Më 16 janar 2017 Dëshmitarët e Jehovait në Rusi do të përpiqen sërish të kundërshtojnë kufizimet ndaj lirisë fetare që janë shtuar 10-vjeçarin e fundit. Ata do të kërkojnë nga Gjykata e Qytetit të Moskës që paralajmërimi kundër qendrës së tyre kombëtare të anulohet si i paligjshëm dhe i pathemeltë. Paralajmërimi që nxori zëvendësprokurori i përgjithshëm V. Grin më 2 mars 2016 kërcënon të mbyllë qendrën kombëtare të Dëshmitarëve nëse brenda një viti zbulohen prova të reja «ekstremizmi».

Në gjueti të ekstremizmit

Prokurorët rusë po keqpërdorin Ligjin Federal kundër Veprimtarive Ekstremiste që t’i akuzojnë Dëshmitarët e Jehovait për ekstremizëm. Pasi ligji u modifikua më 2006, në përkufizimin e ekstremizmit nuk u përfshi më nxitja e akteve të dhunës, por vetëm «nxitja . . . e përçarjes fetare». Ky përkufizim i gjerë i lejon autoritetet të cilësojnë si nxitje të armiqësisë fetare çdo gjë që kundërshton mësimet e feve tradicionale ose që mbështet një besim tjetër. Gregori Aleni, një avokat që po ndihmon Dëshmitarët të mbrojnë lirinë fetare në Rusi, pohoi: «Autoritetet ruse e përdorin këtë përkufizim të mjegullt që të cilësojnë si ‘ekstremist’ çdo besim fetar që nuk e konsiderojnë tradicional.»

Gjuetia për «ekstremizëm» në disa pakica fetare nisi në janar 2007 kur zëvendësprokurori i përgjithshëm i Federatës Ruse V. Grin u dërgoi një letër të gjitha zyrave të prokurorëve në vend. Kjo letër që nxiste për hetime, u bë shkëndija për më se 100 inspektime kundër organizatave fetare të Dëshmitarëve të Jehovait para mbarimit të vitit.

Sajohet grupi i parë i «provave»

Një prej hetimeve u krye në qytetin e Taganrogut, në bregun verilindor të Detit Azov. Ky hetim hodhi themelin për thuajse të gjitha akuzat e tjera për ekstremizëm kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Në tetor 2007 Zyra e Prokurorit të Rajonit të Rostovit përfundoi hetimin, nxori një paralajmërim kundër Organizatës Fetare Lokale (OFL) të Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog dhe vitin pasues paraqiti një padi për ta mbyllur OFL-në. Megjithatë, Zyra e Prokurorit nuk kishte prova që të mbështeste padinë dhe i kërkoi Gjykatës Rajonale të Rostovit të jepte urdhër për një «studim ekspertësh» të literaturës fetare të Dëshmitarëve të Jehovait.

Pavarësisht se Dëshmitarët kundërshtuan, gjykata jo vetëm autorizoi një «studim ekspertësh», por edhe refuzoi kërkesën e tyre për të paraqitur kërkime të pavarura. Në raportin e tyre ekspertët e caktuar nga gjykata arritën në përfundimin unanim se botimet fetare të Dëshmitarëve nuk nxitnin veprime armiqësore. Gjithsesi, gjykata u përqendrua në opinionet e ekspertëve se argumentimet teologjike në literaturën e Dëshmitarëve «mund të minonin respektin» për fetë e tjera.

Duke e zgjeruar më tej përkufizimin e «ekstremizmit», më 11 shtator 2009 Gjykata Rajonale e Rostovit vendosi të shpallte «ekstremiste» 34 botime të Dëshmitarëve, të cilat u përfshinë në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste (LFME). Gjithashtu, gjykata deklaroi «ekstremiste» OFL-në e Taganrogut dhe i urdhëroi autoritetet federale ta mbyllnin, të ndalonin aktivitetin e saj, ta vendosnin në listën e organizatave ekstremiste, t’i konfiskonin literaturën fetare dhe pronën t’ia kalonin Federatës Ruse. Më 8 dhjetor 2009 vendimi mbeti në fuqi ngaqë Gjykata e Lartë e Federatës Ruse mbështeti vendimin e mëparshëm. *

Deri në fillim të 2016-s, me vendime të ngjashme gjykate u shpallën «ekstremiste» 88 botime fetare dhe u mbyllën tri OFL. 18 OFL të tjera ishin nën hetim. Për më tepër, autoritetet federale ndaluan dhe bllokuan jw.org, sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait, ndaluan importimin e të gjitha botimeve të tyre fetare dhe e analizuan Biblën me imtësi si libër «ekstremist».

«Prova» për të goditur qendrën kombëtare

Në mars 2016 Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përdori «provat» e grumbulluara për të mbështetur paralajmërimin kundër qendrës kombëtare të Dëshmitarëve, e njohur si Qendra Administrative e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, e cila gjendet në afërsi të Shën-Pjetërburgut. Prokurori e lidhi Qendrën Administrative me literaturën e ndaluar fetare dhe me OFL-të e mbyllura ose me ato nën hetim, duke pohuar: «Ende po zbulohen gjurmë ekstremizmi në veprimtaritë e nënndarjeve të Qendrës Administrative.»

Pak pas paralajmërimit, Dëshmitarët i kërkuan anulimin e tij prokurorit të përgjithshëm të Federatës Ruse, Jurij Jakovleviç Çajkës. Ai jo vetëm nuk e anuloi, por arsyetoi se «argumentet për sajimin e provave dhe abuzimet e tjera që supozohet të kenë ndodhur gjatë inspektimeve nga forcat e rendit, nuk janë arsye e vlefshme për të anuluar paralajmërimin, sepse ky i fundit bazohet në vendime gjykate». Z. Alen vërejti: «Me sa duket, prokurori i përgjithshëm mendon se një gjykatë ruse mund të ligjërojë çdo provë të rreme që sajojnë policë të paskrupuj. Më kujtohet një vendim i gjykatës së Moskës që solli ndalimin e paligjshëm të Dëshmitarëve të Jehovait në këtë qytet, por që u rrëzua më pas nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.» *

Pas vendimit të prokurorit të përgjithshëm, Dëshmitarët paraqitën një ankesë kundër paralajmërimit në Gjykatën Krahinore të Tverskoit në Moskë. Më 12 tetor 2016 gjykatësja M. Moskalenko nuk lejoi asnjë dëshmitar a ekspert të dëshmonte në seancën dëgjimore dhe hodhi poshtë apelimin.

Ngaqë këto përpjekje dështuan, paralajmërimi mbetet në fuqi. Qendra Administrative rrezikon të mbyllet nëse Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm arrin të bindë gjykatat se (1) OFL-të e Dëshmitarëve kanë vazhduar të shkelin ligjin mbi ekstremizmin ose (2) se autoritetet kanë zbuluar «prova të reja që dëshmojnë për ekzistencën e gjurmëve të ekstremizmit» në aktivitetet e Dëshmitarëve brenda një viti nga nxjerrja e paralajmërimit.

Përshpejtohet sajimi i «provave të reja»

Autoritetet ruse i kanë shtuar përpjekjet për të shpikur qëllimisht «prova të reja» që kur doli paralajmërimi më 2 mars 2016. Nga më se 60 rastet që nga 2012-a, ekzistojnë 35 raste të dokumentuara ku autoritetet kanë sajuar një «krim», duke vendosur fshehurazi literaturë fetare që Dëshmitarët e Jehovait nuk e përdornin më. Kontrollet hetimore që gjejnë «provën», shpesh shoqërohen me veprime të dhunshme nga policia dhe forcat e saj speciale.

  • Më 28 korrik 2016 Dëshmitarët e Jehovait në Republikën e Karelisë i bastisën dy herë. Në Petrozavodsk, Forcat Speciale të Policisë, të armatosur e me maska, hynë në Sallën e Mbretërisë dhe ndërprenë një mbledhje adhurimi. Policia vendosi aty fshehurazi pesë libra Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe i «zbuloi» më vonë gjatë një kontrolli. Zyrtarët nuk u treguan Dëshmitarëve asnjë urdhër gjykate që autorizonte bastisjet dhe kontrollin. Në Kostomukshë, punonjës të Shërbimit të Sigurimit Federal (SHSF) dhe të Qendrës kundër Veprimtarive Ekstremiste ndërprenë një mbledhje fetare. Gjatë kontrollit në Sallën e Mbretërisë «gjetën» tri botime të Dëshmitarëve që bënin pjesë në listën e LFME-së.

  • Më 20 gusht 2016 forcat e rendit ndërprenë një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Majskijit, në Republikën e Kabardino-Balkarisë. Pasi i nxorën të gjithë me forcë nga Salla e Mbretërisë, «gjetën» botime që kishin vënë fshehurazi, të cilat ishin pjesë e LFME-së. Gjatë bastisjes autoritetet nuk paraqitën asnjë dokument apo autorizim.

  • Më 20 shtator 2016 Forcat Speciale të Policisë, të armatosur e me maska, shkuan herët në mëngjes në Sallën e Mbretërisë në Nezlobnajë, Territori i Stavropolit. Që të hynin në ndërtesë, prishën dyert dhe vendosën fshehurazi disa botime të Dëshmitarëve, pjesë e LFME-së. Policët i «zbuluan» këto botime gjatë kontrollit që pasoi.

Policët kapen duke vendosur fshehurazi botime në një dollap bosh në Sallën e Mbretërisë në Nezlobnajë, të cilat më vonë një inspektor i «zbuloi» si «prova»

Procesi i fajësimit

Që Dëshmitarët e Jehovait të akuzohen për ekstremizëm, zakonisht ndiqet e njëjta procedurë, si me OFL-në e Dëshmitarëve në qytetin e Birobidzhanit:

  1. Hapi 1: Forcat e rendit hyjnë në vendin e adhurimit të Dëshmitarëve dhe vendosin fshehurazi botimet e tyre fetare që bëjnë pjesë në LFME.

    Policia dhe SHSF-ja ndërprenë mbledhjen fetare të Dëshmitarëve të Jehovait me pretendimin se ishte e jashtëligjshme dhe thanë se do të kontrollonin për «materiale ekstremiste».

  2. Hapi 2: Forcat e rendit kontrollojnë godinën dhe «zbulojnë» botime të ndaluara.

    Policët «gjetën» 12 botime, të renditura në LFME. Më vonë Dëshmitarët kuptuan se një i panjohur kishte hyrë në godinë para mbledhjes dhe, me sa duket, kishte fshehur «provën».

  3. Hapi 3: Prokurori akuzon OFL-në e Dëshmitarëve të Jehovait ose drejtuesin e saj për shkelje administrative ngaqë shpërndan materiale ekstremiste, dhe i gjobit.

    Gjykata krahinore e shpalli fajtor drejtuesin e OFL-së për shkelje administrative dhe e gjobiti me 4.000 rubla (66.88 dollarë amerikanë).

  4. Hapi 4: Prokurori paralajmëron OFL-në të mos përsëritë «shkeljen» brenda 12 muajsh.

    Prokurori nxori një paralajmërim që ndalonte përfshirjen në «veprimtari ekstremiste».

  5. Hapi 5: Pak kohë më vonë forcat e rendit kthehen te vendi i adhurimit, vendosin sërish fshehurazi botime të ndaluara dhe më pas i «gjejnë» gjatë kontrollit.

    Policët ndërprenë një mbledhje fetare që të kontrollonin për «materiale ekstremiste». Megjithatë, Dëshmitarët kishin kontrolluar para mbledhjes, kishin gjetur literaturën e fshehur dhe e kishin hequr, kështu që në tetor 2015 kjo përpjekje dështoi. Më 21 janar 2016 policët ishin përgatitur më mirë. Forcat speciale, policia dhe SHSF-ja ndërprenë sërish një mbledhje fetare të Dëshmitarëve të Jehovait dhe thanë se do të kontrollonin për «materiale ekstremiste». Një nga Dëshmitarët e Jehovait pa një polic që mbante në dorë një pako me literaturë. Një tjetër polic kontrolloi një zonë tashmë të kontrolluar, por kësaj here pa praninë e dëshmitarëve okularë dhe «gjeti» pakon e literaturës.

  6. Hapi 6: Bazuar në «provat e reja» për veprimtari ekstremiste, zyra e prokurorit ose Ministria e Drejtësisë ngre padi në gjykatë për të mbyllur OFL-në.

    Gjykata krahinore e shpalli drejtuesin e OFL-së fajtor për shkelje administrative dhe e gjobiti me 3.000 rubla (50.16 dollarë amerikanë). Më 3 tetor 2016 gjykata rajonale shpalli «se ishin zbuluar prova të reja që dëshmonin për gjurmë ekstremizmi në veprimtarinë e OFL-së» e si pasojë e deklaroi «ekstremiste» OFL-në e Birobidzhanit, ndaloi veprimtaritë e saj dhe urdhëroi të mbyllej.

Si hap i fundit në këtë proces, Gjykata e Lartë e Federatës Ruse ka lënë në fuqi vendimet e gjykatave për të mbyllur OFL-të e Dëshmitarëve si «organizata ekstremiste». OFL-të e mbyllura së fundmi janë të Belgorodit, të Starij-Oskolit, të Elistës dhe të Orelit. Apeli i Dëshmitarëve për të mbrojtur OFL-në e Birobidzhanit është ende pezull në Gjykatën e Lartë.

Ç’do të thotë e gjithë kjo? Kur do të marrë fund?

Vasilij Kalini, një përfaqësues i Qendrës Administrative, kujton kohën kur familja e tij ishte internuar në Siberi gjatë periudhës sovjetike si pasojë e përndjekjes fetare: «Ndërsa rritesha, autoritetet vinin në çdo kohë në shtëpitë e Dëshmitarëve që të kontrollonin për botime fetare. Ama, kurrë nuk fshehën botime nëpër shtëpitë tona që t’i gjenin më vonë. Kjo taktikë e re nga forcat e rendit në Rusi tregon se ata ende nuk mund të gjejnë asnjë provë konkrete për t’i akuzuar Dëshmitarët e Jehovait për veprimtari të jashtëligjshme.»

Më 16 janar 2017 pritet që Gjykata e Qytetit të Moskës të dëgjojë apelimin e Dëshmitarëve të Jehovait kundër paralajmërimit të prokurorit të përgjithshëm dhe të marrë një vendim. A do ta pranojë se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka asnjë bazë që ta akuzojë Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait për veprimtari ekstremiste dhe ta anulojë paralajmërimin? Dëshmitarët e Jehovait dhe njerëzit që vlerësojnë të drejtat e njeriut në Rusi e përreth botës, shpresojnë se po.

^ par. 9 Vendimi i Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse u shkaktoi një sërë problemesh Dëshmitarëve. Raportimi i 1.126 incidenteve që ndodhën nga 8 dhjetori 2009 deri më 26 prill 2012 tregojnë se Dëshmitarët e Jehovait ishin objekt ngacmimi e sulmi gjatë veprimtarive të tyre fetare, ndalimesh e kontrollesh nga forcat ruse të rendit, ndërsa vendet e tyre të adhurimit, objekt vandalizmi.

^ par. 13 Më 1995 nisi një seri veprimesh penale dhe civile për të ndaluar Dëshmitarët e Jehovait në Moskë, të cilat kanë dështuar vazhdimisht për mungesë provash. Megjithatë, në mars 2004 Gjykata Krahinore e Golovinskijit mori një vendim bazuar në një «studim ekspertësh» për të shpërbërë Komunitetin Fetar të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë dhe për të ndaluar veprimtaritë e tyre. Në vendimin e 10 qershorit 2010 Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut tha se Federata Ruse kishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme tek e drejta e lirisë së fesë dhe te veprimtaritë e shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait, dhe e detyroi qeverinë të ndreqte pasojat e veprimeve të saj.