeçare, ndërsa Habtemikael Mekoneni vdiq më 6 mars, në moshën 77-vjeçare. Autoritetet e Eritresë i burgosën që të dy në vitin 2008, pa ngritur asnjë akuzë kundër tyre.

Dënohen me burgim pa afat

Shumica e Dëshmitarëve janë burgosur për një kohë të pacaktuar. Mund të dalin nga burgu vetëm nëse janë në prag të vdekjes. Përderisa ligjet që janë në fuqi nuk u ofrojnë asnjë procedurë ose zgjidhje ligjore, de facto i kanë dënuar me burg për tërë jetën.

Tabelë kronologjike

  1. 17 mars 2025

    Në burg janë gjithsej 64 Dëshmitarë.

  2. 22 nëntor 2024

    Almaz Gebrehiuoti arrestohet ngaqë nuk pranon të bashkohet me partinë politike të vendit.

  3. 1 nëntor 2024

    Policia arreston 4 nxënës Dëshmitarë dhe i transferon në burgun «Mai-Serua».

  4. 27 shtator 2024

    Policia arreston 23 Dëshmitarë dhe i transferon në burgun «Mai-Serua»; më vonë, liron 2 veta.

  5. 1 shkurt 2021

    Lirojnë nga burgu 3 Dëshmitarë.

  6. 29 janar 2021

    Lirojnë nga burgu 1 Dëshmitar.

  7. 4 dhjetor 2020

    Lirojnë nga burgu 28 Dëshmitarë.

  8. 6 mars 2018

    Humb jetën 77-vjeçari Habtemikael Mekoneni, pas transferimit në burgun «Mai-Serua».

  9. 3 janar 2018

    Humb jetën 76-vjeçari Habtemikael Tesfamariami, pas transferimit në burgun «Mai-Serua».

  10. Korrik 2017

    Të gjithë Dëshmitarët e burgosur në kampin «Meitir» i transferojnë në burgun «Mai-Serua», jashtë Asmarës.

  11. 25 korrik 2014

    Shumica e atyre që u arrestuan më 14 prill janë liruar, por 20 prej atyre që u arrestuan më 27 prill janë ende në burg.

  12. 27 prill 2014

    Policia arreston 31 Dëshmitarë gjatë një mbledhjeje ku studiojnë Biblën.

  13. 14 prill 2014

    Arrestohen më shumë se 90 Dëshmitarë gjatë Përkujtimit të përvitshëm të vdekjes së Krishtit.

  14. 16 gusht 2012

    Humb jetën gjatë burgimit në kushte ekstreme Johanes Haile, 68 vjeç.

  15. Korrik 2011

    Humb jetën gjatë burgimit në kushte ekstreme Misgina Gebretinsae, 62 vjeç.

  16. 28 qershor 2009

    Autoritetet mësyjnë në shtëpinë e një Dëshmitari ndërsa mbahet një mbledhje fetare dhe arrestojnë 23 të pranishmit, që janë nga 2 deri 80 vjeç.

  17. 28 prill 2009

    Autoritetet transferojnë në kampin e burgimit «Meitir» që të gjithë Dëshmitarët e Jehovait (përveç njërit) që mbaheshin të burgosur në komisariatet e policisë.

  18. 8 korrik 2008

    Autoritetet fillojnë bastisjet e shtëpive dhe të vendeve të punës për të arrestuar 24 Dëshmitarë, pjesa më e madhe e të cilëve sigurojnë bukën e gojës për familjen.

  19. Maj 2002

    Qeveria ndalon të gjitha grupet fetare që nuk bëjnë pjesë në katër fetë e miratuara nga qeveria.

  20. 25 tetor 1994

    Del dekreti presidencial që u heq Dëshmitarëve të Jehovait nënshtetësinë dhe të drejtat themelore civile.

  21. 17 shtator 1994

    Burgosen Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarjami pa akuza zyrtare ose proces gjyqësor.

  22. Vitet 50

    Krijohen komunitetet e para të Dëshmitarëve të Jehovait në Eritre.