13 NËNTOR 2025
ERITRE

Vendimi i Komisionit Afrikan për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve në favor të vëllezërve Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarijami, të cilët u burgosën padrejtësisht në Eritre për rreth 26 vjet

Organi më i lartë i të drejtave të njeriut në Afrikë deklaron se Eritreja ka shkelur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait

Organi më i lartë i të drejtave të njeriut në Afrikë deklaron se Eritreja ka shkelur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait

Më 20 gusht 2025, a Komisioni Afrikan për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve (KADNP) mori një vendim të rëndësishëm lidhur me burgosjen 26-vjeçare të 3 Dëshmitarëve të Jehovait në Eritre.

Në vendimin e saj, KADNP-ja deklaroi se Eritreja ka shkelur shumë ligje të Kartës Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve kundrejt vëllezërve Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarijami. Këto shkelje përfshijnë burgosjen arbitrare, mohim të ndihmës ligjore dhe të procesit gjyqësor, si edhe trajtim çnjerëzor. KADNP-ja urdhëroi qeverinë e Eritresë t’i dëmshpërblejë 3 vëllezërit për vuajtjet që duruan për më shumë se 26 vjet. Deri më sot, autoritetet e Eritresë nuk kanë reaguar ndaj vendimit të KADNP-së.

Më 17 shtator 1994, policia në Eritre mori me forcë Paulosin, Isakun dhe Negeden. Kur vëllezërit nuk pranuan të kryenin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, autoritetet i ngjeshën nëpër baraka metalike në kampin ushtarak famëkeq të Sauas, që ndodhet thellë në shkretëtirë. Këta 3 vëllezër të rinj i mbajtën pas hekurave për dekada të tëra, ndonëse nuk u bënë kurrë gjyq e as i akuzuan për ndonjë krim. Rojat e ushtrisë u privonin vazhdimisht sasinë e duhur të ushqimit, ujit dhe kujdesin mjekësor. Për më tepër, vëllezërit kanë vuajtur abuzime të tmerrshme fizike dhe psikologjike. Për shembull, rojat i kanë rrahur dhe kanë bërë gjoja sikur do t’i ekzekutonin, e madje i kanë detyruar të hapnin vetë varrin e tyre.

Më 25 tetor 1994, pak pas burgosjes së 3 vëllezërve, presidenti i Eritresë nxori një dekret që i hiqte nënshtetësinë çdo Dëshmitari në vend. Ky dekret nuk i lejon vëllezërit e motrat të kërkojnë mbrojtje ligjore, të gjejnë punë, të zotërojnë një pronë ose të përfitojnë nga shërbimet themelore që ofron qeveria. Gjatë 31 viteve të kaluara, ky dekret presidencial ka çuar edhe në burgosjen arbitrare të mbi 300 Dëshmitarëve në Eritre, shumica e të cilëve ngaqë mblidhen për të adhuruar paqësisht ose ngaqë refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Aktualisht, në këtë vend janë në burg 64 Dëshmitarë të Jehovait, 14 prej të cilëve janë mbi 60 vjeç.

Vendimi i KADNP-së në favorin tonë na jep shumë zemër. 54 vende të Afrikës, ndër to edhe Eritreja, kanë ratifikuar kartën e KADNP-së, e cila punon për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shtetet anëtare. Vlen të përmendet se Asambleja e Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive në Bashkimin Afrikan, e cila përfaqëson të gjitha kombet afrikane, e ka miratuar zyrtarisht këtë vendim. Lutemi që kjo ta nxitë qeverinë e Eritresë të lirojë nga burgu të 64 Dëshmitarët që i mban në kushte të ngjashme me ato që kanë përjetuar Paulosi, Isaku dhe Negede. Nga ana tjetër, jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë t’u japë zemër e forcë të gjithë vëllezërve e motrave në Eritre, ndërsa ‘durojnë kur vuajnë ngaqë bëjnë të mirën’.—1 Pjetrit 2:20.

a Edhe pse KADNP-ja e mori vendimin në gusht 2025, ky vendim nuk u publikua zyrtarisht deri më 4 nëntor 2025.