11 DHJETOR 2024
AFRIKA E JUGUT
Dega e Afrikës së Jugut përfundon 2 projekte të mëdha rinovimi
Kohët e fundit, dega e Afrikës së Jugut në Krugersdorp përfundoi 2 projekte të mëdha rinovimi: një ndërtesë 5-katëshe për zyrat dhe një ndërtesë shërbimesh. Të dyja ndërtesat kanë qenë në përdorim që nga viti 1987.
Ndërtesa e zyrave
Nga shtatori 2022, një ekip i vogël nga Departamenti i Ndërtimit në Degën e Afrikës së Jugut punuan ngushtë me një firmë kontraktore për rinovimin. Gjatë periudhës së punimeve, vëllezërit e motrat që punonin nëpër zyra u transferuan në zona të tjera të degës ose punuan nga dhomat e tyre.
Në rinovim përfshihej i gjithë recepsioni dhe instalime të reja për të rritur efiçencën energjitike të ndërtesës. Gjithashtu, për një shfrytëzim sa më të mirë të hapësirave, projekti i rinovimit përfshinte hapësira të përbashkëta që favorizojnë bashkëpunimin, depërtimin e dritës natyrale dhe pamje më të gjerë nga dritarja. Kur nevojiten zyra të veçanta, përdoren ndarje të çmontueshme, të cilat mundësojnë që rikonfigurimi i zyrave të bëhet shpejt dhe me ekonomi.
Majtas: jashtë ndërtesës së shërbimeve. Disa motra merren me finiturat në një vend ku është hedhur beton. Djathtas: një nga sallat e ngrënies e rinovuar, në ndërtesën e shërbimeve
Ndërtesa e shërbimeve
Për rinovimin e kësaj ndërtese ndihmuan gjithsej 320 vëllezër e motra, përfshirë shumë që erdhën nga shtete të tjera. Punimet përfshinë rinovim të plotë të dy sallave të ngrënies dhe shtimin e një depoje të re për ushqime e produkte të tjera. Gjithashtu u instaluan sisteme bashkëkohore elektrike dhe mekanike.
Një pjesë e grupit me vullnetarë nga e gjithë bota që punuan për projektin e rinovimit. Gati gjysma e grupit përbëhej nga motra
Jemi të kënaqur për vëllezërit e motrat në Afrikën e Jugut dhe falënderojmë Jehovain për mbështetjen që u ka dhënë vullnetarëve vetëmohues që t’i realizonin me sukses këto projekte.—Proverbat 16:3.

