Dëshmitarët e Jehovait në mbarë vendin po përballen me pasojat e rënda të vendimit që dha Gjykata e Lartë Ruse më 20 prill 2017. Autoritetet po shkelin liritë themelore të Dëshmitarëve ndërsa veprimtaritë e tyre fetare i konsiderojnë kriminale. Njëkohësisht, disa shtetas rusë e shohin këtë vendim si autorizim që t’i diskriminojnë Dëshmitarët e për shkak të urrejtjes, të kryejnë akte kriminale ndaj tyre.

Qeveria ruse kufizon dhe shkel të drejtat e njeriut

Denis Kristensen

Akuza penale ndaj atyre që marrin drejtimin

  • Në 25 maj, policia bastisi një mbledhje fetare të kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol. Ata arrestuan Denis Kristensenin, një shtetas danez i cili shërben si plak në kongregacionin e Oriolit. Ai do të mbahet në paraburgim deri në 23 korrik, ndërkohë që prokurori po përpiqet të gjejë prova që ta padisë për «veprimtari ekstremiste». Nëse shpallet fajtor, z. Kristensen mund të dënohet me 6-10 vite burg.

Organizatat Fetare Lokale paralajmërohen zyrtarisht

  • Në 4 maj, zyra e prokurorit nxori një paralajmërim për drejtuesin e Organizatës Fetare Lokale (OFL) të Krimskist. Në paralajmërim thuhej se drejtuesi dhe anëtarët e OFL-së mund të përballen me akuza penale dhe administrative ngaqë organizojnë mbledhje fetare.

  • Që prej vendimit të Gjykatës së Lartë, paralajmërime të ngjashme kanë marrë të paktën edhe pesë OFL të tjera.

Policia bastis mbledhjet fetare

  • Në 22 prill, policia hyri në një vend adhurimi të Dëshmitarëve në Xhankoi, në Republikën e Krimesë, ndërkohë që po mbaronte mbledhja. Policët këmbëngulën se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Dëshmitarët nuk kishin të drejtë të mblidheshin së bashku për të adhuruar Zotin. Kontrolluan ndërtesën dhe pastaj e mbyllën, që të mos përdorej më për mbledhje fetare.

  • Që prej vendimit të Gjykatës së Lartë, në të paktën pesë raste të tjera, policia ka ndërprerë mbledhjet fetare të Dëshmitarëve, një prej të cilave po mbahej në një shtëpi private.

«Jam shumë i shqetësuar që veprimtaritë paqësore të komunitetit të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi në mënyrë të pajustifikueshme konsiderohen kriminale. . . . U bëj thirrje autoriteteve ruse t’i garantojnë komunitetit të Dëshmitarëve të Jehovait të drejtat e lirisë së fesë e të besimit, lirisë së mendimit e të shprehjes, lirisë për t’u mbledhur paqësisht e për t’u organizuar ligjërisht, në përputhje me detyrimet e vendit sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe angazhimet në OSBE [Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë].»—Majkëll Xhorxh Link, Drejtor i Zyrës për Institucionet Demokratike dhe për të Drejtat e Njeriut pranë OSBE-së.

Nxënësit Dëshmitarë vihen në shënjestër

  • Në 24 prill, në Bezvodnoje, fshat në rajonin e Kirovit, një mësuese ofendoi rëndë dy nxënëse, mamaja e të cilave është Dëshmitare e Jehovait. Mësuesja e justifikoi sjelljen e saj duke u shprehur se Dëshmitarët janë të ndaluar në Rusi.

  • Në 17 maj, në rajonin e Moskës, një drejtor shkolle u dha paralajmërim me shkrim prindërve të një nxënësi 8 vjeç, që i kishte folur një shoku të klasës për Zotin. Në të përmendej vendimi i Gjykatës së Lartë dhe se në mjediset e shkollës ishte i ndaluar «çdo veprim që nuk kishte lidhje me procesin mësimor». Drejtori kërcënoi se do ta raportonte çështjen në polici dhe «se do të propozonte që fëmija të merrte një lloj tjetër edukimi».

Burrave Dëshmitarë u mohohet shërbimi alternativ civil

  • Në 28 prill, Komisioni i Rekrutimit për rajonet e Çeboksarit dhe të Marposadskijit i refuzoi një Dëshmitari të Jehovait kërkesën për shërbim alternativ. Komisioni tha se Dëshmitarët e Jehovait janë «ekstremistë» dhe nuk mund të kryejnë shërbim alternativ.

  • Kërkesa për shërbim alternativ civil u është refuzuar të paktën edhe dy Dëshmitarëve të tjerë.

Filip Bramli, kryekëshilltar për çështjet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, nxori në pah sa kontradiktor është qëndrimi i qeverisë: «Nga njëra anë qeveria u refuzon shërbimin alternativ civil të rinjve Dëshmitarë ngaqë i konsideron ‘ekstremistë’, ndërsa nga ana tjetër urdhëron që këta ‘ekstremistë’ të futen në ushtri. A është normale që qeveria t’i lejojë ‘ekstremistët’ në ushtri?»

Keqtrajtim dhe diskriminim social

Akte dhune kundër Dëshmitarëve

  • Në 30 prill, në Lutsino, në rajonin e Moskës, u dogj plotësisht shtëpia e një familjeje Dëshmitarësh, si edhe shtëpia ngjitur e prindërve të tyre të moshuar. Fillimisht zjarrvënësi kishte shprehur urrejtje për fenë së cilës i përkiste familja dhe pastaj i kishte vënë zjarrin shtëpisë.

  • Në 24 maj, në Zheshart, në Republikën e Komit, zjarrvënësit dëmtuan rëndë një ndërtesë që Dëshmitarët e Jehovait e përdornin për mbledhje fetare.

    Sallë Mbretërie e dëmtuar nga një zjarrvënie e qëllimshme në Zheshart

  • Të paktën nëntë vende të tjera adhurimi janë vandalizuar që nga vendimi i Gjykatës së Lartë më 20 prill 2017.

  • Në 26 prill, një Dëshmitar i Jehovait në Belgorod, po largohej nga shtëpia teksa një burrë bërtiti: «Ju jeni të ndaluar!» dhe pastaj nisi ta rrihte.

  • Në 11 maj, një grup burrash ndërprenë një mbledhje fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Tjumen dhe duke përdorur një të folur fyes e të ndyrë i kërcënuan të pranishmit.

Dëshmitarët i heqin nga puna

  • Në 15 maj, drejtuesit e një fabrike kimike në Dorogobuzh, në rajonin e Smolenskut, hoqën nga puna të gjithë punëtorët Dëshmitarë të Jehovait. Drejtuesit shpjeguan se kishin marrë urdhër nga Shërbimi i Sigurimit Federal të pushonin nga puna të gjithë Dëshmitarët, pasi «ekstremistët» nuk mund të punojnë në fabrikë.

  • Që nga vendimi i Gjykatës së Lartë, në të paktën tri raste të tjera, punonjësit Dëshmitarë janë kërcënuar me pushim nga puna meqë i përkasin një feje «ekstremiste». Në Jashkino, fshat në rajonin e Kemerovos, policia i bëri presion një Dëshmitareje që t’u jepte informacion për Dëshmitarë të tjerë, por ajo refuzoi. Policët i thanë se ishte e paligjshme të bëje pjesë në një fe të ndaluar dhe i krahasuan Dëshmitarët e Jehovait me terroristët e ISIS.

Të shqetësuar për mirëqenien e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi

Në 10 vitet që i paraprinë vendimit të Gjykatës së Lartë, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi ishin viktima të një sulmi të nxitur nga qeveria kundër lirisë së tyre fetare që i bëri objekt përndjekjeje. Si rezultat i këtij vendimi ata janë edhe më të pasigurt. Vendimi ka hedhur baltë mbi reputacionin e Dëshmitarëve dhe i ka inkurajuar disa individë dhe autoritete qeveritare të sillen edhe më ashpër, siç ilustrohet nga këto incidente të ndodhura rishtas. Dëshmitarët e Jehovait në çdo cep të globit janë jashtëzakonisht të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me bashkëbesimtarët në Rusi, nëse kur të shqyrtojë çështjen më 17 korrik 2017, Dhoma e Apelit e Gjykatës së Lartë lë në fuqi vendimin.

Z. Bramli u shpreh: «Askush s’ka paraqitur as provën më të vogël që lidh në ndonjë mënyrë Dëshmitarët e Jehovait me ekstremizmin. ‘Rreziku’ që akuzohen se paraqesin për shoqërinë nuk e justifikon aspak përndjekjen që kanë përjetuar Dëshmitarët. Rusia duhet të rishqyrtojë veprimet kundër Dëshmitarëve të Jehovait nën dritën e kushtetutës së saj dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare që garantojnë lirinë fetare.»