Falë përpjekjeve të Avokatit të Popullit të Ruandës dhe të gjykatësve me gjykim të mirë, pas një beteje të gjatë ligjore, u vu në vend drejtësia për Dëshmitarët e Jehovait. Fillimisht Gjykata Supreme vendosi kundër Dëshmitarëve dhe i urdhëroi të dëmshpërblenin pronarët e një ndërtese që zyrtarët e qytetit të Kigalit kishin urdhëruar të shembej. Megjithatë, Avokati i Popullit vuri re padrejtësinë e madhe dhe i kërkoi Gjykatës Supreme të rishikonte vendimin.

Zyrtarët e qytetit të Kigalit urdhërojnë spastrimin e territorit

Si pjesë e një iniciative të gjerë spastrimi, më 2006 zyrtarët e Kigalit nxorën një urdhër që vendasit të hiqnin të gjitha kioskat e ndërtuara përgjatë rrugëve, në vende publike. I njëjti urdhër i detyronte banorët që të mirëmbanin e të zbukuronin ambientet publike përreth pronave të tyre.

Sipas urdhrit duheshin shembur edhe ndërtimet pa leje, siç ishte një ndërtesë që z. Ngajabaterania kishte ngritur në vend publik. Për më tepër, kishte përdorur materiale dhe metoda ndërtimi që nuk u përmbaheshin rregullave të ndërtimit. Kur mbaroi afati 21-ditor për të shembur ndërtimet pa leje dhe banorët nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim, kryebashkiaku i Rajonit të Gasabos lëshoi një urdhër me shkrim për t’i shembur ato. Me shembjen e ndërtesave, zyra kombëtare e Dëshmitarëve të Jehovait, që po ashtu gjendet në Rajonin e Gasabos, në Sektorin Remerë të Kigalit, e zbukuroi ambientin publik pranë godinës së saj duke bërë një trotuar e duke mbjellë një lulishte.

Gjykata e Ndërmjetme i konsideron përgjegjës Dëshmitarët

Pasi zyrtarët e qytetit urdhëruan shembjen e ndërtesës së z. Ngajabaterania, ai dhe bashkëpunëtorët e tij u ankuan pranë Gjykatës së Ndërmjetme të Gasabos, duke akuzuar Dëshmitarët se i kishin prishur ndërtesën. Z. Ngajabaterania dhe bashkëpunëtorët e tij këmbëngulnin se u takonte dëmshpërblim për ndërtesën e shembur, edhe pse nuk arritën t’i paraqitnin gjykatës ndonjë provë të vlefshme për të mbështetur akuzat. Dëshmitarët e Jehovait paraqitën dokumente zyrtare që provonin qartë se përgjegjës ishin zyrtarët e qytetit. Gjithsesi, Gjykata e Ndërmjetme i shpërfilli provat dhe vendosi kundër Dëshmitarëve.

Gjykata e Lartë anulon vendimin

Dëshmitarët apeluan pranë Gjykatës së Lartë për ta ndrequr padrejtësinë. Pasi shqyrtoi provat, Gjykata e Lartë vendosi se vendimi i Gjykatës së Ndërmjetme kundër Dëshmitarëve nuk kishte baza të forta. Më 5 nëntor 2010 Gjykata e Lartë vendosi se z. Ngajabaterania dhe bashkëpunëtorët e tij kishin paraqitur një padi të pabazë dhe i urdhëroi të paguanin dëmet dhe koston prej 800.000 frankash ruandeze (1.360 dollarë amerikanë).

Gjykata Supreme shpërfill prova shumë të rëndësishme

Z. Ngajabaterania e apeloi vendimin pranë Gjykatës Supreme të Ruandës. Gjatë procedurave gjyqësore, Sekretari Ekzekutiv i Sektorit të Remerës dëshmoi se ndërtesa e z. Ngajabaterania ishte pa leje, prandaj u shemb si pjesë e programit shtetëror për ristrukturimin e qytetit. Gjykata Supreme pranoi se ndërtesën nuk e kishin shembur Dëshmitarët e Jehovait, ama i fajësoi se kishin nxitur shembjen. Gjykata shpërfilli prova të rëndësishme dhe arsyetoi se Dëshmitarët kishin përfituar pa të drejtë duke zbukuruar zonën ku ishte ndërtesa. Ajo vendosi që paditësit të dëmshpërbleheshin me një shumë prej 22.055.242 frankash ruandeze (më tepër se 33.000 dollarë amerikanë). Më 4 prill 2013 Dëshmitarët paguan dëmet, edhe pse nuk ishin dakord me vendimin.

Avokati i Popullit i bën thirrje Gjykatës Supreme të ndreqë padrejtësinë

Dëshmitarët e Jehovait bënë një ankesë pranë Zyrës së Avokatit të Popullit ngaqë ishin konsideruar padrejtësisht përgjegjës për shembjen e ndërtesës së z. Ngajabaterania. Kryeavokatja e Popullit në Ruandë, znj. Aloisi Kjanzajire, rishqyrtoi ankesën e tyre, si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë.

Pasi shqyrtoi provat, znj. Kjanzajire vendosi se ndërtesën e kishin shembur autoritetet e qytetit meqë z. Ngajabaterania nuk kishte zbatuar ligjin. Ajo pohoi edhe se nuk kishte arsye për t’i ndëshkuar Dëshmitarët që kishin mbështetur drejtimin zyrtar për të zbukuruar vendin publik ngjitur me ndërtesën e tyre. Rregullimi që i bënë Dëshmitarët këtij vendi dhe mirëmbajtja e vazhdueshme ishin një «arritje shumë e dobishme» dhe një «ndihmë e madhe për shtetin në programin për spastrimin e qytetit».

Ndërtime pa leje para urdhrit për spastrimin e qytetit të Kigalit dhe vendi publik i rinovuar pas heqjes së ndërtimeve pa leje

Më 4 dhjetor 2013 znj. Kjanzajire kërkoi që Gjykata e Lartë të rishqyrtonte vendimin e saj kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Çështja u mor në shqyrtim nga një panel tjetër gjykatësish, dhe më 17 tetor 2014 Gjykata e anuloi vendimin e saj dhe e shpalli të pathemeltë akuzën e z. Ngajabaterania. Ajo e urdhëroi z. Ngajabaterania të kthente paratë që kishte marrë padrejtësisht në gjyqin e mëparshëm dhe të paguante shpenzimet ligjore. Tani avokatët që përfaqësojnë Dëshmitarët e Jehovait dhe një përmbarues po përpiqen që këto pará të kthehen.

Të mbrojtur nga ligji

Dëshmitarët e Jehovait i janë mirënjohës znj. Kjanzajire për ndihmën si Avokate e Popullit dhe falënderojnë Gjykatën Supreme që e anuloi vendimin e saj. Të gjithë qytetarët që i binden ligjit, pa dyshim e vlerësojnë faktin që Republika e Ruandës ka një mekanizëm të efektshëm për të vënë në vend drejtësinë dhe për të mbrojtur ligjin.