Gjykata e Lartë e Izraelit dhe policia lokale në Raanana e përkrahu lirinë fetare duke mbrojtur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait për t’u mbledhur për adhurim. Në një vendim të kohëve të fundit, Gjykata e Lartë detyroi qytetin Raanana të respektonte kontratën me Dëshmitarët e Jehovait për të marrë me qira pallatin e sportit Metro West Sports Center për dy asamble fetare. Nën presionin e disa grupeve fetare, bashkia e kishte anuluar kontratën vetëm 36 orë para se të fillonte asambleja e parë.

Gjykatat hedhin poshtë anulimin diskriminues të bashkisë

Dëshmitarët e Jehovait kishin nënshkruar një kontratë me qytetin Raanana për të mbajtur asamble më 18 prill dhe 2 maj 2015. Fillimisht ata dyshuan se asambletë rrezikonin të anuloheshin, kur, më 15 prill, administratorja e përgjithshme e qytetit shprehu merakun për sigurinë e asamblesë që do të mbahej më 18 prill. Megjithëse shefi i policisë lokale i dha garanci për sigurinë, të nesërmen qyteti Raanana e anuloi kontratën pa e marrë parasysh palën tjetër. Mediat raportuan se qyteti iu dorëzua presionit të anëtarëve të këshillit fetar, të cilët e kërcënuan qytetin se nuk do ta kishte më mbështetjen e tyre politike po t’i lejonte Dëshmitarët të mbanin asamble.

Ndonëse Dëshmitarët iu drejtuan menjëherë Gjykatës Krahinore të Lodit për të nxjerrë një urdhër që qyteti ta respektonte kontratën, nuk kishte mjaft kohë për ta shmangur anulimin e asamblesë së 18 prillit. Pavarësisht se Dëshmitarët arritën të merrnin me qira një vend tjetër, iu desh të paguanin gjashtëfish në krahasim me kontratën që kishin bërë me qytetin për pallatin e sportit.

Më 29 prill Gjykata Krahinore e Lodit nxori një urdhër ku i kërkonte qytetit të respektonte kontratën që kishte bërë, në të cilin thuhej se «bashkia [e qytetit Raanana] kishte shkelur të drejtat kushtetuese [të Dëshmitarëve të Jehovait] për sa i përket lirisë së fesë dhe ndjekjes së ritualeve, lirisë për t’u organizuar kolektivisht dhe për t’u mbledhur, të drejtën për dinjitet dhe liri, si edhe të drejtën për barazi». Qyteti apeloi menjëherë pranë Gjykatës së Lartë që urdhri të pezullohej, por kjo u hodh poshtë më 1 maj. U anulua edhe një apelim tjetër, duke e lënë në fuqi vendimin e gjykatës krahinore.

Policia mbron Dëshmitarët

Vendimi që mori në kohën e duhur Gjykata e Lartë, u dha mundësi Dëshmitarëve të Jehovait ta mbanin asamblenë e planifikuar më 2 maj. Ndaj këtij vendimi reaguan krerët fetarë të asaj zone, përfshirë kreun e rabinëve dhe anëtarë të një organizate ultraortodokse që njihet për taktikat e saj agresive. Ata organizuan një sesion me «lutje kolektive» që tërhoqi rreth 1.500 pjesëmarrës. U mblodhën përballë pallatit të sportit teksa 600 Dëshmitarë vinin për të ndjekur asamblenë. «Lutja kolektive» u kthye shumë shpejt në një protestë masive. Disa protestues i sulmuan Dëshmitarët, ku përfshiheshin edhe gra e fëmijë. I fyen, i pështynë, i tallën, bënë gjeste të pahijshme, si edhe u dëmtuan automjetet. Policia ndërhyri shpejt për t’i mbajtur nën kontroll protestuesit. Ky veprim i policisë u dha mundësi Dëshmitarëve të ndiqnin asamblenë dhe të ktheheshin në shtëpi të sigurt në fund të ditës.

Dëshmitarët e Jehovait në Izrael u janë mirënjohës autoriteteve atje që mbajtën qëndrim ndaj diskriminimit dhe intolerancës fetare, duke mbrojtur të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe për të adhuruar paqësisht.