Tetë korriku i vitit 1985 nisi si çdo ditë tjetër shkolle për tre fëmijë në një qytet të vogël në Kerala, në jugperëndim të Indisë. Por atë ditë, drejtoresha dha urdhër që në klasë të këndohej himni kombëtar Jana Gana Mana. Të gjithë nxënësve iu kërkua të çoheshin në këmbë dhe të këndonin. Megjithatë, 15-vjeçari Bijoe dhe motrat e tij më të vogla Binu Mol dhe Bindu (përkatësisht 13 dhe 10 vjeçe), nuk pranuan. Si Dëshmitarë të Jehovait, ndërgjegjja nuk ua lejonte të këndonin himnin ngaqë besonin sinqerisht se kjo do të ishte një formë idhujtarie dhe mungesë besnikërie ndaj Perëndisë së tyre, Jehovait.

Babai i fëmijëve, V. J. Emmanuel, foli me drejtoreshën dhe me disa mësues me përvojë, të cilët ranë dakord që fëmijët të mos e këndonin himnin. Por një punonjësi të shkollës ia kapi veshi bisedën dhe e raportoi. Kjo çështje arriti deri te një anëtar i Asamblesë Legjislative që e ngriti si problem pranë Asamblesë sepse mendonte se sjellja e fëmijëve nuk ishte aspak patriotike. Fill pas kësaj, një inspektor shkolle i dha urdhër drejtoreshës që t’i përjashtonte fëmijët nëse nuk këndonin himnin kombëtar. Z. Emmanuel u kërkoi autoriteteve të shkollës që t’i ripranonin fëmijët, por më kot. Prandaj bëri një peticion pranë Gjykatës së Lartë në Kerala. Pasi kjo gjykatë ia refuzoi kërkesën, ai iu drejtua Gjykatës Supreme të Indisë.

Gjykata Supreme mbron të drejtat kushtetuese

Më 11 gusht 1986, në çështjen Bijoe Emmanuel kundër shtetit të Keralës, Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Gjykatës së Lartë. Sipas kësaj gjykate, përjashtimi i fëmijëve nga shkolla për shkak të «ndërgjegjes së bazuar në besimin fetar» ishte shkelje e Kushtetutës së Indisë. Gjykatësi O. Chinnappa Reddy u shpreh: «Nuk ka asnjë ligj . . . që ta detyrojë dikë të këndojë.» Gjykata Supreme vërejti se e drejta e lirisë së fjalës dhe e shprehjes përfshinte edhe të drejtën e heshtjes dhe se qëndrimi në këmbë ndërsa këndohej himni kombëtar tregonte respektin e duhur. Ajo urdhëroi që fëmijët të pranoheshin në shkollë.

Gjykatësi Reddy tha: «Ata [Dëshmitarët e Jehovait] nuk e këndojnë në asnjë vend himnin kombëtar, as himnin Jana Gana Mana në Indi, as himnin God save the Queen në Britani, as himnin The Star-Spangled Banner në Shtetet e Bashkuara e asnjë himn tjetër. . . . E vetmja arsye pse nuk e këndojnë është se janë të bindur dhe besojnë me gjithë zemër se feja nuk i lejon të marrin pjesë në asnjë rit nëse nuk është lutje drejtuar Perëndisë së tyre Jehova.»

Një precedent që mbështet të drejtat fetare

Çështja Bijoe Emmanuel kundër shtetit të Keralës është mjaft domethënëse sepse përcakton se askush nuk mund të detyrohet me ligj të shkelë ndërgjegjen e bazuar në bindjet fetare. Edhe pse pranoi se të drejtat themelore nuk janë absolute dhe kushtëzohen nga rendi publik, morali dhe shëndeti, Gjykata bëri të qartë se shteti nuk mund t’u imponojë qytetarëve kufizime arbitrare dhe të ekzagjeruara. Vendimi vërente: «Të detyrosh çdo nxënës të këndojë himnin kombëtar edhe pse refuzon për shkak të bindjeve fetare të sinqerta, . . . do të thotë të shkelësh të drejtat e garantuara nga neni 19/1(a) dhe neni 25/1 [të Kushtetutës së Indisë].»

Ky vendim mbron edhe liritë kushtetuese për grupet minoritare. Gjithashtu, Gjykata u shpreh: «Një shtet jep prova se është vërtet demokratik kur i jep mundësi qoftë edhe minoritetit më të vogël të gjejë veten në Kushtetutën e vendit.» Gjykatësi Reddy shtoi: «Pikëpamjet dhe reagimet tona personale nuk kanë rëndësi. Nëse një bindje fetare është e sinqertë dhe e bazuar në ndërgjegje, ajo gëzon mbrojtjen e nenit 25 [të Kushtetutës].»

«Tradita jonë mëson tolerancën; filozofia jonë predikon tolerancën; kushtetuta jonë praktikon tolerancën; të mos e zbehim.»​—Gjykatësi O. Chinnappa Reddy

Si ndikoi ky vendim te shoqëria?

Për çështjen Bijoe Emmanuel kundër shtetit të Keralës u shkrua gjerësisht dhe u diskutua në Parlament. Vendimi për këtë çështje është futur në programin mësimor të fakultetit të drejtësisë kur trajtohen ligjet kushtetuese. Edhe sot e kësaj dite përmendet në revista ligjore e gazeta ku cilësohet si një precedent i bujshëm për tolerancën në Indi. Vendimi ka kontribuar shumë në përkufizimin e lirisë fetare në një shoqëri pluraliste. Ai mbron lirinë e fjalës dhe të shprehjes në Indi sa herë që kjo e drejtë e çmuar cenohet.

Të gjithë nxjerrin dobi nga mbrojtja e të drejtave kushtetuese

Familja Emmanuel sot (rreshti i dytë, nga e majta në të djathtë) Binu, Bijoe dhe Bindu; (rreshti i parë) V. J. Emmanuel dhe Lillykutty

Në ato kohë, familja Emmanuel u përball me tallje, me presionin e autoriteteve e madje edhe me kërcënime me vdekje, por nuk janë penduar kurrë që u qëndruan besnikë bindjeve të tyre fetare. Bindu, një nga vajzat që tani është e martuar dhe është bërë nënë, tregon: «U habita kur takova një avokat që e kishte studiuar çështjen time kur ndiqte fakultetin e drejtësisë. Ai shprehu vlerësim të madh për betejën ligjore që bënë Dëshmitarët e Jehovait për të vënë në vend të drejtat e njeriut.»

V. J. Emmanuel sjell ndër mend: «Kohët e fundit kam takuar rastësisht K. T. Thomas, një gjykatës i Gjykatës Supreme, tani në pension. Kur mësoi se isha babai i tre fëmijëve të përfshirë në çështjen e himnit, më përgëzoi dhe më tha se sa herë i jepet rasti të flasë para një grupi avokatësh, flet për çështjen e himnit, pasi e konsideron një fitore historike për të drejtat e njeriut.»

Thuajse 30 vjet pasi u dha vendimi, çështja Bijoe Emmanuel kundër shtetit të Keralës mbetet një nga shtyllat e lirisë së fjalës në Indi. Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur që kanë kontribuar në lirinë kushtetuese të të gjithë qytetarëve të Indisë.