Më 22 prill 2017 autoritetet ushtarake arrestuan 18-vjeçarin Danil Islamov, ngaqë nuk pranoi të kryente ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Ai u mbajt në një kamp ushtarak stërvitor në Taxhikistan deri më 13 tetor 2017, kur një gjykatë ushtarake në Dushanbe e shpalli fajtor dhe e dënoi me gjashtë muaj burg. Më pas e çuan në një qendër paraburgimi të përkohshme në qytetin e Kurgan-tjubes dhe aty është akoma.

Më 2014 z. Islamov nisi një studim të thellë të Biblës me Dëshmitarët e Jehovait dhe i bëri shumë përshtypje mesazhi i saj i paqes. Më 22 prill 2017, kur Zyra e Rekrutimit Ushtarak në Krahinën Firdavsi të Dushanbesë i kërkoi të paraqitej, ai u shpjegoi autoriteteve se, për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla, nuk mund të kryente shërbimin ushtarak. Ndaj kërkoi të hynte në shërbimin alternativ civil. Autoritetet ushtarake i bënë presion të hynte në ushtri vullnetarisht dhe të shërbente nën drejtimin e Ministrisë së Situatave Emergjente, ku nuk do t’i duhej të përdorte armë. Z. Islamov refuzoi me vendosmëri çdo formë shërbimi ushtarak. Po atë ditë autoritetet e dërguan në një kamp ushtarak stërvitor në Rajonin e Vakshit, mbi 112 kilometra larg Dushanbesë.

Ndëshkohet sepse qeveria s’ka mundur të implementojë shërbimin civil alternativ

Në fillim të qershorit, kur nisi ndjekja penale e z. Islamov, avokati i tij paraqiti një kërkesë për mbylljen e çështjes pasi s’kishte asnjë provë se ai po kryente krim. Sipas Ligjit për shërbimin ushtarak në Taxhikistan një person mund të zgjedhë shërbim alternativ civil në vend të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, ndaj z. Islamov kërkoi të përdorte këtë të drejtë. Gjithashtu, avokati i tij përmendi standardet e ligjit ndërkombëtar të cilat i japin të drejtë një personi të mos kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nëse bie ndesh me fenë ose bindjet e tij.

Zyra e Prokurorit Ushtarak (ZPU) iu përgjigj avokatit të z. Islamov se në Taxhikistan nuk ka shërbim alternativ civil. * Kryehetuesi i ZPU-së, R. Sajdalijevi, hodhi poshtë kërkesën për t’i dhënë fund ndjekjes penale dhe vendosi se z. Islamov duhet të zbatojë ligjin ushtarak e se nuk ka pse të përjashtohet nga shërbimi ushtarak. Më 31 korrik 2017 i njëjti kryehetues e shpalli fajtor «ushtarin Islamov» për refuzim të shërbimit ushtarak. Më 13 tetor 2017 një gjykatë ushtarake e konfirmoi këtë vendim duke e shpallur fajtor dhe duke e dënuar z. Islamov me 6 muaj në një kamp pune.

Avokati i z. Islamov e apeloi dënimin duke thënë: «Z. Islamov nuk është ushtar, ndaj çështja e tij nuk duhet trajtuar nën juridiksionin ushtarak. Edhe vetë kryehetuesi Sajdalijev tha në vendimin e tij se z. Islamov nuk ka bërë betimin ushtarak, nuk pranon të veshë uniformën ushtarake, është shprehur se ndërgjegjja nuk e lejon të kryejë ushtrinë dhe ka kërkuar të kryejë shërbim alternativ civil për t’u shërbyer bashkëkombësve. Kjo është shprehje e së drejtës për të refuzuar në bazë të ndërgjegjes, dhe jo rebelim. Ai nuk është ‘ushtari Islamov’, por një i krishterë që do paqen dhe që është gati t’u shërbejë bashkëkombësve me anë të shërbimit alternativ civil.»

Gjatë apelimit, Gjykata e Lartë e Taxhikistanit nuk vendosi në bazë të provave, por e ktheu çështjen te gjykata e shkallës së parë, për «gabime në çështje», me sa duket një gabim nga sekretaria e gjykatës. Z. Islamov është akoma në burg, ndërsa avokati i tij po punon që çështja të shqyrtohet sërish nga Gjykata e Lartë.

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Taxhikistanit të njohë të drejtën e refuzimit për arsye ndërgjegjeje

Në një raport të 18 korrikut 2005, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (Komiteti) i bëri thirrje qeverisë së Taxhikistanit «të merrte të gjitha masat e nevojshme për t’u njohur të drejtën e përjashtimit nga shërbimi ushtarak atyre që s’mund të kryejnë këtë shërbim për shkak të ndërgjegjes». * Këtë vendim e përsëriti në një raport të 2013-s, duke i bërë sërish thirrje qeverisë që ligji të garantonte të drejtat e atyre që s’mund të kryenin ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. * Pritet që qeveria të zbatojë udhëzimet e Komitetit.

Përpjekje për të ndihmuar z. Islamov

Në pritje të gjyqit për akuzën penale të refuzimit të shërbimit ushtarak, avokati i z. Islamov paraqiti një ankesë pranë Grupit të Punës të OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare (GPBA). Më 5 tetor 2017 GPBA-ja nxori vendimin me nr. 43/2017, ku shprehej se Taxhikistani ka burgosur arbitrarisht z. Islamov dhe se duhet ta lirojë menjëherë e ta dëmshpërblejë.

Dëshmitarët e Jehovait janë mirënjohës që shumica e qeverive, ku shërbimi ushtarak është i detyrueshëm, sigurojnë edhe një program shërbimi alternativ civil për ata që refuzojnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Ata shpresojnë që së shpejti Taxhikistani të zbatojë ligjin e vet, si edhe marrëveshjet ndërkombëtare, duke implementuar shërbimin alternativ civil për shtetasit që duan të ushtrojnë këtë të drejtë.

Tabelë kronologjike

  1. 13 tetor 2017

    Gjykata Ushtarake shpall fajtor z. Islamov dhe e dënon me gjashtë muaj në një kamp pune.

  2. 5 tetor 2017

    Grupi i Punës i OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare bën të njohur vendimin se z. Islamov është burgosur arbitrarisht dhe duhet të lirohet menjëherë.

  3. 31 korrik 2017

    Kryehetuesi i Zyrës së Prokurorit Ushtarak akuzon z. Islamov se po kryen vepër penale duke mos pranuar të shkojë ushtar.

  4. 22 prill 2017

    Pasi e thirrën për ushtar, Danil Islamovi paraqitet në Zyrën e Rekrutimit Ushtarak dhe kërkon të kryejë shërbim alternativ civil, por e çojnë në një kamp ushtarak stërvitor dhe e mbajnë atje.

^ par. 6 Qeveria e Taxhikistanit nuk ka hartuar një program për shërbimin alternativ civil, ndonëse kjo e drejtë ekziston në ligjin për shërbimin ushtarak.

^ par. 10 Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komente përfundimtare: Taxhikistan, dok. i OKB-së CCPR/CO/84/TJK, (18 korrik 2005).

^ par. 10 Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komente përfundimtare: Taxhikistan, dok. i OKB-së CCPR/C/TJK/CO/2, (22 gusht 2013).