Autoritetet ruse po intensifikojnë sulmet kundër Dëshmitarëve të Jehovait me anë të një fushate terrori që na kujton epokën sovjetike. Deri më 29 gusht 2018, autoritetet kanë futur në paraburgim 25 Dëshmitarë, ndërsa në arrest shtëpie 9 të tjerë, duke i akuzuar për organizim, për pjesëmarrje ose për financim të veprimtarisë së një organizate «ekstremiste». Në korrik, autoritetet në Omsk, për herë të parë futën në paraburgim një Dëshmitare, duke vendosur kështu një precedent alarmues.

Për të justifikuar veprimet e tyre, autoritetet përmendin vendimin e marrë në prill 2017 që mbylli entet ligjore të Dëshmitarëve dhe keqzbatojnë nenin 282 të Kodit Penal. E vërteta është se Dëshmitarët e Jehovait ndiqen penalisht për shkak të adhurimit të tyre paqësor. Nëse shpallen fajtorë, disa të arrestuar rrezikojnë deri në 10 vjet burg.

Që nga shkurti i 2018-s, forcat e rendit kanë ndjekur një skemë standarde për arrestimin dhe paraburgimin e Dëshmitarëve të Jehovait. Si fillim, policë të armatosur rëndë hyjnë me forcë në shtëpitë e Dëshmitarëve. Shpesh u drejtojnë armët në kokë pjesëtarëve të familjes—edhe fëmijëve e të moshuarve—dhe i detyrojnë të ulen përtokë. Ndërsa kontrollojnë shtëpitë, konfiskojnë sendet personale, pastaj çojnë në rajon disa Dëshmitarë që t’i marrin në pyetje. Hetuesit, pa pasur prova, ngrenë akuza penale kundër disave për «veprimtari ekstremiste» dhe u kërkojnë gjykatave t’i futin në paraburgim. Sapo i futin në paraburgim Dëshmitarët, prokurorët u kërkojnë gjykatave t’ua zgjatin periudhën e paraburgimit dhe, zakonisht, gjykatat ua plotësojnë kërkesat.

Arrestimi dhe burgosja e padrejtë e Denis Kristensenit

Më 25 maj 2017, policë të armatosur rëndë dhe agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal hynë me forcë në një mbledhje javore fetare e paqësore të Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol (i njohur edhe si Orel), Rusi. Ata arrestuan, morën në pyetje dhe burgosën një nga të pranishmit, Denis Kristensenin, një shtetas danez. E ndoqën penalisht për rolin që ka në mbledhjet fetare të kongregacionit nën akuzat e rreme për organizim të veprimtarive të një organizate «ekstremiste».

Pavarësisht nga apelimet e tij, Gjykata e Krahinës së Sovjetskit ka urdhëruar në mënyrë të përsëritur që z. Kristensen të mbahet në paraburgim. Më 22 shkurt 2018, Gjykata e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Oriol e zgjati periudhën e tij të paraburgimit deri më 1 gusht 2018. Ambasada daneze në Moskë u njoftua menjëherë për arrestimin e z. Kristensen, meqë ai është shtetas danez. Zyrtarë danezë e kanë vizituar në burg dhe e kanë ndjekur nga afër çështjen e tij.

Gjyqi penal i z. Kristensen nisi më 26 shkurt 2018 dhe, pas 20 seancash gjyqësore, është planifikuar të vazhdojë në shtator.

Vazhdojnë përpjekjet për t’u dhënë fund burgosjeve të padrejta

Rritja e ndjeshme e përndjekjes ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi tregon se autoritetet synojnë jo vetëm që t’u mbyllin entet ligjore, por edhe t’u mohojnë të drejtën për të adhuruar. Deri tani avokatët e këtyre Dëshmitarëve të pafajshëm nuk ia kanë dalë t’u japin fund burgosjeve të padrejta dhe kanë paraqitur ankesa pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, si dhe kanë dorëzuar kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Dëshmitarët e Jehovait në gjithë botën shpresojnë që gjykatat ndërkombëtare të veprojnë shpejt, që të ndalojnë sulmet e Rusisë kundër lirisë së fesë.

Tabelë kronologjike

  1. 29 gusht 2018

    Janë të burgosur gjithsej 25 Dëshmitarë.

  2. 15 gusht 2018

    Gjykata Rajonale e Oriolit la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së ulët për t’ia zgjatur paraburgimin Denis Kristensenit deri më 1 nëntor 2018.

  3. 3 gusht 2018

    Gjykata e Krahinës së Leninskit në Orenburg vendosi të nxjerrë Vladimir Koçnëvin dhe Aleksandër Suvorovin nga paraburgimi dhe i vuri në arrest shtëpie.

    Gjykata Krahinore e Magadanit vendosi të nxjerrë nga paraburgimi Konstantin Petrovin dhe e vuri në arrest shtëpie.

  4. 2 gusht 2018

    Policia dhe oficerët e SHSF-së bastisën shtëpi në Habarovsk, arrestuan Valeri Moskalenkon dhe e futën në paraburgim.

  5. 28 korrik 2018

    Policia bastisi shtëpinë e mamasë së moshuar të Dimitri Barmakinit dhe e arrestoi Dimitrin. Atë e futën në paraburgim.

  6. 25 korrik 2018

    Policë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Gardës Kombëtare të Rusisë bastisën shtëpi në Kostromë dhe arrestuan Sergei Rajmanin. Atë e futën në paraburgim.

  7. 22 korrik 2018

    Policë dhe agjentë të SHSF-së bastisën disa shtëpi në Berezovski dhe arrestuan Sergei Britvinin dhe Vadim Levçukun. Të dy janë në paraburgim.

  8. 15 korrik 2018

    Policia ushtroi kontrolle në shtëpitë e disa Dëshmitarëve në Penzë dhe arrestoi Vladimir Alushkinin, i cili është në paraburgim.

  9. 4 korrik 2018

    Policia bastisi disa shtëpi në Omsk. Arrestoi dhe futi në paraburgim Sergei dhe Anastasia Poliakovin.

  10. 3 korrik 2018

    Policia arrestoi Andrei Stupnikovin në një aeroport në Krasnojarsk dhe e futi në paraburgim.

  11. Korrik 2018

    Vazhdoi gjyqi i Denis Kristensenit në Gjykatën e Krahinës së Zhileznadarozhnit, me gjyqtar Aleksei Rudnevin.

  12. 12 qershor 2018

    Policia bastisi disa shtëpi në Saratov dhe arrestoi e futi në paraburgim Konstantin Bazhenovin, Feliks Mahamedievin dhe Aleksei Budençukun.

  13. Në fillim të qershorit 2018

    Policia bastisi disa shtëpi në Tomsk dhe Pskov. Arrestoi e paraburgosi Sergei Klimovin.

  14. 29 maj 2018

    Autoritetet ngritën akuza të tjera ndaj Dimitri Mihajlovit, të cilin e arrestuan për herë të dytë. Pak ditë më vonë e futën në paraburgim.

  15. Maj 2018

    Policia bastisi disa shtëpi në Orenburg, Birobidzhan, Perm, Naberezhni-Çelni, Magadan dhe Habarovsk. Arrestuan dhe futën në burg 10 Dëshmitarë: Aleksandër Suvorovi, Vladimir Koçnëvi, Ilham Karimovi, Konstantin Matrashovi, Vladimir Miakushini, Ajdar Julmetievi, Ivan Pujda, Konstantin Petrovi, Jevgeni Ziablovi dhe Sergei Jerkini. Të gjithë janë lënë në paraburgim.

  16. Prill 2018

    Policia bastisi disa shtëpi në Ufë, Poliarni, Vladivostok dhe Shujë. Arrestuan e paraburgosën Anatoli Vilitkeviçin, Roman Markinin, Viktor Trofimovin dhe Valentin Osadçukun. Arrestuan Dimitri Mihajlovin dhe nuk i lejohet të dalë jashtë Shujës. Më 21 qershor 2018, z. Vilitkeviç e liruan dhe e vunë në arrest shtëpie.

  17. 26 shkurt 2018

    Filloi gjyqi i Denis Kristensenit në Gjykatën e Krahinës së Zhileznadarozhnit, me gjyqtar Aleksei Rudnevin.

  18. 20 korrik 2017–22 shkurt 2018

    Periudha e paraburgimit e Denis Kristensenit u zgjat tri herë: dy herë nga Gjykata e Krahinës së Sovjetskit dhe një herë nga Gjykata e Krahinës së Zhileznadarozhnit. Do të rrijë në paraburgim deri më 1 nëntor 2018.

  19. 26 maj 2017

    Gjykata e Krahinës së Sovjetskit në Oriol dënoi me dy muaj paraburgim Denis Kristensenin.

  20. 25 maj 2017

    Policia bastisi mbledhjet fetare në Oriol dhe arrestoi Denis Kristensenin.