Qeveria e Ruandës ndërmori një hap për të eliminuar diskriminimin fetar në shkolla, duke nxjerrë një urdhër që kërkon të respektohen bindjet fetare të nxënësve. Ky është një lajm i bukur për nxënësit që nuk ua lejon ndërgjegjja të marrin pjesë në disa aktivitete shkollore.

Në Ruandë shumica e shkollave mbështeten financiarisht nga shteti, por administrohen nga organizata fetare. Regjistrimi në këto shkolla është i hapur për të gjithë, ndaj nxënësit kanë fe të ndryshme. Gjithsesi, disa autoritete të shkollave i kanë detyruar të marrin pjesë në veprimtari fetare a patriotike ose u kanë kërkuar të paguajnë taksat e kishës. Ata kanë ndëshkuar këdo që nuk u është bindur këtyre rregullave për shkak të bindjeve fetare. Një ministër që merret me shkollat 9-vjeçare dhe të mesme shprehu me këto fjalë qëndrimin që kanë disa administratorë shkollash: «Nxënësit nuk lejohen të adhurojnë Zotin në një mënyrë që bie ndesh me bindjet tona.»

Urdhri i qeverisë mbron lirinë e ndërgjegjes

Autoritetet qeveritare ndërhynë që të zgjidhnin problemin me një urdhër ekzekutiv që përmbante rregulla të reja të cilat synonin të zhduknin diskriminimin fetar në shkolla. Neni 12 i Urdhrit qeveritar nr. 290/03, i botuar më 14 dhjetor 2015 në Official Gazette, pohon se çdo shkollë duhet të respektojë lirinë e adhurimit të nxënësve dhe t’i lejojë të luten sipas besimit të vet, nëse feja ose kisha e tyre është e pranuar ligjërisht dhe nëse nuk pengohet programi mësimor.

Çdo shkollë duhet të respektojë lirinë e nxënësve për të adhuruar.—Urdhri nr. 290/03, neni 12

Veprimi i qeverisë përforcon vendimin e Gjykatës së Ndërmjetme në Karongi për disa nxënës Dëshmitarë që u përjashtuan nga shkolla në maj 2014. Autoritetet në shkolla nuk kishin respektuar të drejtën e nxënësve për të mos marrë pjesë në një shërbesë fetare të sponsorizuar nga shkolla. Gjykata i shfajësoi nxënësit nga çdo akuzë duke u dhënë mundësi të riktheheshin në shkollë.

Në një rast tjetër drejtori i një shkolle në krahinën e Ngororeros nuk u jepte dëftesat 30 nxënësve që nuk paguanin taksën e kishës (e cila nuk ishte pjesë e taksës shkollore). Kur prindërit e tyre u ankuan te drejtori rajonal i arsimit, më në fund drejtori i shkollës u dorëzua dhe u dha të gjithë nxënësve dëftesat në fund të vitit shkollor.

Lehtësim për nxënësit Dëshmitarë

Shantala Uimbabazin, një Dëshmitare, e përjashtuan nga një shkollë në Ngororero, sepse nuk merrte pjesë në meshën katolike të sponsorizuar nga shkolla. Asaj iu desh të duronte talljet e shokëve të klasës e të të tjerëve, dhe humbi vitin shkollor. U regjistrua në një shkollë tjetër më larg shtëpisë dhe me pagesë më të lartë, të cilën e ëma vejushë mezi e përballonte për shkak të të ardhurave të pakta. Shantala u lehtësua kur mori vesh për rregullat e reja. Ajo tha: «Mendoj se nxënësit e tjerë në të njëjtat rrethana në shkollat fetare do të mund të arsimohen pa iu shkelur të drejtat.»

Rregullorja e re është në përputhje me Kushtetutën e Ruandës, e cila garanton lirinë e fesë dhe të drejtën e arsimimit. Nxënësit Dëshmitarë të Jehovait dhe prindërit e tyre mezi presin të marrin fund këto incidente të diskriminimit fetar. Ata i janë mirënjohës qeverisë që ka vepruar për të mbrojtur lirinë fetare të nxënësve.