Dëshmitarët e Jehovait e kanë nisur veprën e tyre në Gjeorgji në vitin 1953. Ata janë të regjistruar ligjërisht dhe në përgjithësi nuk hasin pengesa për të praktikuar besimin e tyre. Sidoqoftë, disa probleme vazhdojnë kur intoleranca fetare rishfaqet me raste.

Në vitet 1999-2003, ekstremistët fetarë nisën një valë dhune të egër e të pamëshirshme kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Sulmuesit morën zemër ngaqë organet e rendit nuk i ndëshkonin. Gjatë asaj periudhe, një parlamentar ultranacionalist ia doli t’i çregjistronte përkohësisht entet ligjore të Dëshmitarëve, dhe kjo i kontribuoi shtimit të dhunës. Për zgjidhjen e problemeve, Dëshmitarët paraqitën gjashtë kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Ajo mori dy vendime unanime, përkatësisht në 2007-n dhe në 2014-n, që dënonin qeverinë për mosshqyrtimin e veprave penale të nxitura nga urrejtja fetare në mënyrë të menjëhershme, të efektshme dhe pa paragjykuar viktimat. Më 2015, GJEDNJ-ja pranoi unanimisht deklaratën përmes së cilës qeveria pohonte se i kishte çregjistruar pa të drejtë entet ligjore të Dëshmitarëve në 2001-shin.

Prej 2004-ës aktet e dhunës kundër Dëshmitarëve të Jehovait janë ulur ndjeshëm. Ata kanë zgjeruar aktivitetet e tyre dhe kanë ndërtuar shumë Salla Mbretërie. Prapëseprapë, ndonjëherë janë viktima të sulmeve dhe ngacmimeve të urrejtjes fetare. Problemi përkeqësohet, sepse qeveritarët shpesh nuk reagojnë ndaj këtyre veprimeve të dhunshme. Dëshmitarët presin që qeveria e Gjeorgjisë të veprojë plotësisht në përputhje me vendimet e GJEDNJ-së, të hetojë pa vonesë aktet e dhunës dhe të ndjekë penalisht fajtorët.