Qeveria e Singaporit ka vendosur që shërbimi ushtarak të jetë i detyrueshëm dhe nuk e njeh të drejtën e atyre që nuk duan ta bëjnë për arsye ndërgjegjeje. Të rinjtë Dëshmitarë që nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, dënohen dy herë radhazi me burg, deri në 39 muaj.

Kur një djalë mbush 18 vjeç, atij i kërkohet të futet në ushtrinë e Singaporit. Nëse refuzon për arsye ndërgjegjeje, e mbajnë në një kamp ushtarak deri në 15 muaj. Më pas e lirojnë dhe e urdhërojnë menjëherë të veshë uniformë ushtarake dhe të marrë pjesë në stërvitje ushtarake. Nëse refuzon përsëri, i bëhet një gjyq ushtarak i dytë dhe dënohet deri në 24 muaj burg.

Singapori nuk u bindet udhëzimeve të OKB-së

Prej kohësh, Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve anëtare «të pranojnë se e drejta për t’i thënë jo shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje duhet parë si një ushtrim i ligjshëm i së drejtës së lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, e njohur nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut». Edhe pse Singapori ka qenë një nga vendet anëtare që në vitin 1965, ai është shprehur se në këtë pikë nuk pajtohet me Kombet e Bashkuara. Në një letër të datës 24 prill 2002 që i drejtohej Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, një zyrtar i qeverisë së Singaporit u shpreh se «atje ku bindjet ose veprimet e individit bien ndesh [me të drejtën e mbrojtjes së kombit], përparësi ka e drejta e shtetit për të ruajtur sigurinë kombëtare». Ai shkruante me terma të qartë: «Refuzimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje nuk e njohim si të drejtë universale.»

Tabela kronologjike

  1. 15 qershor 2018

    Gjithsej 10 Dëshmitarë të Jehovait janë në burg ngaqë refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

  2. Nëntor 2013

    18 Dëshmitarë janë të burgosur ngaqë refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.

  3. 24 prill 2002

    Një zyrtar i qeverisë konfirmon se Singapori nuk e njeh të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

  4. Shkurt 1995

    Rritet presioni i dhunshëm nga autoritetet dhe numri i të arrestuarve ndër Dëshmitarët e Jehovait që janë nënshtetas të Singaporit.

  5. 8 gusht 1994

    Gjykata e Lartë e Singaporit nuk pranon apelimin e Dëshmitarëve.

  6. 12 janar 1972

    Qeveria e Singaporit anulon njohjen ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait.