Më 12 nëntor 2014, Gjykata e Lartë e Federatës Ruse la në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët që shpalli se Organizata Fetare Lokale (OFL) e Dëshmitarëve të Jehovait në Samara është ekstremiste. Prokuroria e Samarës hapi çështjen kundër OFL-së në Samarë në 2014-n, pasi forcat e rendit kontrolluan godinat që Dëshmitarët kishin marrë me qira për të mbajtur mbledhje fetare dhe «gjetën» një grusht botimesh të tyre që ishin ndaluar në gjithë Rusinë. Këto botime ishin shpallur që më përpara si ekstremiste nga gjykatat ruse dhe ishin vendosur në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste të Ministrisë së Drejtësisë. * Megjithatë, Dëshmitarët në Samarë tashmë i kishin respektuar këto vendime të gjykatave ruse dhe i kishin hequr botimet nga godinat që kishin marrë me qira për të adhuruar.

Dëshmitarët argumentuan para gjykatës më të ulët dhe në Gjykatën e Lartë se gjatë kontrollit policia e kishte vënë fshehurazi literaturën e ndaluar si pretekst për të ngritur akuza. Gjithashtu, Dëshmitarët shpjeguan se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut aktualisht po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të mëparshme të gjykatave ruse që kishin ndaluar disa botime të tyre. Përveç kësaj, Dëshmitarët argumentuan se edhe sikur akuzat e prokurorisë së Samarës të ishin të vërteta, pra se ata kishin mbajtur literaturë të ndaluar, ndëshkimi për një shkelje të tillë të vogël ishte i tepruar. Mbajtja e literaturës së ndaluar është shkelje administrative që ndëshkohet me gjobë ose me pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të OFL-së, e jo me masën e ashpër të mbylljes së aktivitetit. Megjithatë, Gjykata e Lartë i hodhi poshtë këto argumente.

Mbyllja e një enti ligjor​—A është një hap më afër ndjekja penale?

Për mbylljen e OFL-së së Samarës po ndiqet i njëjti model si ai i çështjes që u ngrit në qytetin Taganrog, ku Gjykata Rajonale në Rostov mbylli OFL-në në 2009-n mbi akuzat për ekstremizëm. Si pasojë, organet e rendit të Taganrogut e interpretuan këtë vendim si ndalim de facto të aktivitetit fetar të Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë. Gjashtëmbëdhjetë Dëshmitarë në Taganrog u ndoqën penalisht më 2013 thjesht ngaqë ishin mbledhur për të adhuruar Perëndinë​—të njëjtën gjë që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën, duke përfshirë edhe Samarën. Shtatë Dëshmitarëve iu vunë gjoba të rënda; katër prej tyre, që janë pleq kongregacioni, iu dhanë edhe dënime afatgjata me burg. Gjithsesi, gjykatësi i tërhoqi dënimet me gjobë sepse hetimi dhe procesi gjyqësor ishin parashkruar, pra u kishte kaluar afati ligjor, si edhe i pezulloi dënimet me burg. Dëshmitarët i kanë apeluar këto vendime dhe më 12 dhjetor 2014, Gjykata Rajonale e Rostovit urdhëroi një proces të ri gjyqësor me një gjykatës tjetër.

Të 1.500 Dëshmitarët e Jehovait që jetojnë në rajonin e Samarës tani rrezikojnë të ndiqen penalisht thjesht ngaqë praktikojnë adhurimin e tyre. Ku do të çojë e gjithë kjo? Autoritetet ruse po bëjnë hetime të ngjashme të OFL-ve të Dëshmitarëve në zona të ndryshme të vendit. Mbetet për t’u parë si do të ndikojnë këto akte shtypëse nga ana e shtetit te pothuajse 180.000 Dëshmitarët që jetojnë në Rusi. Gjithsesi, me vendimin e saj, Gjykata e Lartë vendos një precedent të rrezikshëm që kërcënon lirinë e Dëshmitarëve të Jehovait dhe të pakicave të tjera fetare në Rusi.

^ par. 2 Deri më sot, 73 botime fetare të Dëshmitarëve të Jehovait janë vendosur në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Mes literaturës fetare që gjetën në godinën e marrë me qira nga OFL-ja e Samarës ishte libri Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë. Ai është botuar në 158 gjuhë dhe në mbarë botën janë shpërndarë 23.970.207 kopje. Një libër tjetër që zbuluan ishte Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar në 166 gjuhë me 100.944.355 kopje të shpërndara në mbarë botën. Dëshmitarët e Jehovait kanë paraqitur kërkesa në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nëpërmjet të cilave kundërshtojnë vendimet e gjykatave ruse që i kanë shpallur botimet e tyre ekstremiste.