Qeveria e Koresë së Jugut burgos qindra djem që nuk kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Gjithashtu ndëshkon edhe ata që nuk ua lejon më ndërgjegjja të stërviten si rezervistë edhe pse janë regjistruar në forcat rezerviste.

I rritur në Korenë e Jugut, Dong-hyuk Shin e dinte se një ditë do ta thirrnin ushtar. Kur e thirrën, shkoi dhe u lirua me nder më 2005. Më pas u bë automatikisht pjesë e listës së rezervistëve, të cilët për 8 vitet në vazhdim thirren rregullisht për stërvitje ushtarake.

Pak kohë pasi u lirua, z. Shin nisi të studionte Biblën. Mesazhi i saj i paqes ndikoi te ndërgjegjja e tij dhe e nxiti të mos pranonte shërbimin ushtarak. Kur e thirrën në forcat rezerviste në mars të 2006-s, ai i informoi autoritetet ushtarake se nuk mund të stërvitej sepse nuk ia lejonte ndërgjegjja.

Mohohet liria e ndërgjegjes

Koreja e Jugut nuk e njeh të drejtën e refuzimit të ushtrisë për arsye ndërgjegjeje. Aktualisht po thërret në forcat rezerviste më se 40 Dëshmitarë të Jehovait që kanë deklaruar se nuk mund të marrin pjesë në stërvitje për shkak të ndërgjegjes.

Ushtria shpërfilli kërkesën e z. Shin për të mos marrë pjesë në stërvitje dhe gjatë vitit 2006 e thirri 30 herë. Atë e thirrën vazhdimisht për shtatë vitet pasuese. Nga marsi 2006 deri në dhjetor 2013 e thirrën 118 herë për stërvitje si rezervist. * Meqë z. Shin me respekt nuk pranonte të paraqitej, e ndoqën penalisht 49 herë, u paraqit 69 herë në gjyq e në gjykata apeli dhe mori 35 vendime gjykate.

«S’kishte zgjidhje tjetër»

Gjykatat nuk dyshuan kurrë se z. Shin po refuzonte vërtet për shkak të ndërgjegjes. Në një vendim të datës 7 tetor 2014 Gjykata e Krahinës së Ulsanit, pohoi: «Kuptohet se kur [Dong-hyuk Shin] u bë Dëshmitar i Jehovait, s’kishte zgjidhje tjetër përveçse të kryente këtë shkelje, meqë ishte e pamundur të gjente një kompromis midis shërbimit ushtarak dhe ndërgjegjes e bindjeve të tij fetare.»

Ndonëse gjykata krahinore tregoi se e kuptonte mirë vështirësinë e z. Shin, gjykatat e Koresë së Jugut i kanë duart e lidhura për shkak të ligjit për shërbimin ushtarak. Gjykatat e kanë gjobitur z. Shin me më tepër se 16 milionë uon (13.322 dollarë amerikanë) dhe e kanë dënuar gjashtë herë me të paktën gjashtë muaj burg, që u zëvendësuan me liri me kusht. Në një rast, një gjykatë e dënoi me 200 orë shërbim për komunitetin.

Z. Shin tha: «Isha shumë i stresuar e në ankth. Dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Thirrjet e shpeshta në gjyq i shkaktuan vuajtje edhe familjes. Mendoj se nëna ime ka vuajtur po aq sa unë gjatë atyre nëntë viteve dhe ankthi ka ndikuar shumë keq te shëndeti i saj. Më dhimbte në shpirt kur shihja sa shumë e stresonte kjo situatë. Kam vuajtur edhe ekonomikisht. Thirrjet e vazhdueshme si rezervist dhe ndjekjet penale e dënimet që vinin si pasojë, më detyruan të ndërroja shtatë herë punë meqë për shkak të gjyqeve mungoja shpesh.»

Shkelet Konventa Ndërkombëtare

Z. Shin i apeloi të gjitha dënimet në gjykatat e apelit në Korenë e Jugut, por asgjë nuk ndryshoi—Gjykata e Lartë e hodhi poshtë katër herë apelin e tij. Meqë nuk gjeti zgjidhje ligjore brenda vendit, në qershor 2016 ai paraqiti një ankesë pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (Komiteti). Ai pohoi se me anë të thirrjeve të vazhdueshme si rezervist, ndjekjeve penale dhe dënimeve, Koreja e Jugut kishte shkelur detyrimin për të respektuar Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Në ankesë përfshiheshin tri çështje:

  • Të thërrasësh vazhdimisht dhe të ndëshkosh në mënyrë të përsëritur ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, në ligjin ndërkombëtar njihet qartë si shkelje e së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor.

  • Thirrjet e shumta për stërvitje ushtarake dhe ndjekjet penale konfirmojnë qëllimin e qartë të autoriteteve shtetërore për të imponuar shërbimin ushtarak. Ndjekjet penale të vazhdueshme ia kanë vështirësuar jetën z. Shin, dhe mohimi i ushtrimit të lirisë së ndërgjegjes duke e konsideruar krim, ishte një ndëshkim poshtërues.

  • Meqë arsyeja pse z. Shin nuk pranon të kryejë shërbimin ushtarak janë bindjet e tij fetare, ai u ankua se i është shkelur e drejta e lirisë së fesë dhe ndërgjegjes.

Në pritje të drejtësisë

Z. Shin është optimist se për të do të merret një vendim pozitiv duke qenë se Komiteti ka vendosur vazhdimisht se Koreja e Jugut duhet të respektojë të drejtën e atyre që nuk kryejnë shërbimin ushtarak për hir të ndërgjegjes. * Ai mezi pret të merret një vendim që njeh situatën e veçantë të rezervistëve. Z. Shin pohoi: «S’bëhem pishman që kam respektuar parimet e mia fetare dhe ndërgjegjen, ama nuk jam dakord me mënyrën si jam trajtuar. Shpresoj që qeveria e Koresë së Jugut t’u njohë të drejtën atyre që nuk pranojnë të kryejnë një shërbim që kërkon shteti kur bie në kundërshtim me ndërgjegjen e tyre.» Dëshmitarët e Jehovait në Korenë e Jugut dhe anembanë botës shpresojnë të njëjtën gjë.

^ par. 7 Dong-hyuk Shin u thirr 30 herë në vitin 2006, 35 herë në vitin 2007, 15 herë në 2008-n, 9 herë në 2009-n, 17 herë në 2010-n dhe 12 herë në 2011-n. Në vitet 2012-2013 z. Shin nuk mori thirrje të  reja për stërvitje ushtarake, ama vazhduan ta thërritnin për ato stërvitje që nuk i kishte kryer.

^ par. 18 Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë pesë vendime ku fajëson Korenë e Jugut se ka shkelur nenin 18, «të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë»: Yeo-bum Yoon dhe Myung-jin Choi kundër Republikës së Koresë, komunikatë nr. 1321-1322/2004, dok. i OKB-së CCPR/C/88/D/1321-1322/2004 (3 nëntor 2006); Eu-min Jung dhe të tjerë kundër Republikës së Koresë, komunikatë nr. 1593-1603/2007, dok. i OKB-së CCPR/C/98/D/1593-1603/2007 (23 mars 2010); Min-kyu Jeong dhe të tjerë kundër Republikës së Koresë, komunikatë nr. 1642-1741/2007, dok. i OKB-së CCPR/C/101/D/1642-1741/2007 (24 mars 2011); Jong-nam Kim dhe të tjerë kundër Republikës së Koresë, komunikatë nr. 1786/2008, dok. i OKB-së CCPR/C/106/D/1786/2008 (25 tetor 2012); Young-kwan Kim dhe të tjerë kundër Republikës së Koresë, komunikatë nr.  2179/2012, dok. i OKB-së CCPR/C/112/D/2179/2012 (15 tetor 2014).