Ministria e Drejtësisë e Rusisë (Ministria) ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Lartë, në të cilën kërkon që «Qendra Administrative e Dëshmitarëve të Jehovait të shpallet organizatë fetare ekstremiste, të ndalohet veprimtaria e saj dhe të mbyllet plotësisht». Më 15 mars 2017 Gjykata e Lartë postoi një njoftim në sitin e saj zyrtar ku thuhej se kishte marrë këtë kërkesë nga Ministria. Pas kësaj, Gjykata e Lartë lajmëroi Qendrën Administrative se do të shqyrtojë kërkesën për mbylljen e saj dhe se ka caktuar një seancë dëgjimore për datën 5 prill 2017, ora 10.00 e paradites.

Nëse Gjykata e Lartë do të miratojë kërkesën e Ministrisë, për Dëshmitarët e Jehovait në Rusi do të ketë pasoja të rënda. Ata mund të humbasin pronat që përdorin për të adhuruar Perëndinë, mund të mbyllen gati 400 entet ligjore dhe secili prej më se 170.000 Dëshmitarëve mund të ndiqet penalisht vetëm se mblidhen për të adhuruar Zotin, lexojnë Biblën bashkë ose flasin me të tjerët për besimin e tyre.

Vasilij Kalini, përfaqësues i Qendrës Administrative në Rusi, u shpreh: «Çdo Dëshmitar i Jehovait në Rusi dëshiron me gjithë zemër vetëm t’i jepet mundësia të adhurojë Perëndinë në paqe. Për më se 100 vjet autoritetet në Rusi kanë shkelur ligjet e tyre, të cilat na garantojnë këtë të drejtë. Isha veçse djalosh kur Stalini na internoi si familje në Siberi vetëm se ishim Dëshmitarë të Jehovait. Është për të ardhur keq dhe turp që fëmijëve dhe nipërve e mbesave të mia mund t’u duhet të kalojnë të njëjtën gjë. S’e kisha imagjinuar kurrë se do të përjetonim sërish përndjekje fetare në Rusinë moderne.»