2 TETOR 2025
AFRIKA E JUGUT
Salla e parë e Mbretërisë në Afrikën e Jugut, e ndërtuar në Kejptaun, viti 1950
75 vjet që Dëshmitarët e Jehovait në Afrikën e Jugut ndërtojnë Salla Mbretërie
Në shtator 2025 bëhen plot 75 vjet që kur u përfundua Salla e parë e Mbretërisë në Afrikën e Jugut. Që nga viti 1950, me rritjen e numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë në këtë vend, është rritur edhe puna e ndërtimit dhe e mirëmbajtjes së vendeve të adhurimit.
Tri Salla Mbretërie që përdornin vëllezërit në Afrikën e Jugut gjatë viteve 50
Për dekada me radhë, vëllezërit e motrat në Afrikën e Jugut merrnin me qira ambiente për t’i përdorur për mbledhjet. Mirëpo, shpesh këto vende ishin të vogla dhe ua bënin të vështirë të pranishmëve të përqendroheshin. Sapo u krijua mundësia ekonomike, kongregacioni në Strand, Kejptaun, filloi ndërtimin e Sallës së parë të Mbretërisë në Afrikën e Jugut. Në vitin 1949, vëllezërit nisën ndërtimin e sallës dhe, më 17 shtator 1950, mbajtën programin e kushtimit.
Gjatë 40 viteve që pasuan, shumë vëllezër e motra dhanë me gëzim kohën dhe të ardhurat e tyre për të ndihmuar me ndërtimin e Sallave të Mbretërisë anekënd vendit. Pastaj, në fillim të viteve 90, organizata e Jehovait implementoi një masë të re, me synim që të ndërtonin Salla Mbretërie në një kohë më të shkurtër. Për shembull, në prill 1992, Salla e parë e Mbretërisë në Dipkluf të Sovetos, Afrika e Jugut, u ndërtua në vetëm 4 ditë. Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë në Afrikën e Jugut mori edhe më shumë hov kur atje nisi programi për vendet me të ardhura të kufizuara më 2008. Falë këtij programi u organizua shpërndarja e fondeve, ‘që të kompensoheshin nevojat’ e vendeve me të ardhura financiare të pakta për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. (2 Korintasve 8:14) Brenda 5 vitesh, u ndërtuan mbi 200 Salla Mbretërie të domosdoshme në mbarë Afrikën e Jugut.
Disa nga Sallat e Mbretërisë që janë ndërtuar ose rinovuar që nga vitet 90 e deri më sot
Pastaj më 2014, në mbarë botën u hapën Departamentet Vendëse të Projektim-Ndërtimit (DVPN). Kjo përshpejtoi stërvitjen e motrave e të vëllezërve vendës në aspekte të ndryshme të ndërtimit. Falë DVPN-së, janë ndërtuar gati 250 Salla Mbretërie dhe janë rinovuar mbi 800 të tjera. Sot, në tërë territorin e degës së Afrikës së Jugut ka 1.290 Salla Mbretërie.
Vëlla Bulebahe Mhize, që shërben si mbikëqyrës i DVPN-së në Afrikën e Jugut, pohon: «Është emocionuese të shohësh si po e përshpejton Jehovai zgjerimin e adhurimit të pastër. Lutemi që Ai të vazhdojë të bekojë veprën e ndërtimit që po kryejnë sot vëllezërit e motrat tona në Afrikën e Jugut dhe në mbarë botën për lavdi të emrit të tij.»—Psalmi 127:1.

