Gjatë muajit të kaluar autoritetet ruse kanë intensifikuar fushatën e terrorit, duke arrestuar e burgosur më shumë Dëshmitarë të Jehovait, nën petkun e luftës kundër ekstremizmit. Policia ka bastisur shtëpi në Birobidzhan, Habarovsk, Magadan, Orenburg, Naberezhni-Çelni, Perm, Pskov, Saratov dhe Tomsk. Ata arrestuan 15 Dëshmitarë të tjerë, duke e çuar në 20 numrin e burrave të paraburgosur. Dy të tjerë po mbahen në arrest shtëpie. Të paktën 15 Dëshmitarëve, disa në të 70-at dhe në të 80-at, u është kërkuar të firmosin një marrëveshje për të mos u larguar nga zona ku jetojnë. Deri më 14 qershor 2018, autoritetet ruse kishin ngritur akuza penale për më tepër se 40 Dëshmitarë. Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë të dënohen deri në 10 vjet burg.

Vende ku ka pasur bastisje në Rusi

Qeveria ruse ka shkelur me të dyja këmbët premtimin që bëri në gjyqin me dyer të hapura. Ajo garantoi se mbyllja e enteve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait nuk do të cenonte të drejtën e individëve për të praktikuar besimin. Rusia e ka shpërfillur plotësisht këtë premtim dhe po keqpërdor nenin 282 të Kodit Penal që t’i akuzojë Dëshmitarët për pjesëmarrje, organizim ose financim të një organizate «ekstremiste». Faktikisht, në vend që të luftojë ekstremizmin, Rusia po përndjek shtetasit e vet vetëm ngaqë adhurojnë Perëndinë paqësisht.

Bastisjet, arrestimet dhe burgosjet më të fundit

12 qershor 2018, Saratov. Policia bastisi e kontrolloi disa shtëpi të Dëshmitarëve dhe çoi në rajon të paktën 10 Dëshmitarë për t’i marrë në pyetje. Në një prej shtëpive, policët vendosën fshehurazi botime fetare të ndaluara nga gjykatat ruse dhe arrestuan 5 Dëshmitarë. Më vonë liruan 2 prej tyre, ndërsa 3 të tjerët i mbajtën nën arrest. Policia akuzoi «për organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste» Konstantin Bazhenovin dhe Feliks Mahamedievin. Akuza penale kundër Dëshmitarit të tretë, Aleksei Budençukut, nuk dihet ende. Më 14 qershor 2018, Gjykata e Krahinës së Frunzinskit në Saratov vendosi të linte në paraburgim z. Bazhenovi dhe z. Mahamedievi deri në 12 gusht 2018. E njëjta gjykatë vendosi të linte në paraburgim z. Budençuku, por nuk dihet për sa kohë. Përveç kësaj, policia detyroi një Dëshmitar tjetër të firmoste një marrëveshje për të mos u larguar nga zona.

3 qershor 2018, Tomsk. Në 10 të mëngjesit, policë dhe pjesëtarë të Forcave Speciale Ushtarake Ruse (Spetsnas) bastisën 2 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Tomsk, Siberi. Ata ndaluan rreth 30 Dëshmitarë, mes tyre edhe një grua 83-vjeçare. Policët u konfiskuan sende personale nga shtëpitë dhe nga automjetet, i hipën nëpër autobusë dhe i çuan në Qendrën e Luftës kundër Ekstremizmit.

Në këtë qendër, hetuesit Ivan Vidrencivi, Aleksandër Ivanovi dhe Viçislav Lebidivi u treguan mjaft agresivë, teksa morën në pyetje disa prej Dëshmitarëve deri në 2 të mëngjesit pasues. Hetuesit kërcënuan një prej të ndaluarve se do ta pushonin nga puna. Gjatë hetimit, në qendër erdhën disa herë ambulanca dhe të paktën një nga Dëshmitarët u shtrua në spital.

Policia futi në paraburgim Sergei Klimovin, një prej të ndaluarve. Më 5 qershor, Gjykata e Krahinës së Oktiabërskit në Tomsk urdhëroi të mbahej në paraburgim deri më 4 gusht 2018, nën akuzën «për organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste». Gjykatësi hodhi poshtë kërkesat që Sergei të kalonte në arrest shtëpie ose të lirohej duke paguar garancinë.

3 qershor 2018, Pskov. Forcat e rendit bastisën disa shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Pskov. Në njërën nuk i lejuan të pranishmit të largoheshin dhe morën në pyetje secilin, ndër ta edhe dy mysafirë që nuk janë Dëshmitarë. Disa Dëshmitarë, mes tyre edhe Xhinadi Shpakovskin, i çuan për t’i marrë në pyetje në Qendrën Rajonale të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB), në Pskov. Në rajonin e policisë disave prej tyre iu bë presion që të dëshmonin kundër z. Shpakovski. Autoritetet hapën një çështje penale kundër tij, duke e akuzuar «për organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste». Edhe pse më vonë e liruan, kundër tij mund të ngrihen në çdo kohë akuza të tjera.

30 maj 2018, Habarovsk. Policia arrestoi Ivan Pujdën pasi hyri me forcë dhe kontrolloi shtëpinë e tij. Pastaj e çuan në Magadan, ku e mbajtën nën arrest. Më 1 qershor 2018, Gjykata Krahinore e Zhileznadarozhnit urdhëroi të mbahej në paraburgim deri më 30 korrik 2018, nën akuzën «për organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste».

30 maj 2018, Magadan. Policë të armatosur e të maskuar bastisën disa shtëpi në Magadan dhe arrestuan Konstantin Petrovin, Jevgeni Ziablovin dhe Sergei Jerkinin. Më 1 qershor 2018, Gjykata e Qytetit të Magadanskit urdhëroi që ata të mbaheshin në paraburgim deri më 29 korrik 2018, nën akuzën «për organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste».

Dimitri Mihajlovi

29 maj 2018, Shujë, Rajoni i Ivanovos. Autoritetet arrestuan për herë të dytë Dimitri Mihajlovin. Pas bastisjes së 20 prillit, policia e akuzoi «për pjesëmarrje në veprimtarinë e një organizate ekstremiste». Më 29 maj autoritetet e akuzuan edhe «për financim të një veprimtarie ekstremiste». Më 3 qershor 2018, Gjykata e Qytetit të Shujës urdhëroi që ai të mbahej në paraburgim deri më 19 korrik 2018.

27 maj 2018, Naberezhni-Çelni, Republika e Tatarstanit. Gjatë natës, agjentët e FSB-së kontrolluan 10 shtëpi dhe konfiskuan pajisjet elektronike, celularët dhe pasaportat. Ata arrestuan dhe futën në burg Ilham Karimovin, Konstantin Matrashovin dhe Vladimir Miakushinin. Më 29 maj 2018, Gjykata e Krahinës së Naberezhniçelniskit urdhëroi të mbaheshin në paraburgim deri më 25 korrik 2018, nën akuzën se organizonin e merrnin pjesë në veprimtarinë e një organizate «ekstremiste» dhe se rekrutonin njerëz për të. Më vonë u arrestua edhe Ajdar Julmetievi dhe, më 31 maj 2018, gjykata vendosi që edhe ai të lihej në paraburgim.

22 maj 2018, Perm. Kur Aleksandër dhe Ana Solaviovi mbërritën në Perm pas një udhëtimi në Moldavi, policët tashmë kishin shkuar te stacioni i trenit dhe i vunë prangat z. Solaviovi, konfiskuan gjërat e tij personale dhe i çuan të dy në rajonin e policisë me makina të ndryshme. Ndërsa z. Solaviovi e mbanin atje, policia i kontrolloi shtëpinë dhe i mori në pyetje të shoqen. Më 24 maj 2018, Gjykata e Krahinës së Svirdlovskit e la në arrest shtëpie, nën akuzën «për pjesëmarrje në veprimtarinë e një organizate ekstremiste».

17 maj 2018, Birobidzhan. Në një operacion të fshehtë të koduar me emrin «Dita e Gjykimit», 150 policë dhe agjentë të FSB-së bastisën 22 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata konfiskuan tabletat, celularët dhe paratë, si dhe arrestuan e burgosën Alam Alievin, një nga 34 Dëshmitarët që u kontrolluan gjatë bastisjeve. Më 18 maj, Gjykata Krahinore e Birobidzhanit urdhëroi të mbahej në paraburgim deri më 13 korrik 2018, nën akuzën «për organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste». Më 25 maj 2018, gjykatësja Sizova e Gjykatës së Apelit e Rajonit Autonom Judaik pranoi apelimin e z. Alievi dhe anuloi vendimin për të mbetur në paraburgim.

16 maj 2018, Orenburg. Policët bastisën e kontrolluan disa shtëpi, si dhe arrestuan 3 Dëshmitarë: Aleksandër Suvorovin, Vladimir Koçnëvin dhe Vladislav Kabanovin. Më 18 maj, Gjykata Krahinore e Promishlinit vendosi që z. Kabanovi të mbahej në arrest shtëpie, nën akuzën «për financim të një veprimtarie ekstremiste». Të nesërmen, po ajo gjykatë urdhëroi që z. Koçnëvi dhe z. Suvorovi të mbaheshin në paraburgim deri më 14 korrik 2018, nën akuzën «për organizim të veprimtarisë së një organizate ekstremiste». Gjithashtu, hetuesi urdhëroi 7 Dëshmitarë të tjerë të firmosnin një marrëveshje, sipas së cilës nuk mund të largoheshin nga qyteti gjatë hetimit.

Majtas: Aleksandër Suvorovi; djathtas: Vladimir Koçnëvi

A do të kenë efekt kritikat ndërkombëtare?

Me anë të deklaratave të tyre zyrtare, Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar qëndrimin e Rusisë që po shpërfill liritë themelore. BE-ja i bëri thirrje Rusisë «të respektojë marrëveshjet e saj ndërkombëtare për lirinë e fesë e të besimit, për lirinë e shprehjes dhe për lirinë për t’u mbledhur së bashku». Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Rusisë edhe që «të lirojë menjëherë të gjithë ata që janë burgosur thjesht sepse ushtrojnë të drejtën e fesë ose të besimit».

Filip Bramli, kryekëshilltar për çështjet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «Dëshmitarët e Jehovait përreth botës janë tepër të shqetësuar që bashkëbesimtarët e tyre në Rusi po përndiqen ashpër. Dëshmitarët e Jehovait sot po shtypen po njësoj si nën regjimin komunist. Nëpërmjet veprimeve dhe shtypjes së vazhdueshme, Rusia po shpërfill në mënyrë flagrante premtimet e saj për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut.»

Dëshmitarë që ishin në paraburgim *

  • Denis Kristenseni

    45 vjeç, Oriol, i arrestuar që prej 25 majit 2017 dhe i detyruar të rrijë në burg deri më 1 gusht 2018.

  • Valentin Osadçuku

    42 vjeç, Vladivostok, i arrestuar që prej 19 prillit 2018 dhe i detyruar të rrijë në burg deri më 20 qershor 2018.

  • Viktor Trofimovi

    61 vjeç, Poliarni, i arrestuar që prej 18 prillit 2018 dhe i detyruar të rrijë në burg deri më 11 tetor 2018.

  • Roman Markini

    44 vjeç, Poliarni, i arrestuar që prej 18 prillit 2018 dhe i detyruar të rrijë në burg deri më 11 tetor 2018.

  • Anatoli Vilitkeviçi

    31 vjeç, Ufë, i arrestuar që prej 10 prillit 2018 dhe i detyruar të rrijë në burg deri më 2 korrik 2018.

^ par. 21 Për më shumë hollësi, shih artikullin «Fushatë terrori kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi» te Këndi i lajmeve, në jw.org.