Më 2 dhjetor 2016 policia e rrethit të Goranbojit në Azerbajxhan nxori para gjykatës vendëse Zijad Dadashovin për shkak të veprimtarive fetare si Dëshmitar i Jehovait. Katër burra nga fshati i tij dëshmuan se z. Dadashov u kishte folur për bindjet e tij dhe u kishte dhënë literaturë biblike. Shirzad Husejnovi, gjykatës në Gjykatën e Rrethit të Goranbojit, e shpalli fajtor për veprimtari fetare të paligjshme * dhe e gjobiti me 1.500 manat (846 dollarë amerikanë). Z. Dadashov nuk është dakord me vendimin dhe do ta apelojë.

Në të njëjtën zonë, Jareja Sulejmanova dhe Gulnaze Israfilova për shumë muaj kishin takuar një grua që i pëlqenin bisedat biblike. Si rrjedhojë, policia e rrethit të Goranbojit i akuzoi dy Dëshmitaret për veprimtari fetare «jashtë territorit ku janë regjistruar ligjërisht», dhe më 17 nëntor 2016 gjykatësi Ismajil Abduramanli i Gjykatës së Rrethit të Goranbojit i gjobiti të dyja me 2.000 manat (1.128 dollarë amerikanë). Ato po e apelojnë vendimin.

Xhejson Uajzi, avokat për të drejtat e njeriut në nivel ndërkombëtar, thotë: «Diskriminimi i Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan tregon mungesë respekti për Konventën Evropiane. Veprimet e autoriteteve të rrethit të Goranbojit bien në kundërshtim me standardet e lirisë fetare që ky vend pretendon se mbështet.»

^ par. 1 Dëshmitarët e Jehovait janë regjistruar si fe në Bakú, kryeqyteti i Azerbajxhanit. Z. Dadashov u akuzua se kishte shkelur nenin 515.0.4 të Kodit të Kundërvajtjeve Administrative, sipas të cilit shoqatat fetare nuk duhet të veprojnë «jashtë territorit ku janë regjistruar ligjërisht».