Një gjykatë apeli la në fuqi vendimin e mëparshëm të një gjykate që shpalli botim «ekstremist» Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ruse. Vendimi tashmë ka hyrë në fuqi, duke konfirmuar se kjo Bibël është e ndaluar e së shpejti do të futet në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Tani kushdo që shpërndan Përkthimin Bota e Re kryen vepër penale. Madje, kush ka një kopje personale, rrezikon një gjobë të majme, ose edhe më keq.

Gjykata shpërfill mungesën e provave gjatë dëshmisë së «ekspertëve»

Më 20 dhjetor 2017 Gjykata Rajonale e Leningradit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Qytetit të Viborgut ndonëse as prokurori dhe as «ekspertët» e caktuar nga gjykata nuk ishin në gjendje të tregonin arsyet pse po e shpallnin «ekstremist» Përkthimin Bota e Re. Vendimet e gjykatës u bazuan në një «ekspertizë» të vetme që e kritikonte këtë përkthim modern të Biblës në rusisht.

Paneli me tre gjyqtarë i gjykatës rajonale e pranoi se në këtë studim të Përkthimit Bota e Re kishte mospërputhje dhe kërkoi të merreshin në pyetje «ekspertët» që kishin bërë studimin. Kur kryetarja e trupit gjykues, Larisa Gorbatova, pyeti znj. Krykova, drejtuese e studimit, nëse Përkthimi Bota e Re ishte Bibël, ajo u përgjigj se nuk ishte Bibël «sipas pikëpamjes tradicionale të Kishës Ortodokse». Kur një nga avokatët mbrojtës i kërkoi të citonte qoftë edhe një varg të këtij përkthimi që përmbante gjurmë ekstremizmi, znj. Krykova nuk arriti të përgjigjej. Pastaj, gjykatësja Gorbatova pyeti znj. Krykova se pse ky përkthim ishte ekstremist, por ajo s’pranoi të përgjigjej, duke thënë se kjo ishte «pyetje ligjore».

Kur një nga avokatët mbrojtës pyeti se mbi ç’kritere u përcaktua nëse Përkthimi Bota e Re është Bibël, znj. Krykova tha se ai duhej të kishte «bekimin e patriarkut» ose të ishte fjalë për fjalë si një përkthim tjetër që e kishte këtë bekim. Më pas, znj. Krykova e pyetën pse ky studim arriti në përfundimin se Përkthimi Bota e Re «nuk ishte përkthim i pranueshëm». As ajo dhe as «ekspertët» e tjerë nuk arritën të paraqitnin ndonjë kriter objektiv, prandaj gjykata mbaroi me pyetjet drejtuar «ekspertëve».

Pastaj, avokatët e Dëshmitarëve i kërkuan gjykatës të pranonte prova që demaskonin anshmërinë e «ekspertëve», si faktin që ky studim përmbante shumë materiale nga Wikipedia dhe nga një student i një seminari ortodoks. Gjykatësit e pranuan këtë kërkesë, ama hodhën poshtë të gjitha kërkesat e tjera për të rishqyrtuar Përkthimin Bota e Re nga ekspertë të vërtetë dhe për të hapur sërish çështjen.

Për ç’qëllim po sulmohet Bibla?

Gjatë argumenteve mbyllëse, një avokat i Dëshmitarëve pyeti gjykatën: «Cili është qëllimi i ligjshëm i prokurorisë? Çfarë po përpiqet të arrijë? Do që qindra mijë shtetas që flasin rusisht e që lexojnë këtë Bibël ta djegin? Apo që t’i ndjekë penalisht nëse nuk duan ta djegin?»

Shumë Dëshmitarë të Jehovait në Rusi janë në ankth për shkak të masave të ekzagjeruara që kanë marrë autoritetet për të zbatuar vendimet e mëparshme që i deklaruan «ekstremiste» botimet e Dëshmitarëve. Edhe pse legjislacioni rus për ekstremizmin ndalon shpërndarjen e materialeve ose ruajtjen e tyre në sasi të mëdha me qëllim shpërndarjen, policia ka shkuar përtej kufijve të këtij ligji. Ata kanë kontrolluar shtëpitë e Dëshmitarëve dhe kanë ngritur kundër tyre padi administrative vetëm ngaqë kanë gjetur disa botime për përdorim personal. Për më tepër, në një përpjekje të dëshpëruar për të sajuar prova, autoritetet vendosën kastile disa nga botimet e ndaluara të Dëshmitarëve në vendet e tyre të adhurimit. Pastaj, «zbulimin» e literaturës e përdorën si bazë për të mbyllur entet ligjore të Dëshmitarëve e për t’i ndjekur penalisht.

A do të vazhdojnë të kryhen kontrolle edhe më agresive në shtëpitë e Dëshmitarëve? A do të ngrihen padi administrative ose penale kundër tyre vetëm sepse mbajnë një kopje personale të Përkthimit Bota e Re? Mbetet për t’u parë si do ta përdorin autoritetet ruse këtë vendim si armën e radhës për të shtypur lirinë fetare të Dëshmitarëve.