NJU-JORK—Të hënën, më 29 korrik 2013, Dëshmitarët e Jehovait nisën zyrtarisht ndërtimin e selisë së re botërore në Uoruik, Nju-Jork, pasi morën miratimin vendimtar nga autoritetet vendore.

Të mërkurën, më 17 korrik, bordi i planit urbanistik të qytetit Uoruik miratoi unanimisht projektin e ndërtimit të selisë së re botërore të Dëshmitarëve. Ky ishte miratimi i fundit që nevojitej për të filluar ndërtimin, dhe u dha fiks katër vjet pasi Dëshmitarët blenë pronën në Uoruik, më 17 korrik 2009. Pasi morën lejen e parë të ndërtimit të premten, më 26 korrik, Dëshmitarët nisën punën dhe gërmimet për themelet të hënën, më 29 korrik.

Gatishmëria e Dëshmitarëve për të bërë një projekt që mbron mjedisin, ishte një faktor kyç për miratimin unanim nga bordi i planit urbanistik të qytetit. Për shembull, për të ruajtur mjedisin, do të ngrihet një barrikadë kundër erozionit, e cila siguron edhe mbrojtje deri në njëfarë perimetri për botën e egër, si për shembull për gjarpërinjtë me zile, që do të mbahen larg kantierit të ndërtimit, pa i vënë në rrezik.

«Jemi shumë të kënaqur që po bashkëpunojmë me zyrtarët në Uoruik dhe që po e çojmë përpara projektin,—thotë Richard Devine, një zëdhënës i Dëshmitarëve.—Ky miratim nga bordi i urbanistikës është një hap tejet i rëndësishëm për shpërnguljen e selisë sonë botërore nga Brooklyn në Uoruik.» Enrique Ford, i cili bën pjesë në komitetin e projektit të ndërtimit të Dëshmitarëve bashkë me z. Devine, shton: «Marrja e lejes në korrik për projektin dhe për qëllimin e veçantë të këtij ndërtimi, ishte hapi i parë madhor drejt përfundimit të projektit brenda katër vjetësh.»

Më parë, pronën e kishte firma International Nickel Company që e përdori nga viti 1960 deri më 1987 për qëllime të ndryshme, si qendër zyrash dhe godina për kërkim e zhvillim. Pas katër vjetësh e pashfrytëzuar, pronën e mori King’s College me synimin për ta kthyer në një qendër universitare. Kjo nuk u arrit kurrë dhe prona mbeti e lirë për më tepër se dy dekada, deri sa e blenë Dëshmitarët në vitin 2009.

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000