«Lufta kundër diskriminimit dhe pabarazisë është [prioritet] thelbësor i sistemit arsimor kombëtar.»— Sekretariati i Ministrisë së Arsimit, 12 qershor 2014.

Për disa vjet, fëmijët Dëshmitarë në Republikën Demokratike të Kongos (RDK) ishin përjashtuar nga shkollat e financuara prej organizatave të tjera fetare sepse nuk merrnin pjesë në programet fetare. Kjo ndodhi sepse shkollat i kishin vënë rregulloret e tyre të brendshme mbi ligjet e vendit dhe i kishin shpërfillur të drejtat e nxënësve Dëshmitarë. Autoritetet kongoleze e vunë re këtë padrejtësi dhe mbrojtën të drejtën që kanë të gjithë të arsimohen pa u diskriminuar.

Shkollat e financuara nga kishat ndjekin rregulloret e tyre të brendshme dhe jo ligjet e vendit

Organizatat fetare kanë bërë marrëveshje me qeverinë kongoleze që të financojnë shkolla publike në zonat ku ka nevojë. Marrëveshjet e thonë qartë se «fëmijët duhen mbrojtur nga praktikat që nxitin intolerancën dhe diskriminimin fetar». Gjithsesi, shkollat e financuara nga kishat shpesh kishin rregullore të brendshme që u kërkonin nxënësve të ndiqnin dhe të aktivizoheshin në programet fetare. Disa nga këto shkolla këmbëngulnin të zbatohej rregullorja e tyre e brendshme, duke shpërfillur si marrëveshjen e tyre me qeverinë, edhe të drejtën e nxënësve për lirinë e adhurimit.

Ky problem u bë i dukshëm në vitin 2005, kur 52 nxënës Dëshmitarë u përjashtuan nga një shkollë e financuar nga kisha në Abumombazi, provinca Equateur, sepse kërkuan të mos merrnin pjesë në shërbesat kishtare që organizonin autoritetet e shkollës. Problemi u përshkallëzua kur edhe shkollat e financuara nga kishat në provinca të tjera vepruan po njësoj. Me kalimin e kohës, u përjashtuan më shumë se 300 nxënës Dëshmitarë të të gjitha klasave, përfshirë edhe ata që ishin në prag të përfundimit të shkollës.

Pasi u përjashtua padrejtësisht nga shkolla në vitin 2009, 13-vjeçarja Kanyere Ndavaro, shkroi: «Jam shumë e trishtuar sepse m’u shkatërrua jeta. Nuk e di se ç’e ardhme më pret.» Kambere Mafika Justin, që u përjashtua pak para se të përfundonte shkollën më 2010, tha se i ishte kthyer jeta «përmbys». Megjithëse nxënësit ishin të mërzitur që iu mohua arsimimi ose dëftesa, prapëseprapë nuk pranuan të bënin kompromis me bindjet e tyre fetare.

Zyrtarët kongolezë mbrojnë lirinë fetare

Prindërit e nxënësve të përjashtuar folën me administratorët e shkollave në përpjekje për ta zgjidhur këtë problem, por s’patën shumë sukses. Si pasojë, Dëshmitarët e çuan çështjen tek autoritetet qeveritare dhe gjetën zyrtarë të paanshëm, të cilët u munduan t’i jepnin fund diskriminimit fetar.

Në vitin 2011, zonja Bazizane Maheshe, ministre e arsimit për provincën veriore të Kivut, nxori një qarkore provinciale me titull «Të ndalohet diskriminimi fetar», e cila e përshkruante situatën «të mjerueshme». Qarkorja fliste qartë për çështjen, duke thënë: «Nxënësit e disa besimeve fetare diskriminohen në bazë të rregullores së brendshme të shkollës, në kundërshtim me ligjet që janë në fuqi në Republikën Demokratike të Kongos.»

Çështja u bë e njohur në rang kombëtar më 4 shtator 2013, kur Mwangu Famba, ministër i arsimit për Republikën Demokratike të Kongos, nxori një dekret për shkollat e të gjitha krahinave. Kjo «Qarkore për ndalimin e diskriminimit fetar» thoshte qartazi: «Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të regjistrohen në çdo shkollë pa u diskriminuar për shkak të fesë.» Gjithashtu, dekreti thoshte se përjashtimi i nxënësve për arsye fetare ishte «shkelje e plotë e standardeve dhe e ligjeve në fuqi në Republikën Demokratike të Kongos.»

Shumë shkolla u janë bindur direktivave zyrtare dhe i kanë mirëpritur sërish në shkollë nxënësit Dëshmitarë. Por disa shkolla nuk i kanë pranuar. Kështu, më 12 qershor 2014, ministri i arsimit nxori një memorandum ku përforconte dekretin e shtatorit 2013 dhe citonte projektligjin e ri për arsimin * që nxori presidenti i RDK-së. Ky përkujtues tregonte shkakun rrënjësor të problemit duke nxjerrë në pah sa e rëndësishme ishte lufta ndaj diskriminimit, dhe theksonte se ligjet kombëtare e ndërkombëtare kanë epërsi mbi rregulloret e brendshme të shkollave. Përveç kësaj, ministri i arsimit caktoi hetues që të shkonin në të gjitha shkollat e vendit e të siguroheshin për zbatimin e këtij dekreti. Pa dyshim, këto masa që ka marrë qeveria do të sjellin rezultate afatgjata dhe pozitive.

Dobi për shumë veta

Kur shkollat kongoleze veprojnë në përputhje me ligjin, të gjithë nxënësit kanë mundësi të arsimohen pa u penguar nga intoleranca fetare. Nxënësit do të mësojnë t’u tregojnë respekt të gjithë njerëzve, pavarësisht nga besimi që kanë. Duke vepruar kështu, shkollat kongoleze jo vetëm që do të respektojnë kushtetutën e RDK-së dhe dekretin e ministrit të arsimit, por edhe do t’u mësojnë me shembullin e tyre të rinjve se ç’do të thotë të jesh i paanshëm.

^ par. 12 Nr. 014/004/2014 «Projektligji i ri për arsimin . . . u jep liri prindërve t’i regjistrojnë fëmijët në cilëndo shkollë që të duan. . . . Lufta kundër diskriminimit dhe pabarazisë është [prioritet] thelbësor i sistemit arsimor kombëtar.»