Çdo gjë nisi në një mbledhje adhurimi të dielën paradite. Afro 200 burra, gra e fëmijë ishin mbledhur në një ndërtesë në Baku, Azerbajxhan, dhe po dëgjonin një fjalim biblik.

Befas, policia hyri me forcë e shoqëruar nga disa zyrtarë dhe nga ndriçimi verbues i kamerave të televizionit. Policia, jo vetëm që ndërpreu një shërbesë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait, por edhe rrahu disa burra, kontrolloi ndërtesën pa autorizim, përdori fjalë fyese ndaj të pranishmëve dhe konfiskoi para, kompjuterë dhe literaturë biblike. Çoi shumë Dëshmitarë në rajonin e policisë dhe i mbajti për orë të tëra. Gjashtë të huaj që shërbenin si predikues i mbajtën disa ditë dhe pastaj i dëbuan nga shteti. Transmetimi në televizion i kësaj bastisjeje ishte një poshtërim për Dëshmitarët.

Këto ngjarje të 24 dhjetorit 2006, u bënë subjekti i aplikimit të parë që Dëshmitarët e Jehovait paraqitën kundër Azerbajxhanit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Që nga ajo kohë, Dëshmitarët kanë paraqitur 18 aplikime të tjera para GJEDNJ-së për shkelje të lirisë fetare.

ARSYET PËR APLIKIM

GJITHSEJ

Bastisje nga policia

5

Riregjistrimi

1

Shfaqja e bindjeve fetare

2

Censurimi

5

Dëbimi

3

Refuzimi për shkak të ndërgjegjes

3

Gjithsej

19

Aplikimet në GJEDNJ për Azerbajxhanin deri më 31 janar 2014

Rastet e mëposhtme tregojnë disa çështje me të cilat përballen Dëshmitarët e Jehovait në Azerbajxhan që i shtyjnë të apelojnë në GJEDNJ për të kërkuar drejtësi.

  • Refuzohet kërkesa për riregjistrim

    Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait u regjistrua në Baku më 22 dhjetor 1999, dhe u riregjistrua më 7 shkurt 2002, nga Komiteti Shtetëror për Shoqatat Fetare (KSHSHF). Më 2009, qeveria e Azerbajxhanit amendoi Ligjin për Lirinë e Bindjeve Fetare dhe u kërkoi gjithë komuniteteve fetare të riregjistroheshin. Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait paraqiti aplikimin, por KSHSHF-ja e hodhi poshtë për arsye teknike. Ndonëse qeveria nuk e ka anuluar regjistrimin e vitit 2002, nuk pranon ta regjistrojë sipas ligjit të amenduar për fenë.

  • Sulme, provokime dhe përndjekje nga policia

    Dëshmitarët e Jehovait mblidhen çdo javë nëpër shtëpi për shërbesat e tyre fetare. Disa herë, policia ka hyrë me forcë në këto shtëpi dhe ka ndërprerë shërbesat fetare pa qenë e autorizuar. Ka trajtuar në mënyrë të panjerëzishme të pranishmit, i ka mbajtur për shumë orë në rajonin e policisë dhe u ka konfiskuar literaturën fetare që përdorin për adhurim. Disa Dëshmitarëve u kanë vënë gjoba të mëdha. Në vitin 2011, gjashtë Dëshmitarë në Ganja i shpallën fajtorë dhe u vunë një gjobë prej gjithsej afro 12.000 dollarësh amerikanë, ngaqë ndiqnin mbledhje fetare të paautorizuara nga qeveria. Rastet më të fundit të bastisjes nga ana e policisë ndodhën më 11 janar dhe 2 mars 2014.

  • Censurimi i literaturës

    Azerbajxhani është i vetmi shtet anëtar i Këshillit të Evropës * që ka vendosur një sistem të detyrueshëm censurimi për literaturën fetare që shkel vetë kushtetutën e tij. * Literatura biblike që importojnë Dëshmitarët nga shtete të tjera të Këshillit të Evropës, pas censurimit, mund të kufizohet në sasi ose të ndalohet. Ndër botimet e ndaluara janë shumë numra të revistës Kulla e Rojës, revista fetare gjysmëmujore e Dëshmitarëve të Jehovait. * Gjykatat në Azerbajxhan kanë hedhur poshtë kërkesat e Dëshmitarëve që binin ndesh me rregullat e censurës së KSHSHF-së.

Ndërkombëtarët vëzhgojnë mënyrën si i trajton Azerbajxhani komunitetet fetare

Disa organe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë shqyrtuar situatën dhe kanë shprehur vërejtjet e tyre të qarta lidhur me ligjin fetar në Azerbajxhan dhe mënyrën si i trajton komunitetet fetare.

  • Raporti vjetor i vitit 2013 i Komisionit të SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, thotë: «Pavarësisht nga pohimet e qeverisë azere për tolerancë, liria fetare është përkeqësuar, sidomos pas daljes së ligjit kufizues për fenë në vitin 2009.»

  • Një raport i Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (KERI) shprehu shqetësim të madh për kufizimet e vendosura për komunitetet fetare. Për ligjin fetar në Azerbajxhan, aty thuhet: «KERI rekomandon prerazi autoritetet azere që ta vendosin legjislacionin e tyre . . . në harmoni me kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.»

  • Komisioni i Venecies i Këshillit të Evropës publikoi rekomandimet e hollësishme për ndryshimin e Ligjit për Lirinë e Bindjeve Fetare në Azerbajxhan. Aty thuhej: «Duket se Ligji përmban disa masa tepër kufizuese të cilat janë kundër standardeve ndërkombëtare. . . . Nenet e ligjit që kanë të bëjnë me çështje kryesore si: shtrirja e ligjit, sa përfitojnë nga liria e fesë dhe e ndërgjegjes, regjistrimi, pavarësia dhe mbyllja e komuniteteve fetare; refuzimi për shkak të ndërgjegjes, çështja e prozelitizmit, botimi dhe shpërndarja e materialeve, duhen riformuluar.»

Liri të çmuara

Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën vlerësojnë së tepërmi liritë themelore të shprehjes, të të mbledhurit, të asocimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Ata u janë mirënjohës qeverive që ua lejojnë këto të drejta. Grupi i vogël i 2.500 Dëshmitarëve dhe i atyre që adhurojnë bashkë me ta në Azerbajxhan shpresojnë të gëzojnë liritë fetare që u jepen feve të tjera në këtë shtet.

^ par. 28 Azerbajxhani u bë shtet anëtar i Këshillit të Evropës më 25 janar 2001.

^ par. 28 Neni 48 mbron lirinë fetare dhe neni 50 ndalon censurimin e medias.

^ par. 28 Çdo muaj Dëshmitarët e Jehovait nxjerrin botimin për publikun të Kullës së Rojës, të cilin e shpërndajnë për t’u shpjeguar të tjerëve mësimet e Biblës. Nëpër kongregacione, ata përdorin botimin për studim si pjesë të programit të tyre javor të studimit të Biblës. Kulla e Rojës ka një tirazh mujor prej afro 60.000.000 kopjesh në më shumë se 200 gjuhë. Këto shifra e bëjnë revistën më të përhapur në botë.