Kushtetuta e Azerbajxhanit u jep mundësi atyre që nuk pranojnë të bëjnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje të kërkojnë shërbim civil alternativ, por qeveria nuk ka adoptuar një ligj që e vë në zbatim këtë shërbim. Si rezultat, Dëshmitarët e Jehovait që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla, ndiqen penalisht dhe burgosen.

Azerbajxhani nuk përmbush detyrimet

Në kërkesën e vitit 1996 për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, Azerbajxhani u zotua (1) të adoptonte një ligj për shërbimin civil alternativ brenda dy vjetëve pas pranimit, (2) të falte të gjithë ata që ishin burgosur ngaqë nuk pranonin të bënin ushtrinë për arsye ndërgjegjeje dhe (3) të ofronte shërbimin civil alternativ. Por kanë kaluar më tepër se 13 vjet që kur Azerbajxhani u bë anëtar i Këshillit të Evropës dhe ende nuk i ka përmbushur zotimet që ka bërë.

Në raportin e tij monitorues të vitit 2011 për Azerbajxhanin, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) i Këshillit Evropian, pohonte: «ECRI-ja u bën thirrje autoriteteve të Azerbajxhanit që të adoptojnë menjëherë një ligj për shërbimin civil alternativ që përputhet me standardet evropiane. . . . [ECRI-ja] rithekson rekomandimin e saj të fortë se autoritetet nuk duhet t’i ndjekin penalisht ose t’i burgosin ata që kanë refuzuar shërbimin ushtarak, por duhet t’u japin mundësi të përmbushin detyrimet ndaj shoqërisë në mënyra që nuk bien ndesh me vendimin e tyre për të mos kryer shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.»

Rekrutohet me forcë dhe burgoset në mënyrë të paligjshme

Qeveria e Azerbajxhanit vazhdon ta shpërfillë të drejtën për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Më 23 gusht 2013, 17-vjeçari Kamran Shikhaliyev, një Dëshmitar i Jehovait, u paraqit për një vlerësim mjekësor në zyrën e Shërbimeve Shtetërore për Mobilizim dhe Rekrutim (SSMC) në Nizami, Baku. Në këtë rast dhe çdo herë që thirrej nga SSMC-ja, z. Shikhaliyev shpjegonte se ai refuzonte të kryente shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje dhe bënte kërkesë për shërbim civil alternativ. Më 8 tetor 2013, z. Shikhaliyev i dorëzoi SSMC-së një letër që zyrtarizonte kërkesën e tij për të kryer shërbim alternativ joushtarak. Kur z. Shikhaliyev u kthye në SSMC më 10 tetor 2013, autoritetet e Azerbajxhanit e rekrutuan me forcë. Policët e morën kundër vullnetit të tij dhe pastaj ia dorëzuan ushtrisë, e cila vazhdoi ta mbante në kazermat e saj.

Më 16 prill 2014, më tepër se gjashtë muaj pas mbajtjes së tij të paligjshme, Gjykata Ushtarake në Jalilabad e dënoi z. Shikhaliyev me një vit burg në një repart ushtarak disiplinor. Gjykata e konsideroi si ushtar të regjistruar që kishte dezertuar dhe e dënoi. Por z. Shikhaliyev nuk e kishte bërë betimin ushtarak, nuk kishte veshur uniformë ushtarake dhe as nuk kishte marrë pjesë në ndonjë veprimtari ushtarake. Për më tepër, ai nuk u kishte bërë bisht asnjëherë thirrjeve nga SSMC-ja, por ishte paraqitur sa herë e kishin thirrur dhe u kishte shpjeguar se ndërgjegjja nuk e lejonte të rrokte armë.

Z. Shikhaliyev apeloi dënimin, por Gjykata e Apelit në Shirvan e refuzoi apelimin e tij më 16 korrik 2014. Më dhjetor 2014, ushtria e transferoi në një repart disiplinor në Salyan të Azerbajxhanit, por nuk është e qartë nëse ushtria e konsideron këtë si fillimin e dënimit njëvjeçar. Z. Shikhaliyev shpreson se Gjykata e Lartë e Azerbajxhanit do ta pranojë apelimin e tij dhe do të njohë të drejtën e tij për të mos bërë shërbimin ushtarak.

Tabela kronologjike

  1. 17 shkurt 2015

    Gjykata e Krahinës Sabail në Baku urdhëron që Irina Zaharçenko dhe Valida Jabrajilova të paraburgosen për tre muaj, sepse mbi to rëndon akuza e shpërndarjes së paligjshme e literaturës fetare

  2. Dhjetor 2014

    Kamran Shikhaliyev e transferojnë në një batalion disiplinor në Salyan të Azerbajxhanit.

  3. 16 shtator 2014

    Kamran Shikhaliyev vazhdon të mbahet në kazerma në mënyrë të paligjshme dhe nuk ka filluar ende të vuajë dënimin e tij njëvjeçar.

  4. 16 prill 2014

    Kamran Shikhaliyev dënohet me një vit në një repart ushtarak disiplinor ngaqë refuzoi shërbimin ushtarak.

  5. 10 tetor 2013

    Shërbimi Shtetëror për Mobilizim dhe Rekrutim rekruton me forcë Kamran Shikhaliyev dhe e çon kundër vullnetit të tij në një repart ushtarak.

  6. 12 mars 2013

    Kamran Mirzayev, një Dëshmitar i Jehovait, dënohet me nëntë muaj burg sepse refuzoi të bënte shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Më vonë, ndërsa vuante dënimin, përfiton nga një amnisti e përgjithshme dhe e lirojnë para kohe.

  7. 25 shtator 2012

    Fakhraddin Mirzayev, një Dëshmitar i Jehovait, dënohet me një vit burg sepse refuzoi të bënte shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

  8. 8 shtator 2010

    Farid Mammadov, një Dëshmitar i Jehovait, dënohet me nëntë muaj burg sepse refuzoi të bënte shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

  9. 19 gusht 2009

    Mushfig Mammedov arrestohet përsëri ngaqë refuzonte të bënte shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, e futin në paraburgim dhe e gjobitin pas shpalljes fajtor për herë të dytë.

  10. 7 mars 2008

    Avokatët e Mushfig Mammedov dhe Samir Huseynov i drejtohen Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ngaqë Azerbajxhani ndjek penalisht ata që refuzojnë të bëjnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

  11. 4 tetor 2007

    Samir Huseynov, një Dëshmitar i Jehovait, dënohet me dhjetë muaj burg sepse refuzonte të bënte shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

  12. 2006

    Mushfig Mammedov, një Dëshmitar i Jehovait, mbahet në paraburgim, shpallet fajtor sepse refuzonte të bënte shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje dhe dënohet me gjashtë muaj liri me kusht.