Të nxitur nga urrejtja fetare, grupe të armatosura në Ukrainën Lindore kanë rrëmbyer dhe keqtrajtuar 26 Dëshmitarë të Jehovait që nga gushti i 2014-s. Në atë rajon jetojnë shumë Dëshmitarë dhe ata njihen gjerësisht për shkak të shërbimit të tyre publik dhe të asnjanësisë politike. Disa pjesëtarë të grupeve të armatosura kanë përfituar nga mungesa e ligjit dhe e rendit në atë rajon kohët e fundit dhe i kanë diskriminuar Dëshmitarët duke i trajtuar brutalisht. *

Incidente dhune

  • Më 21 maj 2015, policët e qytetit Stahanov ndaluan dy Dëshmitarë mbi 60 vjeç, për shkak të veprimtarisë së tyre fetare. I akuzuan për «prishje të qetësisë publike» dhe i dënuan me 15 ditë burg. Gjatë kohës që ishin të ndaluar nga policia, dy Dëshmitarët i akuzuan për spiunazh dhe i morën në pyetje vazhdimisht në lidhje me organizatën e Dëshmitarëve të Jehovait. Pjesëtarët e kongregacionit iu drejtuan prokurorit të zonës për t’i liruar burrat, por ai nuk e pranoi kërkesën e tyre. Në fillim, familjarët dhe Dëshmitarë të tjerë nuk u lejuan t’i takonin burrat, por më vonë i lanë që t’u jepnin ushqim, rroba dhe ilaçe tri herë në javë. Një nga Dëshmitarët u lirua më 2 qershor 2015, kurse tjetri të nesërmen, por me një urdhër për t’u larguar nga ai rajon.

  • Më 17 maj 2015, burra të armatosur në zonën e Novoazovskut ndaluan katër Dëshmitarë të Jehovait, u lidhën sytë dhe, nën grykën e armëve, i çuan në shtabin ushtarak lokal. Ata i rrahën egërsisht për dy orë dhe bënë sikur do t’i ekzekutonin. Kërkuan që Dëshmitari më i ri t’i bashkohej ushtrisë dhe të gjithë Dëshmitarët të pranonin se feja ortodokse është e vetmja fe e vërtetë. Dëshmitarët u liruan pasi e kaluan natën në një burg të sajuar me shumë pak hapësirë.

  • Disa dëmtime që iu shkaktuan dy prej Dëshmitarëve në zonën e Novoazovskut, të cilët i rrëmbyen dhe i rrahën.

  • Më 22 janar 2015, tre burra të armatosur rrëmbyen një Dëshmitar në vendin e punës në Donjeck. Familja e tij nuk e dinte se ku e kishin çuar dhe me çfarë preteksti. Ndërsa mbahej atje, ai ua shpjegoi herë pas here qëndrimin e tij asnjanës në çështjet politike, dhe e liruan pas nëntë ditësh.

  • Më 9 gusht 2014, një pjesëtar i armatosur i milicisë lokale rrëmbeu dy Dëshmitarë në Stahanov, në rajonin e Luhanskut. Për gjashtë ditë i mbajtën të burgosur, i rrahën vazhdimisht dhe bënë sikur do t’i gjymtonin dhe sikur do t’i ekzekutonin. Gjithashtu, nuk u jepnin mjaftueshëm ushqim, ujë e rroba dhe ua mohuan kujdesin mjekësor. Rrëmbyesit u orvatën t’i detyronin që të hiqnin dorë nga besimi, të përsëritnin dogma ortodokse dhe t’u faleshin ikonave, duke treguar kështu qartë se problemi kishte të bënte me fenë. Pavarësisht nga trajtimi mizor, Dëshmitarët nuk pranuan të bënin kompromis.

Dëshmitarët e Jehovait jetojnë sipas bindjeve të tyre fetare dhe nuk pranojnë të luftojnë, të përfshihen në fushata ose të mbështetin financiarisht asnjërën palë të konfliktit ushtarak në Ukrainë. Grupe të armatosura i kanë sulmuar Dëshmitarët thjesht për shkak të asnjanësisë së tyre dhe ngaqë nuk ndjekin fenë ortodokse. Sulmet janë një orvatje brutale për t’i detyruar të heqin dorë nga besimi i tyre.

Nuk thyhen përballë përndjekjes

Konflikti për ta pasur në dorë këtë rajon vazhdon ende, prandaj Dëshmitarët nuk kanë asnjë zgjidhje ligjore në dispozicion. Këto dhe incidente të tjera të ngjashme, ata ua kanë raportuar ndërkombëtarëve, përfshirë edhe Reporterit të Posaçëm të OKB-së për Torturën.

Pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasin, Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainën Lindore janë të vendosur të qëndrojnë asnjanës dhe të vazhdojnë të adhurojnë Perëndinë duke treguar maturi. Ata shpresojnë ende se autoritetet lokale do ta mbrojnë të drejtën themelore të njeriut për lirinë e fesë.

^ par. 2 Burra të armatosur sulmuan Jurin (tregohet në krye të faqes) ngaqë është Dëshmitar i Jehovait. Në një rast, ata e ndaluan në rrugë kur po kthehej nga shërbesat fetare, kurse në dy raste të tjera, e sulmuan në shtëpi. I kërkuan të hiqte dorë nga bindjet e tij fetare dhe nga aktiviteti i tij si Dëshmitar i Jehovait.