Banorët në lindje të Ukrainës përballen çdo ditë me situata që i pengojnë të bëjnë jetë normale dhe ngjallin pasiguri e frikë. Konflikti në këtë rajon ua ka shtuar ankthin edhe Dëshmitarëve të Jehovait. Alarmuese nuk është vetëm pasiguria që mbizotëron, por edhe diskriminimi fetar. Burra të armatosur kanë marrë nën kontroll disa Salla Mbretërie (shtëpi adhurimi) të Dëshmitarëve. Ata u kanë thënë Dëshmitarëve se feja ortodokse është e vetmja fe e ligjëruar dhe se kanë si qëllim «t’i çrrënjosin Dëshmitarët e Jehovait» nga Ukraina Lindore.

Merren me forcë Salla Mbretërie

Në periudhën qershor 2014-nëntor 2016 grupe të armatosura kanë marrë me forcë 18 Salla Mbretërie për t’i përdorur si kazerma ushtarake ose për qëllime të tjera që të mbështetin kauzën e tyre. Ndonëse pjesa më e madhe janë zaptuar ndërsa përkeqësohej konflikti në 2014-n, edhe kohët e fundit janë marrë disa.

Sallë Mbretërie e plaçkitur në rrugën Simferopolska 9, Horlivkë

Mëngjesin e 22 korrikut 2016, teksa një grup Dëshmitarësh në Horlivkë ishin mbledhur për të adhuruar në Sallën e Mbretërisë në rrugën Vitchyzniana 105-A, njerëz të armatosur hynë në ndërtesë dhe i urdhëruan të gjithë të dilnin menjëherë. Ata plaçkitën ndërtesën dhe hoqën të gjitha mobiliet e pajisjet. E njëjta ndërtesë ishte zaptuar më 29 nëntor 2014, por shpejt ishte braktisur. Dëshmitarët rifilluan mbledhjet fetare në këtë shtëpi adhurimi derisa u zaptua sërish më 22 korrik.

Tri ditë më vonë, burra të armatosur hynë në një Sallë Mbretërie tjetër në Horlivkë, në rrugën Simferopolska 9. Morën gjithçka, madje edhe ngrohësit, dhe prishën gardhin rrethues. Kongregacioneve që mblidheshin në këtë ndërtesë, iu desh të organizoheshin ndryshe për të adhuruar.

Nuk heqin dorë nga mbledhjet fetare

Disa kongregacione që u dëbuan nga Salla e Mbretërisë, takohen në grupe të vogla për të adhuruar, që të mos bien në sy të grupeve të armatosura. Dëshmitarë të tjerë shkojnë në Salla Mbretërie jashtë zonës së konfliktit për të ndjekur mbledhjet. Udhëtimi nuk është aspak i lehtë dhe u duhet të paguajnë më shumë. Kush nuk udhëton dot për shkak të moshës ose shëndetit, i dëgjon mbledhjet me telefon.

Për shkak të konflikteve dhe të problemeve të tjera, Dëshmitarët e kanë më të vështirë të mblidhen së bashku. Ilia Kobeli, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë, u shpreh: «Ashtu si fqinjët e tyre, Dëshmitarët që jetojnë pranë zonës neutrale janë të sfilitur emocionalisht nga të shtënat e armëve dhe shpërthimet e shpeshta. Kanë vështirësi ekonomike për shkak të çmimeve të larta e rrogave të ulëta. Por, pavarësisht nga hallet, Dëshmitarët vazhdojnë të mblidhen së bashku për të adhuruar Perëndinë.»

Dëshmitarëve u rikthehen disa Salla Mbretërie

Dëshmitarët e Jehovait janë të kënaqur që mund të përdorin sërish si vende adhurimi gjashtë nga godinat. Edhe pse ishin dëmtuar, Dëshmitarët vendës punuan krah për krah t’i riparonin që të ishin të përshtatshme për mbledhje fetare. Një godinë tjetër ishte dëmtuar kaq keq, sa akoma është e papërdorshme.

Një kongregacion i dëbuar me forcë nga Salla e Mbretërisë në rajonin e Luhanskit në shtator 2014, u rikthye rreth një vit më pas për të adhuruar në të njëjtën sallë. Një plak i këtij kongregacioni, Anatoli Danko, shprehu ndjenjat e shumë të tjerëve kur tha: «Në momente të tilla e kuptojmë se familja jonë është kongregacioni. Pas një ndarjeje të gjatë jemi rikthyer në shtëpi.»

Asnjanësi mes konfliktit

Dëshmitarët e Jehovait njihen në mbarë botën për asnjanësinë politike—nuk mbajnë anë në asnjë konflikt. Dhe Dëshmitarët që jetojnë në Ukrainën Lindore nuk janë ndryshe. Ata mezi presin kohën kur të jetojnë në paqe me familjet e fqinjët dhe të praktikojnë fenë e tyre pa pengesa.