NJU-JORK—Dëshmitarët e Jehovait, që njihen për veprën e tyre mbarëbotërore të arsimimit biblik, po vlerësohen për cilësinë e lartë në dizenjimin dhe ndërtimin e godinave që mbrojnë mjedisin.

Organizata Green Building Initiative (GBI) dha certifikata vlerësimi për dy godina të reja të degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara, në Uollkill të Nju-Jorkut: për godinën e banimit F të Fermave Watchtower, që përfundoi nga fundi i 2012-s, dhe për godinën e zyrave të Watchtower në Uollkill, që përfundoi më 2014. Për të dyja godinat u dha çmimi më i madh «Katër globe të gjelbërta».

Godina e zyrave të Watchtower në Uollkill

Shaina Sullivan, drejtoreshë e marketingut për GBI-në, thotë: «Në të gjithë botën, këtë certifikatë me vlerësimin maksimal, ‘Katër globe të gjelbërta’, kanë arritur ta marrin më pak se 4 për qind e tërë godinave të inspektuara nga programi ynë.» Znj. Sullivan shtoi se godina e zyrave të Watchtower në Uollkill «është projekti i parë jorezidencial në shtetin e Nju-Jorkut që fiton këtë vlerësim». Jenna Middaugh, menaxhere projektesh për GBI-në, u shpreh: «Nga të 23 godinat [në Shtetet e Bashkuara] që kanë marrë certifikatën ‘Katër globe të gjelbërta’ që nga viti 2006, godina e zyrave të Watchtower në Uollkill arriti rezultatin më të lartë prej 94 për qind.»

Godina e banimit F e Fermave Watchtower

GBI-ja jep globe të gjelbërta si një sistem komercial vlerësimi dhe program certifikimi që përdor një palë të tretë për inspektimin në terren të projekteve dhe të ndërtimeve që mbrojnë mjedisin. Për të marrë çmimin e globeve të gjelbërta kërkohen projekte që respektojnë mjedisin. Ato duhet të përqendrohen te menaxhimi i ujit, minimizimi i konsumit të energjisë dhe i emetimit të gazeve që shkaktojnë efektin serrë, duke ndikuar sa më pak te burimet natyrore nëpërmjet zgjedhjes së materialeve të përshtatshme dhe krijimit të një ambienti të brendshëm të shëndetshëm.

Panelet fotovoltaike sigurojnë të paktën 10 për qind të nevojave të energjisë elektrike për godinën e zyrave të Watchtower në Uollkill, veçori e projektit të kësaj godine që fitoi çmimin.

David Bean, koordinator i projekteve që mbrojnë mjedisin, për godinat e Dëshmitarëve në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Marrja e këtyre çmimeve dëshmon për standardin e lartë në dizenjim dhe ndërtim që vendosim për të gjitha projektet tona. Gjithashtu, po synojmë të marrim certifikatën e globeve të gjelbërta edhe në dizenjimin dhe ndërtimin e selisë sonë të re botërore në Uoruik, Nju-Jork.»

Shtrimi i një tarrace të gjelbërt, një nga veçoritë në selinë e re botërore të Dëshmitarëve në Uoruik, Nju-Jork, e cila mbron mjedisin.

Zeny St. Jean, që koordinon projektet mbarëbotërore të ndërtimit për Dëshmitarët e Jehovait nga selia e tyre botërore, pohon: «Ndonëse qëllimi ynë kryesor është të nxitim arsimimin biblik, i vlerësojmë këto çmime si njohje profesionale e përpjekjeve tona të ndërgjegjshme për të realizuar anembanë botës projekte dhe ndërtime që mbrojnë mjedisin.»

Zëdhënësi(t) për mediat

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000