Ngjarjet e fundit në Korenë e Jugut tregojnë se qeveria mund të jetë duke marrë në konsideratë një ndryshim rrënjësor për sa i përket respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Më 7 dhjetor 2017, presidenti i Koresë së Jugut Jae-in Moon takoi zyrtarë të Komisionit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut (NHRC) dhe u kërkoi të japin sugjerime se ç’mund të bëjë shteti që t’i respektojë më shumë të drejtat e njeriut me qëllim që të përmbushë standardet ndërkombëtare. Presidenti Moon i kërkoi specifikisht NHRC-së të propozonte zgjidhje që do ta ndihmonin qeverinë t’i jepte fund burgosjes së të rinjve që nuk kryejnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.

Pas kësaj mbledhjeje të bujshme, Dëshmitarët e Jehovait në Korenë e Jugut organizuan një fushatë që të mblidhnin firma për një peticion drejtuar presidentit. Praktika e qeverisë për t’i ndëshkuar me burg ata që nuk kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje, ka ndikuar thellë te breza të tërë Dëshmitarësh. Presidenti e ka udhëzuar administratën t’u përgjigjet peticioneve të qytetarëve, ndaj në këto peticione i kërkohet ndihmë që t’i japë zgjidhje problemit që kanë hasur për rreth 70 vjet të rinjtë Dëshmitarë.

Fushata e peticioneve u organizua nga zyra kombëtare e Dëshmitarëve të Jehovait

Firmat e nevojshme për peticionin u mblodhën brenda katër javësh nga fillimi i fushatës. Ndër të tjerë firmosën mbi 14.000  burra që ishin ndëshkuar ngaqë nuk kryen ushtrinë dhe mbi 26.000  familjarë që vuajtën për shkak të dënimit dhe burgimit të të afërmve.

Peticionet iu paraqitën Zyrës së Presidentit më 15 janar 2018

Më 15 janar  2018, 6 përfaqësuesit e 41.275 Dëshmitarëve që firmosën peticionet, ia paraqitën ato Zyrës së Presidentit. Peticionet shprehnin mirënjohje për interesimin e presidentit për këtë çështje, theksonin pasojat negative të 70 viteve ndëshkim ndaj atyre që nuk bënë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe nxirrnin në pah dobitë që do të sillte zgjidhja e kësaj çështjeje për mbarë kombin. Më 16 janar  2018 Zyra e Presidentit ia kaloi peticionet për shqyrtim Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.

Teksa përgatiteshin peticionet, përfaqësues të Dëshmitarëve të Jehovait u takuan edhe me zyrtarë të NHRC-së. Ata u shpjeguan nga Shkrimet arsyet pse Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë të kryejnë ushtrinë. Po të ekzistojë shërbimi alternativ civil, të rinjtë Dëshmitarë që regjistrohen në program, nuk do të rrinë kot në burg, por do të jenë të dobishëm për qeverinë e do të shërbejnë në të mirë të vendit. Zyrtarët u thanë Dëshmitarëve se zgjidhja e kësaj çështjeje është një e drejtë njerëzore që NHRC-ja e ka prioritet për 2018-n.

Numri i të burgosurve për arsye ndërgjegjeje në Korenë e Jugut është ku e ku më i lartë se numri i të burgosurve për këtë çështje në të gjitha vendet e tjera të marra së bashku. Ndërsa zyrtarët rishqyrtojnë praktikën dhjetëravjeçare që ka ndjekur qeveria, Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë që kjo nismë e re t’u japë fund më tepër se 36.700 viteve burg që kanë bërë në total të rinjtë Dëshmitarë ngaqë kanë refuzuar shërbimin ushtarak.