Programi i shërbimit alternativ civil në Armeni ka nisur të zbatohet që prej një viti dhe me sukses. Të rinjtë e parë që kanë marrë pjesë në programin e ri janë Dëshmitarë të Jehovait të cilët punojnë në forma dobiprurëse të shërbimit publik, në vend që të vuajnë dënime me burg ngaqë refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

Që nga 1985-a në Armeni, të rinjtë Dëshmitarë që refuzonin shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, nuk kishin zgjedhje tjetër përveçse të shkonin në burg. Ngaqë nuk kishte asnjë ligj që të mundësonte shërbimin alternativ civil, gjatë një periudhe 20-vjeçare u burgosën më shumë se 450 Dëshmitarë, shpesh në kushte mjaft të vështira. Kjo ndryshoi në qershor të 2013-s kur Armenia shtoi amendamente në ligjin e saj për shërbimin alternativ.

Më 23 tetor 2013, Komiteti Republikan i Armenisë miratoi kërkesat e para për shërbim alternativ civil të 57 personave që kishin refuzuar shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, të gjithë Dëshmitarë të Jehovait *. Më vonë, ky komitet përfshiu Dëshmitarë të tjerë në program. Javën që filloi më 13 janar 2014, shtatëdhjetë e një të rinj Dëshmitarë nisën punën që u ishte caktuar. Deri në fund të 2014-s, 126 Dëshmitarë punonin në caktime të ndryshme të shërbimit alternativ civil.

Suksesi i programit

Suksesi i programit të shërbimit alternativ civil duket qartë nga komentet e drejtuesve, të përgjegjësve dhe të shokëve të punës, të cilët kanë vënë re etikën e mirë në punë, gatishmërinë për të ndihmuar dhe ndershmërinë e të rinjve Dëshmitarë. Disa anëtarë të Komitetit Republikan janë shprehur se Dëshmitarët po kryejnë një shërbim të dobishëm për qeverinë armene dhe po punojnë me zell në detyrat e tyre.

  • «Ju djema po bëni një punë të shkëlqyer për vendin me një pagë të papërfillshme. Dukeni që jeni punëtorë të palodhur.»​—Përgjegjësi i Shërbimeve për Komunitetin në Jerevan/Shengavit.

  • «Bravo ju qoftë! Përpiqeni të jetoni sipas parimeve të krishtere dhe në të njëjtën kohë përpiqeni të jeni të dobishëm për shoqërinë.»​—Infermiere në një jetimore ku janë caktuar të punojnë Dëshmitarë.

  • «A ka të tjerë si ju? Të vijnë të punojnë për mua!»​—Drejtori i Shërbimeve për Komunitetin në Jerevan/Arabkir.

Dëshmitarët në shërbimin alternativ civil pastruan dhe zbukuruan një park në qendër të Jerevanit, pranë Sheshit të Republikës.

Edhe Dëshmitarët që marrin pjesë në programin e shërbimit alternativ civil kanë komentuar pozitivisht për të.

  • «Gëzoj dashurinë dhe respektin e shokëve të punës. Një herë kur isha sëmurë dhe duhej të rrija në shtëpi, ata më morën në telefon për të më pyetur si isha. E shoh gjithë këtë si një bekim sepse më lejon t’i shërbej Perëndisë pa asnjë shqetësim.»​—Gevorg Taziyan, caktuar si ndihmësshofer në Divizionin Territorial për Shërbimet e Shpëtimit pranë Ministrisë së Situatave Emergjente.

  • «Në vendin e punës kemi marrëdhënie të mira me administratën dhe stafin. Duke parë si janë kujdesur për ne, edhe ne jemi përpjekur të kujdesemi për ta. Ka pasur raste kur na kanë caktuar punë që s’ishin përgjegjësia jonë, por i kemi kryer.»​—Samvel Abrahamyan, caktuar si kopshtar në Spitalin Psikiatrik të Sevanit.

  • «Më 14 janar 2014, 13 prej nesh filluan të punonin në Ministrinë e Situatave Emergjente. Qysh atëherë e deri më sot, kemi pasur marrëdhënie të mira me të gjithë. Nuk kemi fare mosmarrëveshje me administratën. Atyre u bën përshtypje mënyra si e bëjmë punën të gjithë bashkë.»​—Artsrun Khachatryan, caktuar si kopshtar në Ministrinë e Situatave Emergjente.

Një arsye pse programi i shërbimit alternativ civil në Armeni pati sukses që në fillim, është bashkëpunimi i drejtuesve dhe i përgjegjësve që e administrojnë, bashkë me qëndrimin pozitiv dhe etikën e mirë të punës të Dëshmitarëve. Dëshmitarët e Jehovait në Armeni janë mirënjohës që mund t’i shërbejnë vendit pa bërë kompromis me bindjet e tyre fetare ose pa i burgosur ngaqë refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

^ par. 4 Për më shumë informacion, shih artikullin «Armenia ofron shërbimin civil alternativ»