Më 20 qershor 2017 Gjykata e Qytetit të Astanës hodhi poshtë apelimin kundër fajësisë së Teimur Ahmedovit, duke lënë kështu në fuqi dënimin me pesë vite burg dhe tri vite të tjera ndalim të veprimtarisë së tij fetare. Një avokat për të drejtat ndërkombëtare të njeriut, i pranishëm në sallën e gjyqit më 20 qershor, tha: «Ky vendim është absurd për drejtësinë pasi provat ishin plotësisht në mbështetje të z. Ahmedov.» Avokatët e tij po përgatiten ta apelojnë sërish çështjen.

Në janar 2017 agjentë të Komitetit të Sigurimit Kombëtar e arrestuan dhe e burgosën z. Ahmedov me pretekstin se kryente veprimtari të paligjshme fetare. Ai u mbajt në arrest deri më 2 maj 2017, kur Gjykata Krahinore e Sarjarkinskijit e dënoi padrejtësisht në bazë të nenit 174/2 të Kodit Penal të Kazakistanit, i cili dënon nxitjen e urrejtjes fetare. Z. Ahmedov e kundërshtoi fortësisht këtë akuzë të rreme, duke argumentuar se ishte thjesht duke shprehur bindjet e tij fetare dhe dashurinë për të afërmin. Shprehja e bindjeve fetare është një e drejtë themelore që garantohet nga Kushtetuta e Kazakistanit dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat Kazakistani është zotuar t’i zbatojë.