Kjo është Pjesa 1 e një serie me tri pjesë.

Autoritetet ruse po përpiqen të mbyllin entin ligjor kombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait, me pretekstin se zhvillon «veprimtari ekstremiste». Kjo do të çonte në ndalimin e Dëshmitarëve në gjithë federatën. Dëshmitarët po apelojnë akuzat kundër tyre dhe ligjshmërinë e paralajmërimit kundër Qendrës së tyre kombëtare Administrative.

Për çështjen e Dëshmitarëve si dhe për metodën e përgjithshme ruse për të luftuar «ekstremizmin», u bënë intervista ekskluzive me studiues të njohur të fesë, të politikës dhe të sociologjisë, si dhe me ekspertë të studimeve sovjetike dhe postsovjetike.

A mendoni se grupe fetare jo të dhunshme, si Dëshmitarët e Jehovait, duhet të shpallen «ekstremiste» dhe të ndalohen në gjithë federatën?

  • Prof. Uilliam Boringu

    «Jo. Mendoj se është absurde dhe e pakuptimtë që Dëshmitarët e Jehovait të konsiderohen ‘ekstremistë’.»—Profesor Uilliam Boringu, profesor i juridikut, drejtor në Fakultetin e Drejtësisë në Birkbek, (LLM/MA Human Rights), Universiteti i Londrës; avokat i Middle Temple dhe i Gray’s Inn, Mbretëria e Bashkuar

  • Dr. Ekaterina Elbakjani

    «E kam studiuar jetën e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi dhe jam e bindur se është organizatë fetare absolutisht paqësore me një histori të gjatë në Federatën Ruse (mbi 100 vjeçare). Këta besimtarë nuk kanë fare lidhje me ekstremizmin. Mirëpo, për arsye që vështirë t’i kuptosh, gjykata i shpall ekstremistë tamam si kriminelë terroristë të arrestuar, vetëm se mblidhen bashkë dhe kryejnë shërbesa fetare, diskutojnë për Biblën dhe këndojnë këngë për Zotin.»—Dr. Ekaterina Elbakjani, profesoreshë e sociologjisë dhe e menaxhimit të çështjeve sociale, Akademia e Punës dhe e Marrëdhënieve Sociale në Moskë; anëtare e Shoqatës Evropiane për Studimin e Fesë; kryeredaktore e Fjalorit Westminster për Termat Teologjikë, botimi në rusisht, e Studimit të Fesë dhe e Enciklopedisë së Feve, Rusi

  • Dr. Roman Lunkini

    «Procedurat gjyqësore kundër Dëshmitarëve kanë zbuluar dy karakteristika kryesore të një politike të re fetare të viteve 2000: së pari, kjo politikë është ksenofobe dhe synon të ndalojë ndikimin e Perëndimit; së dyti, akuzat kundër Dëshmitarëve bazohen në stereotipe dhe argumente antifetare të trashëguara nga periudha sovjetike. Gjithë këto mangësi dhe mënyra si trajtohen komunitetet ‘jotradicionale’ janë tipike në çështjet gjyqësore kundër Dëshmitarëve të Jehovait.»—Dr. Roman Lunkini, kryetar i Qendrës për Studimet mbi Fenë dhe Shoqërinë në Institutin e Evropës, Akademia Ruse e Shkencave në Moskë; president i Lidhjes së Specialistëve të Fesë dhe të Ligjit, Rusi

  • Dr. Dmitri Uzlaneri

    «Problemi më i madh i strategjisë ruse për fenë është krijimi gradual i një mekanizmi shtetëror shtypës antifetar që synon të kontrollojë e të kufizojë veprimtaritë fetare. Nuk e kam fjalën vetëm për ligjet e reja kundër ekstremizmit a prozelitizmit, por edhe për keqpërdorimin e fuqisë nga pushtetet ekzekutive dhe vendore. Ky mekanizëm është përdorur shpesh kundër grupeve paqësore që i binden ligjit.»—Dr. Dmitri Uzlaneri, studiues, Shkolla e Moskës për Shkencat Sociale dhe Ekonomike; kryeredaktor i gazetës Shteti, Feja dhe Kisha, Rusi

  • Dr. Ludmilla Filipoviçi

    «Vetëm ngaqë Dëshmitarët e Jehovait njohin Zotin si autoritet suprem, autoritetet nuk i kanë me sy të mirë, prandaj i ndalojnë. Vendimi për Dëshmitarët e Jehovait është marrë tashmë: ata s’duhet të ekzistojnë në Rusi. Gjykatat vetëm sa po i veshin vendimit mantelin e ligjit.»—Dr. Ludmilla Filipoviçi, profesoreshë dhe shefe e Departamentit të Historisë së Feve dhe të Studimeve Praktike, Instituti i Filozofisë pranë Akademisë Kombëtare të Shkencave; zëvendëspresidente e Shoqatës Ukrainase të Studiuesve të Fesë (SHUSF), Ukrainë

  • Dr. Ringo Ringve

    «Të përdorësh të njëjtat taktika e mënyra—që përdoren për grupe që nxitin dhunë, urrejtje fetare e që kanë synime terroriste—për një fe që as është e as ka një të kaluar të dhunshme dhe që u kushtohet ideve paqësore, nuk është vetëm ekstreme, por as ka ndonjë justifikim logjik. Çdo qeveri në botë sot ka sfida shumë më të mëdha se t’u kundërvihen Dëshmitarëve të Jehovait që nuk merren me politikë, e që presin paqësisht të vijë Mbretëria e Perëndisë.»—Dr. Ringo Ringve, këshilltar për Çështjet Fetare në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Estonisë; profesor i specializuar për krahasimin mes feve pranë Institutit Teologjik të Kishës Luterane Evangjeliste të Estonisë, Estoni

  • Sër Endrju Udi

    «Rusia nuk është i vetmi shtet që ka ligje kundër ekstremizmit. Në thelb, termi është i mjegullt dhe subjektiv. Nuk jam avokat, por do të doja që ligji rus të ishte i qartë siç është e qartë lidhja mes ekstremizmit dhe ligjit të Mbretërisë së Bashkuar për krimin që nxit dhunën. Sipas ligjeve ruse duket se është e jashtëligjshme të kesh opinione ndryshe nga ata që kanë pushtetin. Kështu po përdoren ligjet edhe kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Me sa di unë, s’ka ndonjë të dhënë që Dëshmitarët e Jehovait nxitin të tjerët drejt dhunës. Përkundrazi, nxitin paqen.»—Sër Endrju Udi, anëtar i programit rus dhe euroaziatik, Chatham House, Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare; ish-ambasador i Britanisë në Rusi (1995-2000), Mbretëria e Bashkuar

  • Dr. Xhejms Kristi

    «Me sa di dhe nga sa i njoh vetë Dëshmitarët, s’kam asnjë bazë të besoj se në fenë e tyre ka ndonjë gjurmë ekstremizmi.»—Dr. Xhejms Kristi, profesor i dialogut teologjik, drejtor i Institutit Ridd për Fenë dhe për Politikën Botërore, drejtues i Master of Divinity Programme, Qendra e Bashkuar për Studime Teologjike, Universiteti i Vinipegut; drejtues i Project Ploughshares, Conrad Grebel University College, Universiteti i Vaterlosë, Kanada

  • Dr. Xhorxh Krisajdsi

    «Legjislacioni ka disa probleme që ndikojnë te Dëshmitarët e Jehovait. E kufizon seriozisht lirinë fetare, duke shkelur Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në veçanti nenin 18, i cili specifikon të drejtën që feja të praktikohet privatisht ose publikisht. Fjala ‘ekstremist’ është e mjegullt. Fillimisht jepte idenë e organizatave që kryenin akte terrori dhe dhune. Ky përshkrim nuk u përshtatet fare Dëshmitarëve të Jehovait, që janë plotësisht kundër luftës dhe dhunës së çdo lloji. E kuptoj se në legjislacionin rus ky term pjesërisht lidhet me ‘nxitjen e mosmarrëveshje raciale, etnike ose fetare’, që prapë kurrsesi nuk përshkruan me saktësi Dëshmitarët e Jehovait. Ata janë një organizatë ndërkombëtare e multiraciale, të vendosur që të mbledhin njerëz të të gjitha racave e gjuhëve.»—Dr. Xhorxh Krisajdsi, ish-kryetar i studimeve fetare, Universiteti i Ulvërhamtënit; studiues i nderuar i fesë bashkëkohore në Universitetin Sent-Xhon të Jorkut dhe në Universitetin e Birmingamit, Mbretëria e Bashkuar

  • Dr. Silvio Ferrari

    «Mendoj se masat ligjore ruse për ekstremizmin fetar dhe zbatimi i tyre për Dëshmitarët e Jehovait dhe për grupe të tjera fetare janë shembulli më i shëmtuar i procesit të sigurisë së feve dhe të lirisë fetare, që në një formë më të butë, vërehet edhe në vende të tjera evropiane. Dy janë aspektet e tyre më shqetësuese—së pari lejojnë Shtetin të ndërhyjë tepër në doktrina të brendshme e në organizimin e komuniteteve fetare, dhe së dyti shkaktojnë diskriminim mes komuniteteve fetare.»—Dr. Silvio Ferrari, president, titullar nderi, Lidhja Ndërkombëtare për Studimet mbi Ligjin dhe Fenë; bashkëkryeredaktor, Revista e Oksfordit për Ligjin dhe Fenë; bashkëthemelues, Lidhja Evropiane për Kërkimet mbi Kishën dhe Shtetin; profesor i juridikut, i fesë dhe i ligjit kanonik, Universiteti i Milanos, Itali

  • Prof. Elizabeta Klarku

    «Përdorimi i legjislacionit kundër ekstremizmit për të ndaluar grupe jo të dhunshme, si Dëshmitarët e Jehovait, është abuzim i qartë me një ligj të mjegullt. Me këtë përkufizim të gjerë të ‘ekstremizmit’ nga prokurorët e gjykatat, mund të paditet çdo fe. Nëse diçka nuk përbën ndonjë kërcënim domethënës, dhe deri tani asnjë nuk e ka supozuar këtë për Dëshmitarët e Jehovait, ndalimi i tyre shkel Kushtetutën Ruse dhe ligjin ndërkombëtar.»—Profesoreshë Elizabeta Klarku, përgjegjëse dhe këshilluese rajonale për Evropën Qendrore dhe Lindore në Qendrën Ndërkombëtare për Ligjin dhe Studimet Fetare, Brigham Young University, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Zoi Noksi

    «Nëse çdo gjë jotradicionale dhe e ndryshme mund të përkufizohet ‘ekstremiste’, njerëzit në pushtet mund ta përdorin termin për të arritur synimet e veta. Me sa duket, ky përkufizim i gjerë përfshin edhe Dëshmitarët e Jehovait, ngaqë bindjet e tyre nuk janë tradicionale dhe jo se janë vërtet kërcënim. Nga diskutimet mediatike deri te qëndrimet politike vihet re se Dëshmitarët e Jehovait po vazhdojnë të trajtohen njësoj si gjatë periudhave sovjetike dhe postsovjetike.»—Dr. Zoi Noksi, docente e historisë moderne ruse, Universiteti i Leiçesterit, Mbretëria e Bashkuar

  • Dr. Erik Patersoni

    «I ashtuquajturi ligj kundër ekstremizmit ka një problem: është projektuar të shënjestrojë minoritetet fetare, jo terroristët.»—Dr. Erik Patersoni, profesor dhe dekan, Robertson School of Government, Regent University, Shtetet e Bashkuara

  • Prof. Frenk Raviçi

    «Për aq kohë sa përkufizimi i termit ‘ekstremist’ nuk do të thotë të jesh jashtë norme, është qesharake t’i quash ekstremistë Dëshmitarët e Jehovait. Është kundër gjithçkaje që kuptoj për teologjinë dhe ideologjinë e Dëshmitarëve.»—Profesor Frenk Raviçi, profesor i juridikut, Walter H. Stowers Chair of Law and Religion, Universiteti Shtetëror i Miçiganit, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Alar Kilpi

    «Krizat dhe konfliktet politike ndikojnë goxha te feja. Arsyet e luftës më intensive kundër ekstremizmit në Rusi janë me natyrë politike, jo fetare. Për momentin, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi janë bërë viktima pa pasur faj.»—Dr. Alar Kilpi, lektor i politikave krahasuese, Instituti i Qeverisë dhe i Politikave, Universiteti i Tartusë; bashkëorganizator i programit «Feja dhe Politika në Rusi dhe në Evropën Lindore», Qendra e Studimeve për Bashkimin Evropian dhe Rusinë, Estoni

  • Dr. Emili Barani

    «Qëndrimi i shtetit kundër Dëshmitarëve të Jehovait ka një histori të gjatë në Rusi që i ka rrënjët në periudhën sovjetike. Gjatë periudhës sovjetike Dëshmitarët e Jehovait nuk pranuan të votonin, të shërbenin në ushtri, të blinin letra me vlerë, të bashkoheshin me Partinë Komuniste ose të mbështetnin ideologjinë shtetërore. Edhe nën presion të jashtëzakonshëm për të hequr dorë nga besimi, ata vazhduan të takoheshin në shtëpi private dhe t’u flitnin të tjerëve për besimin. Vendosmëria e tyre për të mos mbështetur pushtetin sovjetik çoi në dekada përndjekjeje të egër, përfshirë edhe internimin masiv në zona të largëta në Siberi. Shteti sovjetik i arrestoi dhe i burgosi Dëshmitarët për dekada me radhë, madje duke i ndarë fëmijët nga familjet. Për më tepër, bëri propagandë të bujshme se Dëshmitarët ishin kriminelë, tradhtarë dhe anormalë. Nuk është çudi që Bashkimi Sovjetik ka lënë si trashëgimi armiqësinë dhe përndjekjen, edhe pse është shpërbërë mbi 20 vjet më parë.»—Dr. Emili Barani, asistente profesoreshë e historisë së Rusisë dhe të Evropës Lindore, Middle Tennessee State University, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Xhampiero Leo

    «Veprimet e Rusisë më duken goxha ekstremiste, veçanërisht në një kohë dramatike si kjo, gjatë së cilës duhet të jetë e qartë kush dhe çfarë janë ‘ekstremistët’ e vërtetë. Dëshmitarët e Jehovait janë lëvizje fetare që sjell paqe; mendimet dhe lloji i lëvizjes janë absolutisht jo të dhunshme.»—Dr. Xhampiero Leo, zëvendëspresident i Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Rajonin e Piedmontit, Itali

  • Znj. Melisa Huperi

    «Në thelb, ligji është i paarsyeshëm. Gjuha e ligjit mund të përdoret nga forcat e rendit për të arrestuar ose për të kërcënuar individë me pikëpamje fetare jo të përhapura ose që qeveria thjesht nuk i pëlqen. Shembuj tipikë janë arrestimet e Dëshmitarëve të Jehovait, të grupeve të tjera të vogla dhe, madje, të ateistëve. Kryesisht ligji është përdorur që të mbrojë pikëpamjet ortodokse të mbështetura nga qeveria dhe të ndëshkojë pikëpamjet që duken si alternative ose që kërcënojnë ortodoksinë.»—Znj. Melisa Huperi, avokate, drejtoreshë e International Law Scholarship Project/Pillar Project, Human Rights First; ish-drejtoreshë rajonale e American Bar Association Rule of Law Initiative në Moskë, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Bazili Groeni

    «Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait janë fe e krishterë dhe i bazojnë në Bibël bindjet e tyre, shumë rusë i konsiderojnë ‘jo të krishterë’, ‘jo patriotë’, (sepse Dëshmitarët nuk kryejnë shërbim ushtarak), ‘kërcënim’ dhe të tjera si këto. Jo, mendoj se përcaktimi ‘ekstremistë’ nuk është i saktë.»—Dr. Bazili Groeni, UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën), drejtues i Programit për Dialog Ndërkulturor e Ndërfetar për Evropën Juglindore; profesor i liturgjisë dhe i teologjisë sakramentale, drejtor i Institutit të Liturgjisë, Artit të Krishterë dhe Himnologjisë, Universiteti i Gracit, Austri

  • Z. Erik Rasbaku

    «Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi duhet t’u jepet mundësia të praktikojnë besimin, njësoj si në vende të tjera. E drejta themelore e njeriut për të besuar në një fe dhe për ta praktikuar hapur, mbrohet nga shumë marrëveshje për të drejtat e njeriut dhe nga ligje kombëtare, ku përfshihen Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta Ruse. Dëshmitarëve të Jehovait duhet t’u garantohet plotësisht kjo e drejtë.»—Z. Erik Rasbaku, zëvendëskëshilltar i përgjithshëm, Fondi Beket për Lirinë Fetare, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Shon Pitërsi

    «Habitem dhe jam tejet i shqetësuar që Dëshmitarët e Jehovait cilësohen ‘ekstremistë’, mënyrë që duket e menduar mirë për të keqparaqitur qëllimet e sinqerta fetare të besimtarëve. Përkushtimi i thellë i Dëshmitarëve për të praktikuar dhe për të përhapur fenë e tyre vështirë se paraqet kërcënim për shtetin rus, dhe ndalimi i tyre, jo vetëm që nuk i kontribuon aspak sigurisë dhe rendit publik në Rusi, por edhe dëmton rëndë lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut.»—Dr. Shon Pitërsi, kryelektor i fesë dhe i juridikut në Universitetin e Viskonsinit, Shtetet e Bashkuara

  • Prof. Robert Bliti

    «Përgjigjja shkurt është jo. Së pari, një përfundim i tillë bazohet te një përkufizim tepër i gjerë i ekstremizmit që nuk specifikon qartë format e dhunës a të urrejtjes, si bazë për shkelje; në vend të kësaj përfshin të gjitha format e shprehjes së dhunës dhe të urrejtjes. Së dyti, ndalimi i hapur i organizatës, mund të jetë shenjë se qeveria ishte e paaftë të gjente mënyra të tjera për të ndaluar ekstremizmin. Masat ndëshkimore ekstreme që ka ndërmarrë qeveria duhet të sinjalizojnë të bëhet një hetim gjyqësor i pavarur për t’u siguruar nëse vendimet e qeverisë janë në masën e duhur dhe të nevojshme për të trajtuar këtë kërcënim të supozuar. Ndonëse grupe fetare si Dëshmitarët e Jehovait nuk meritojnë të cilësohen ekstremistë ose të ndalohen, një gjë e tillë ndodh për shkak të strukturës së mangët ligjore që sapo përmendëm.»—Profesor Robert Bliti, profesor i juridikut në Universitetin e Tenesit; ish-specialist i ligjit ndërkombëtar, Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (USCIRF), Shtetet e Bashkuara

  • «Aspak! Mendoj se është gabim dhe se nuk shkon me një politikë në favor të lirisë së fesë.»—Profesor Paskuale Ferrara, ndihmësprofesor, shef diplomacie në Departamentin e Shkencave Politike Libera Università internazionale degli Studi Sociali Guido Carli (LUISS), shef i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe i Integrimit, Instituti Universitar «Sofia», Figline e Incisa Valdarno, Itali

  • Dr. Havier Martinez-Toroni

    «Nuk jam dakord me disa bindje të Dëshmitarëve të Jehovait, por mendoj se është e gabuar dhe e ekzagjeruar t’i quash ‘ekstremistë’ sipas kuptimit që synojnë të përcjellin autoritetet ruse.»—Dr. Havier Martinez-Toroni, profesor i juridikut, drejtor i Departamentit të Ligjit dhe të Fesë, Complutense University School of Law, Spanjë

  • Dr. Xhim Bekfordi

    «Elementë brenda Kishës Ortodokse Ruse komplotojnë me autoritetet, që të mbështetin interesat e tyre dhe të shtypin këdo që e shohin si konkurrent.»—Dr. Xhim Bekfordi, anëtar i Akademisë Britanike; profesor i merituar i sociologjisë, Universiteti i Uoruikut; ish-president i Shoqatës për Studime Shkencore mbi Fenë (SHBA), Mbretëria e Bashkuar

  • Dr. Gerard Besieri

    «Një rus i vërtetë, nëse është i krishterë, është pjesëtar i Kishës Ortodokse Ruse. Rusët që i përkasin organizatës ‘së gabuar’ fetare, mënjanohen e përjashtohen nga shoqëria. Prandaj, të drejtat civile të Dëshmitarëve të Jehovait po shkelen me të dyja këmbët.»—Dr. Gerard Besieri, profesor i merituar, studimet evropiane, Technische Universität Dresden; lektor në Universitetin e Stenfordit; drejtor i Institutit Sigmund Nojman për Kërkimet mbi Lirinë dhe Demokracinë, Gjermani

  • Dr. Mark Elioti

    «Mendoj se armiqësia ndaj Dëshmitarëve të Jehovait nuk lidhet shumë me bindjet dhe shkrimet e tyre, sesa me suksesin për t’i bërë njerëzit pjesëtarë të organizatës së vet. Si për çudi, numri i tyre është rritur, pjesërisht ngaqë ‘lulëzojnë në përndjekje’. Madje, gjatë periudhës sovjetike internimet dolën për mirë. Në vitet 51-52 gati 7.000 Dëshmitarë u dëbuan në Azinë Qendrore dhe në Siberi, dhe kjo vetëm sa e përhapi më tej mesazhin që predikonin. Ndaj, prania e tyre kudo në vend ishte vepër e paqëllimshme e Kremlinit, si edhe e predikimit të Dëshmitarëve. Siç i mbijetuan shtypjes sovjetike, pritet që Dëshmitarët e Jehovait t’i mbijetojnë edhe ndalimit ligjor të tanishëm.»—Dr. Mark Elioti, themelues i buletinit East-West Church and Ministry Report, Universiteti i Asbërit, Kentaki, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Rezhi Derihburi

    «Me aq sa di unë, nuk ekziston një shpjegim sociologjik për ekstremizmin si koncept. Ekstremizmi është një koncept politik që përdoret në vendet demokratike ku ka parti të majta, të djathta dhe të qendrës. Ama është e vështirë ta përdorësh për një fe epitetin ekstremist. Disa grupe fetare janë më të zellshme se grupe të tjera (p.sh., luten më shumë se të tjerët ose kanë zakone të veçanta që lidhen me ushqimin dhe agjërimin) ose kërkojnë nga besimtarët të kenë parime morale më strikte se të tjerët. Dëshmitarët e Jehovait janë të zellshëm në praktikat e tyre fetare; mblidhen më shpesh se anëtarët e feve të mëdha, por mbledhje të tilla të shpeshta bëjnë edhe judenjtë e devotshëm. Dëshmitarët ndihen të shtyrë të përhapin besimin e tyre, duke predikuar në rrugë dhe derë më derë. Kanë standarde morale më kërkuese se të një anëtari të zakonshëm të një kishe kryesore dhe nxiten të jenë të ndershëm në punë, në marrëdhënie me fqinjët, besnikë në martesë, të sjellshëm dhe të mos u bëjnë keq të tjerëve. Ata refuzojnë shërbimin ushtarak, sepse nuk duan të vrasin njerëz në luftë. E gjithë kjo pasqyron një përkushtim më të madh se të kishave kryesore, ama nuk paraqet asnjë rrezik për shoqërinë. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë fondamentalistë, sepse nuk duan të uzurpojnë pushtetin për të vendosur teokracinë (për ta, teokracia do të vijë vetëm sipas vullnetit të Perëndisë). Nuk duan të krijojnë një shoqëri të qeverisur nga parimet e tyre, si islamikët radikalë. Dëshmitarët thjesht studiojnë Biblën dhe jetojnë sipas interpretimit që i bëjnë Biblës. Kjo është zgjedhja e tyre. I vetmi problem për shoqërinë është të dinë nëse janë të rrezikshëm apo jo. Përgjigjja ime është ‘Jo’. Dëshmitarët janë asnjanës dhe nuk përfshihen në politikë. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, nuk kryejnë sulme.»—Dr. Rezhi Derihburi, sociolog dhe docent i grupeve të reja fetare në fakultetin FVG në Anversë, Belgjikë

  • Dr. Tomas Bremeri

    «Jo, nuk mendoj kështu. Nuk jam as anëtar dhe as mbështetës i Dëshmitarëve të Jehovait e madje nuk jam dakord me disa nga bindjet e tyre, por nuk mendoj se janë ekstremistë (sigurisht kjo varet nga mënyra si e kupton një individ ‘ekstremizmin’). Për më tepër, mendoj se, si çdo njeri tjetër, ata duhet të kenë të drejtë t’i shprehin bindjet e tyre.»—Dr. Tomas Bremeri, ish-studiues në Qendrën Jordan për Studime të Avancuara për Rusinë, Universiteti i Nju-Jorkut; profesor i teologjisë ekumenike, i studimeve të kishave lindore dhe i studimeve për paqen, Universiteti Münster, Gjermani

  • Dr. Marko Ventura

    «Zbatimi i legjislacionit rus për Dëshmitarët e Jehovait kufizon në mënyrë të pajustifikuar liritë themelore e bie ndesh me ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut që mbron lirinë e fesë a të besimit individual e kolektiv dhe që ndalon diskriminimin fetar. E them këtë duke u bazuar në metodologjinë e ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, sipas të cilit shkeljet e supozuara të lirisë së fesë a të besimit duhen vlerësuar duke pasur parasysh: 1) nëse tashmë është kufizuar liria për të praktikuar fenë ose besimin dhe 2) nëse kufizimi ishte në masën e duhur dhe i justifikuar ligjërisht.»—Dr. Marko Ventura, profesor për ligjin dhe për fenë, Universiteti i Sienës; drejtor në Qendrën e Studimeve Fetare në Fondacionin Bruno Kesler; studiues, Centre for Droit, Religion, Entreprise et Société (DRES), Universiteti i Strasburgut (Francë), Itali

  • Dr. Mark Jyrgensmajeri

    «Kufizimi i lirisë së fesë në emër të luftës kundër ekstremizmit është një taktikë për të ardhur keq. Është shqetësuese që bëhen përpjekje të tilla për të kontrolluar mendimin e shoqërisë së shekullit 21. Të gjithë meritojmë më shumë.»—Dr. Mark Jyrgensmajeri, drejtor i Qendrës Orfalea për Studime Botërore dhe Ndërkombëtare, profesor sociologjie, docent i studimeve fetare në Universitetin e Kalifornisë, Santa-Barbara, Shtetet e Bashkuara

Si do ta përshkruanit taktikën e Rusisë për të ligjëruar luftën kundër «ekstremizmit»?

  • «Për të luftuar ekstremizmin, vetë Rusia po përdor metoda ekstremiste. Duke vendosur ndalime, po vepron në mënyrë të ashpër, të dhunshme dhe radikale. Veprimet diskriminuese të autoriteteve janë të pashpjegueshme, të pajustifikueshme e të pakuptueshme. Këto vendime e veprime janë të frikshme.»—Dr. Filipoviçi, Ukrainë

  • «Jam kundër çdo forme terrorizmi dhe e vlerësoj garantimin e sigurisë më shumë se kushdo tjetër. Megjithatë përdorimi i masave ligjore për ekstremizmin kundër Dëshmitarëve të Jehovait, një komuniteti fetar të distancuar gjithmonë nga dhuna, tregon sa e rrezikshme është ta konsiderosh sigurinë si më të rëndësishme se çdo e drejtë tjetër, ku përfshihet edhe liria e fesë. Prandaj mendoj se është përgjegjësi e të gjithëve, edhe e akademikëve, ta shprehin qartë se i dënojnë këto masa ligjore dhe zbatimin e tyre, të cilat kërcënojnë hapur lirinë fetare dhe barazinë.»—Dr. Ferrari, Itali

  • Dr. Derik Dejvisi

    «Llojet e ekstremizmit që duhen luftuar, janë ato që vënë në rrezik jetën e njerëzve. Lufta kundër çdo gjëje tjetër është në vetvete formë ekstremizmi. Kështu që përndjekja agresive e Rusisë ndaj një grupi paqësor si Dëshmitarët e Jehovait, është qartësisht ‘ekstreme’.»—Dr. Derik Dejvisi, avokat, ish-drejtor i Institutit të Studimeve Kishë-Shtet Xh. Dosëni, Universiteti Bejlër, Shtetet e Bashkuara

  • «Siç e përmenda më sipër, fjala ‘ekstremiste’ është e mjegullt dhe zbatimi i saj mund të jetë subjektiv. Masat e Rusisë do t’i përshkruaja me plot gojën si të ekzagjeruara e të papërshtatshme. Autoritetet ruse janë dënuar nga GJEDNJ-ja [Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut] si dhunuese të lirisë fetare. Grupet e ashtuquajtura ekstremiste, si ISIS-i, përbëjnë pa diskutim një kërcënim serioz dhe duhen marrë masa për të kufizuar veprimtaritë e tyre. Gjithsesi, Dëshmitarët e Jehovait nuk paraqesin aspak një rrezik të tillë dhe s’është normale që kërcënimin nga organizatat terroriste ta përdorësh si justifikim për të kufizuar aktivitetin e Dëshmitarëve.»—Dr. Krisajdsi, Mbretëria e Bashkuar

  • «Amendamentet e fundit në ligjin rus kundër ekstremizmit janë sinjal se liria e fesë në Rusi po merr fund dhe, siç duket edhe nga rasti i Dëshmitarëve të Jehovait, po përdoren për t’u dhënë fund veprimtarive të pakicave fetare. Nga pikëpamja historike, kufizimet e tanishme mbi veprimtaritë misionare fetare ngjasojnë me ato të periudhës sovjetike.»—Dr. Ringve, Estoni

  • Dr. Uilliam Shmidi

    «Siç dihet mjaft mirë, prirjet ekstremiste mund të shfaqen jo vetëm nga grupe por edhe nga individë; ekstremizmi është një lloj veprimtarie politike dhe jofetare. Në Federatën Ruse ka ligje për të kufizuar këtë lloj veprimtarie të organizatave fetare. Dhe, nëse ka raste të tilla (veprimtarie ekstremiste), normalisht që fajtori duhet dënuar—kjo metodë është në përputhje me ligjin. A ekziston rreziku që të kriminalizohen fetë me pretekstin e veprimtarive ekstremiste? Po, sidomos kur ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë dhe interpretohet arbitrarisht, si edhe kur në sistemin gjyqësor përdoren studime eksperte joprofesionale (të rreme).»—Dr. Uilliam Shmidi, kryeredaktor, Euroazia: traditat fetare të popujve; profesor për Marrëdhëniet Kombëtare dhe Federative, Akademia Presidenciale e Rusisë për Ekonominë Kombëtare dhe për Administrimin Publik (RANEPA), Rusi

  • «Ligjet kundër ekstremizmit janë të pranueshme kur përdoren me ekuilibër për të mbrojtur të pambrojturit. Nga ana tjetër, është plotësisht e papranueshme t’i përdorësh këto ligje për të kufizuar liritë e pakicave fetare jo të dhunshme, siç janë Dëshmitarët e Jehovait.»—Dr. Leo, Itali

  • «Të paktën që nga 2012-a politika e shtetit rus është bërë më prapanike, gati konservatore. Ligjet po bëhen më të ashpra, po kufizojnë të drejta të ndryshme politike, madje edhe civile. Sot legjislacioni kundër ekstremizmit është kaq i gjerë dhe i paqartë, sa çdokush mund të akuzohet si ekstremist; s’ka nevojë të planifikosh ndonjë sulm terrorist që të akuzohesh për ekstremizëm, mjafton kritika e ndonjë qeveritari vendës në mediat sociale ose pjesëmarrja në mbledhje politike. Legjislacioni në fushën fetare është vetëm një shembull i kësaj prirjeje të përgjithshme.»—Dr. Uzlaneri, Rusi

  • «Metoda e Rusisë (dhe e Azerbajxhanit) për të kontrolluar fenë duket se është goxha ekstreme, sepse nuk ka shumë vende evropiane që publikojnë lista me libra të ndaluar fetarë ose që përdorin politikën dhe ligjin kur bëhet fjalë për natyrën ekstremiste të teksteve fetare.»—Dr. Kilpi, Estoni

  • «Lufta e paligjshme ndaj ekstremizmit të bazuar në fe filloi të zhvillohej gradualisht pasi u miratua Ligji Kundër Veprimtarive Ekstremiste, më 2002. Që prej asaj kohe politika antiekstremiste u bë një armë për të luftuar fetë ‘jotradicionale’. Përkufizimi i gjerë për fjalën ‘ekstremizëm’ shërben si bazë për vendimet e gjyqtarëve të cilët i shpallin ekstremiste botimet fetare për arsye që shpesh s’janë logjike. Që nga mesi i viteve 2000 Ligji Kundër Veprimtarive Ekstremiste është zbatuar në mënyrë tragjikomike për ata që nuk janë ortodoksë e myslimanë.»—Dr. Lunkini, Rusi

  • «Rusia dëshiron të parandalojë përhapjen e çdo grupi a ideologjie fetare, përveç kategorive zyrtare të katër feve tradicionale. Dëshmitarët e Jehovait, evangjelistët ose protestantët janë ndër grupet që përndiqen.»—Prof. Boringu, Mbretëria e Bashkuar

  • «Lufta e Rusisë kundër pakicave fetare, si Dëshmitarët e Jehovait, mbi të gjitha është diskriminuese. Ajo i ka rrënjët në një traditë të gjatë armiqësie shoqërore, politike dhe fetare kundër pakicave joortodokse, të cilave u lihet faji. Edhe Franca është në krye të renditjes së ‘gjuetisë së sekteve’. Franca donte t’i shkatërronte Dëshmitarët e Jehovait duke u kërkuar taksa, por ata e çuan çështjen në GJEDNJ [Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut] në Strasburg dhe si përfundim e fituan. GJEDNJ-ja e dënoi Francën që t’i paguante dëme dhe interesa kolosale zyrës së degës të Dëshmitarëve në Francë, sepse shteti i kishte diskriminuar duke u mohuar njohjen ligjore si fe e për pasojë duke u mohuar përjashtimin nga taksat për kontributet nga anëtarët e tyre.»—Dr. Derihburi, Belgjikë

  • «Rusia duhet të luftojë ekstremizmin e vërtetë, atë që nxit ose përdor dhunën, ama këto ligje janë drakoniane, pra shumë të rrepta e të pamëshirshme, kur përdoren ndaj shumicës së grupeve fetare. Ajo çka i bën drakoniane, është dënimi krahasuar me shkeljen. Arsyeja e dytë pse janë drakoniane lidhet me çfarë ose kë kanë në shënjestër. Shembull i kësaj është një gjobë prej 15.000 dollarësh amerikanë që mund të jetë shkatërruese për një kishë të vogël apo për një grup të vogël jofitimprurës. Një nga rregullat e vendit kërkon që feja të jetë e regjistruar prej 15 vjetësh para se të sjellë në Rusi një individ të huaj që mund të jetë udhëheqës fetar ose misionar.»—Dr. Patersoni, Shtetet e Bashkuara

  • «Sfidat e luftës kundër krimit—përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin kur u referohet veprimeve çnjerëzore e antishoqërore—po shtohen çdo ditë. Megjithatë, një gjë është të luftosh krimin e vërtetë dhe një gjë komplet tjetër të përdorësh koncepte të Kodit Penal për të diskriminuar hapur të drejtën e lirisë dhe të ndërgjegjes, përfshirë lirinë e adhurimit. Shumë ekspertë në Rusi, studiues dhe juristë, zbatimin e termit ‘ekstremizëm’ ndaj pakicave fetare të veçanta e konsiderojnë të paligjshëm dhe në kundërshtim me kushtetutën. Gjithsesi kur, për arsye të ndryshme, korrupsioni zë vendin e parimeve të ligjit, atëherë, siç e dimë, të drejtat shpërfillen, përfshirë të drejtat dhe liritë e njeriut.»—Dr. Elbakjani, Rusi

  • Dr. Osin Sadoku

    «Çështja më e diskutueshme në ligjin rus për luftën kundër ekstremizmit është vetë koncepti i ekstremizmit. Ky koncept është ligjor, jo politik. Për shembull, nga pikëpamja e ECHR-së [Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut], shtetet mund të kufizojnë liritë e garantuara nga Konventa, si lirinë e fesë ose lirinë e shprehjes, kur kjo masë është e nevojshme për ‘sigurinë kombëtare, sigurinë publike, mirëqenien e vendit, mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit e të moralit, mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve, ruajtjen e rendit publik’ etj. Kështu që këto shtete tashmë janë të autorizuara nga ligji ndërkombëtar për të kufizuar liritë publike nëse identifikojnë ndonjë kërcënim real. Pra nuk është e nevojshme të krijosh një ligj specifik kundër ekstremizmit për të arritur objektivat që ECHR-ja i konsideron të ligjshëm. Problemi më i madh është se legjislacionit rus i mungon qartësia. Çfarë do të thotë të jesh ‘ekstremist’ sipas ligjit rus? Sërish është koncept politik që u jep dorë të lirë autoriteteve të kufizojnë liritë e të gjithë atyre që i konsiderojnë të padëshirueshëm. Nga ky këndvështrim, është e qartë se legjislacioni rus bie në kundërshtim me frymën dhe formulimin e ECHR-së.»—Dr. Osin Sadoku, lektor i ligjit publik dhe drejtor i Departamentit të Ekonomisë Ligjore dhe Sociale, Université de Haute Alsace, Francë

  • «Që të luftosh ekstremizmin, duhet të gjesh ekuilibrin midis interesave qeveritare dhe të drejtave të individit dhe jo t’i hedhësh poshtë këto të fundit. Përpjekjet e Rusisë kundër ekstremizmit nuk e ruajnë këtë ekuilibër të nevojshëm. Mbi të gjitha, metodat e qeverisë për të përkufizuar ekstremizmin dhe për të ndjekur penalisht ekstremistët, u shërbejnë interesave të saj të ngushta. Ndonëse ky legjislacion mund t’i mbrojë qytetarët rusë nga disa kërcënime reale, ai i siguron qeverisë një mënyrë të thjeshtë për të penguar ose për t’u mbyllur gojën individëve dhe grupeve që, për ndonjë arsye, Rusia i konsideron të padëshirueshëm ose kërcënim për vlerat e saj fetare tradicionale. Një nga arsyet pse Rusia ka qenë në gjendje ta mbajë e ta zgjerojë këtë ligj, është se proceset e rëndësishme demokratike brenda shtetit kanë dështuar dhe se aktorët politikë të jashtëm—përfshirë organizmat shtetërorë dhe ndërkombëtarë—as e kanë identifikuar e as kanë marrë masa të efektshme ndaj këtij realiteti shqetësues.»—Prof. Bliti, Shtetet e Bashkuara

  • «Mjerisht, Rusia duket se po shkon drejt të njëjtit gabim që bënë Shtetet e Bashkuara me Dëshmitarët e Jehovait në 1940-n. Në atë kohë shumë amerikanë i konsideruan gabimisht Dëshmitarët e Jehovait si ‘ekstremistë’ meqë, për shkak të ndërgjegjes fetare, nuk merrnin pjesë në ceremoninë e betimit para flamurit. Në fillim autoritetet qeveritare, përfshirë Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, i dënuan Dëshmitarët meqë silleshin ndryshe nga të tjerët. Fillimisht, kjo solli dhunë fizike të tmerrshme ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, por më vonë çështja e ndërgjegjes u rishqyrtua. Si përfundim, shumica e amerikanëve dhe e gjykatave amerikane e pranuan se diversiteti fetar, përfshirë edhe Dëshmitarët e Jehovait, ndikon për mirë te shoqëria.»—Z. Rasbak, Shtetet e Bashkuara

  • «Burimet ligjore të Rusisë tregojnë kujdes të tepërt duke gjykuar në bazë të shprehjeve goxha të gjera si ‘ekstremizëm’, ‘aktivitete ekstremiste’, ‘predikimi i besimit’, ‘aktiviteti misionar’ dhe pohimet për ‘vërtetësinë’ ose ‘superioritetin’ e fesë a të besimit individual. Meqë në dokumentet zyrtare nuk ka përkufizime të qarta e konkrete dhe rregullat për paraqitjen dhe vlerësimin e provave janë jashtëzakonisht të mjegullta—në një masë të tillë që në kontekstin fetar, ekstremizmi nuk duhet të përfshijë medoemos kërcënimin a përdorimin e dhunës—forcat e rendit, personeli i administratës, gjykatësit dhe ekspertët kanë fushë të gjerë veprimi. Vlen të përmendet se autoritetet ruse e kanë shpërfillur kërkesën e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (komentet përfundimtare të 28 prillit 2015) që të qartësojnë “përkufizimin e mjegullt e të papërcaktuar të shprehjes ‘aktivitet ekstremist’”, të sigurohen që përkufizimi përmban elementin e dhunës ose të urrejtjes, të përcaktojë qartë sipas një kriteri specifik ‘se mbi ç’bazë mund të klasifikohen si ekstremiste materialet’, të marrë ‘të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin arbitrar të ligjit dhe të rishikojë Listën Federale të Materialeve Ekstremiste’.»—Dr. Ventura, Itali

  • Znj. Katerina Kozmani

    «Ligji rus kundër ekstremizmit u miratua fillimisht më 2002; deri më 2007 u zgjerua për të përfshirë edhe veprimtaritë jo të dhunshme ose përkrahjen e pikëpamjeve, madje edhe në fushën fetare. Nëse zyrtarët rusë fillojnë të ndëshkojnë njerëz pa dallim, rrezikojnë të zënë në kurth njerëz paqësorë që thjesht duan të eksplorojnë ide fetare ose ide të tjera, të cilat shteti nuk i ka me sy të mirë. Për shembull, myslimanët që nuk e praktikojnë besimin me grupet e organizuara të miratuara zyrtarisht, dënohen më shpesh nga gjykatat ruse me pretekstin se shkelin ligjin rus jospecifik kundër ekstremizmit. Nëse zyrtarët do të ishin vërtet tolerantë e nëse do të ndiqnin një taktikë të re ligjore, ligjet për fenë e reformuar dhe për ekstremizmin do të përdoreshin në favor të diversitetit brilant fetar e etnik. Rusia duhet t’i lërë pas metodat e dhunshme e të mos e shtypë diversitetin fetar nën darën e hekurt qeveritare të konformizmit të detyruar.»—Znj. Katerina Kozmani, kryeanaliste për procedurat (për Evropën dhe për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik), Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (KSHBLFN), Shtetet e Bashkuara

  • «Pjesa më e madhe e politikave fetare që lidhen me antiekstremizmin e ka origjinën te centralizimi kulturor që Kisha e Shtetit Ortodoks Rus është përpjekur me zell të arrijë.»—Dr. Besieri, Gjermani

  • «Edhe pse në Rusi ka pasur dhunë të nxitur nga ekstremizmi fetar, ajo i ka shtuar masat ligjore kundër ekstremizmit edhe për të kufizuar grupe fetare jo shumë të njohura, në vend që të merret me grupet e dhunshme.»—Prof. Klarku, Shtetet e Bashkuara

  • «Sistemi ligjor në Rusi ka mangësi të thella në dy drejtime kryesore. Kushtetuta e shkruar e Rusisë, e cila ndër të tjera garanton lirinë e adhurimit, është shpallur supreme, dhe Gjykata Kushtetuese e vendit është përgjegjëse për të vendosur nëse ndonjë veprim a masë ligjore është në përputhje me Ligjin Suprem të Rusisë. Ato nuk respektohen plotësisht në praktikë. Gjykatat ruse drejtohen nga pushteti ekzekutiv, qofshin autoritete federale, qofshin rajonale, të cilat në fund nuk japin llogari para ligjit. Së dyti, ligjet ruse lënë vend për interpretim të gjerë e të ndryshëm. Ato nuk japin një përkufizim të qartë të ekstremizmit. Prandaj, ligjet mund të interpretohen pak a shumë siç duan autoritetet e pushtetit ekzekutiv të çdo niveli.»—Sër Endrju Udi, Mbretëria e Bashkuar

  • «Rusia ka çdo të drejtë dhe në fakt i detyrohet popullit që të luftojë ekstremizmin e vërtetë, ama, cilësimi ‘ekstremist’ i grupeve fetare jo shumë të njohura, kur nuk kërcënojnë sigurinë fizike të të tjerëve, është në vetvete goxha ekstremist. Mendoj se qeveria e tanishme ruse është më pak e shqetësuar për ekstremistët e vërtetë, për sa kohë arrin t’i kontrollojë. Më tepër i frikësohet çdo grupi që s’e kontrollon dot. Meqë Dëshmitarët e Jehovait i qëndrojnë besnikë Perëndisë mbi të gjitha, mendoj se qeveria po i etiketon ‘ekstremistë’ me qëllim që t’i ndalojë. Mendoj se ka gisht edhe Kisha Ortodokse Ruse, që pakicat e krishtere që predikojnë, të mos ekzistojnë më.»—Prof. Raviçi, Shtetet e Bashkuara

  • «Ligji rus dhe metodat e përdorura nga autoritetet, u mohojnë individëve dhe organizatave shumë të drejta themelore, si e drejta për të shprehur mendimin. Edhe nëse një opinion është vërtet i gabuar, duhet të ekzistojë e drejta për ta shprehur. Një ndalim mund të justifikohet vetëm në ato pak raste kur rrezikohet jeta e njerëzve ose prishet rendi publik. Por, Dëshmitarët e Jehovait as që futen në këtë kategori.»—Dr. Bremeri, Gjermani

Ligji rus thotë se besimtarët mund të shpallen «ekstremistë» nëse predikojnë se feja e tyre është e vërtetë dhe më e mira. A duhet të përbëjë kjo një bazë ligjore për të përcaktuar ekstremizmin?

  • «Jo. Kjo është e palogjikshme, e paarsyeshme dhe shkelje e standardeve të të drejtave të njeriut, që Rusia është e detyruar t’i respektojë sipas marrëveshjeve, si neni 9 i ECHR-së [Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut] dhe neni 18 i ICCPR-së [Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike].»—Prof. Boringu, Mbretëria e Bashkuar

  • Prof. Garet Epsi

    «Jo, në ligjin ndërkombëtar nuk ka asnjë parim që cilëson ekstremistë ata që besojnë se feja e tyre është e vërtetë.»—Profesor Garet Epsi, profesor i juridikut në Universitetin e Juridikut në Baltimorë; korrespondent i Gjykatës së Lartë për revistën The Atlantic, Shtetet e Bashkuara

  • «Së pari, kjo ide është qartësisht absurde. Nëse ligji rus do të zbatohej me drejtësi, atëherë sipas tij, të gjitha fetë do të ndaloheshin. Çdo fe thotë se ka të vërtetën dhe çdo besimtar është i bindur se feja e vet është e vërtetë. Përndryshe, ç’vlerë do të kishte feja? Ky ligj është pretekst ligjor që shteti rus të diskriminojë minoritetet fetare, sidomos Dëshmitarët e Jehovait.»—Dr. Barani, Shtetet e Bashkuara

  • «Të gjithë besojnë se feja e tyre është më e mira. Nëse jo, do ta ndryshonin. Sigurisht, Dëshmitarët e Jehovait besojnë se janë të vetmit që kanë ‘të vërtetën’, por deklarata të tilla kanë bërë edhe grupe të tjera të krishtere dhe fe të tjera. Bindja e dikujt se feja e tij është më e mira dhe unike, duhet pranuar për hir të lirisë së fesë, siç përkufizohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.»—Dr. Krisajdsi, Mbretëria e Bashkuar

  • «Është tronditëse që ekspertët etiketojnë si ‘ekstremizëm’ thelbin e veprimtarive fetare, bazën e çdo komuniteti besimtarësh që janë të bindur se vetëm feja e tyre është e vërtetë. Besimtarët e një komuniteti kanë interpretimin e vet të së vërtetës dhe, në bazë të kësaj, edhe të shkrimeve të shenjta. Kështu, natyrisht që ‘nuk pajtohen me grupet e tjera fetare’.»—Dr. Lunkini, Rusi

  • «Sigurisht, kjo pikëpamje është shokuese. Besimtarët i zgjedhin vetë parimet e fesë dhe jetojnë sipas tyre, sepse besojnë se janë të vërteta dhe më të mira se parimet e feve të tjera. Ky qëndrim i Rusisë, vë në lojë të gjitha fetë.»—Dr. Dejvisi, Shtetet e Bashkuara

  • «Me fare pak përjashtime, të gjitha fetë janë të sigurta se bindjet e tyre për Perëndinë janë të vërteta. Asnjë nuk thotë ‘një fe tjetër është më e mirë dhe më e vërtetë se jona’.»—Dr. Bremeri, Gjermani

  • Dr. Ajdar Sultanovi

    «Për mua, kjo është pyetje retorike, s’ka nevojë për përgjigje. Sigurisht, çdo besimtar dëshiron që edhe tjerët të shpëtojnë, në vend që të enden në errësirën e ideve të gabuara; për këtë arsye besimtarët këmbëngulin se feja e tyre është e duhura.»—Dr. Ajdar Sultanovi, studiues rus i ligjit dhe aktivist i të drejtave të njeriut, Rusi

  • «Siç e thashë, ekstremizmi nuk është koncept i sociologjisë fetare. Që të përcaktohet nëse një grup fetar është rrezik për rendin publik ose për sigurinë e vendit, duhen parë veprimet, jo bindjet. Nëse nuk kryen një vepër të jashtëligjshme, nuk mund ta dënosh. Një grup fetar ka të drejtë të shprehë atë që i duket pikëpamja më e mirë. Meqë ra fjala, të gjithë politikanët thonë se janë më të mirët, por askush s’i quan ekstremistë për këtë. Nuk kam dëgjuar kurrë një politikan të thotë se gënjen dhe se partia e tij është më e keqe se partitë e tjera. Çdo grup fetar mendon se i interpreton Shkrimet e Shenjta më mirë se të tjerët. Qeveria duhet të merret me veprat e jashtëligjshme e të dhunshme që bëjnë ose mund të bëjnë grupet fetare.»—Dr. Derihburi, Belgjikë

  • «Amendamentet e kohëve të fundit që të kufizojnë t’i ndash bindjet me të tjerët, janë më se të paarsyeshme. Ato kufizojnë rreptësisht lirinë e fesë në momentin që besnikëve të një feje u ndalohet të besojnë se feja e tyre është e vetmja fe e vërtetë dhe ta shpallin këtë paqësisht e me respekt.»—Dr. Ferrari, Itali

  • «Vetëm predikimi se pikëpamjet fetare individuale janë të vërteta dhe se një fe e caktuar është më e mirë, në vetvete, nuk duhet të mjaftojë për ta cilësuar si ekstremizëm. Shumica e feve bazohen te pohimi i bindjeve të tyre specifike që shpesh, nga sa shihet, bie ndesh kryekëput me pohimet e feve të tjera. Pavarësisht nga kjo mospërputhje, këto pohime mund të bëhen paqësisht, duke mos cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve ose duke mos rrezikuar rendin publik. Vërtet, nëse këto pikëpamje të ndryshme shprehen pa kërcënime, pa thirrje për dhunë ose pa propaganduar forma ekstreme të urrejtjes, ato përbëjnë një element kyç të një shoqërie demokratike plot jetë. Megjithëse ICCPR-ja [Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike] i detyron qeveritë të ndalojnë ‘përkrahjen e . . . urrejtjes fetare që ushqen diskriminimin, armiqësinë ose dhunën’, por para se qeveria të vendosë një kufizim, kjo urrejtje duhet të jetë në nivel ekstrem. Për më tepër, që qeveria të vendosë një kufizim dhe që masat e marra të jenë të justifikuara, duhet të marrë parasysh dy faktorë: nëse është i domosdoshëm dhe nëse ndëshkimi përputhet me krimin. Shumë nga mënyrat se si po e përdor ligjin kundër ekstremizmit qeveria ruse, tregojnë se nuk e vret shumë mendjen për këta dy faktorë, e jo më të përpiqet të kuptojë pikëpamjet fetare që po konsiderohen si ‘ekstremiste’.»—Prof. Bliti, Shtetet e Bashkuara

  • «Kjo çështje s’lidhet vetëm me lirinë fetare, por edhe me lirinë e fjalës. Ky ligj tregon se këto sanksione mund të përdoren kundër çdo grupi fetar jo të mirëpritur nga politika a nga grupet fetare që ndikojnë te vendimmarrësit politikë, me qëllim që të eliminojë rivalitetin e padëshiruar mbi idetë fetare.»—Dr. Ringve, Estoni

  • «Arsyetimi se një individ është ekstremist po të predikojë se feja e vet është e vërtetë dhe më e mira, dëshmon qartë se në thelb ligji rus mbi ekstremizmin është i mjegullt. Të paktën një nga fetë tradicionale të miratuara në Rusi bazohet pikërisht në një pohim të tillë.»—Sër Endrju Udi, Mbretëria e Bashkuar

  • «Sipas ligjit rus, thjesht pohimi se feja ime është e vërtetë, cilësohet si urrejtje ose si dhunë verbale. Nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, ekstremizmi është propaganda e dëmshme e një besimtari ose e një grupi fetar, pra kur njerëzit thonë se feja i detyron të vrasin besimtarët e një feje tjetër. Qeveritë vendosin kufizime sepse interesohen vërtet për sigurinë. Nxitja për dhunë është: të bërtasësh më kot se ka rënë zjarr në mes të një kinemaje dhe të ngjallësh panik ose të vrasësh me urdhër të një udhëheqësi fetar. Por, ata që ka shënjestruar ligji rus, nuk duket se i përkasin kësaj kategorie.»—Dr. Patersoni, Shtetet e Bashkuara

  • «Ligji rus po shkel një parim ndërkombëtar kyç për lirinë e fesë ose të besimit, duke e marrë si shenjë ekstremizmi pohimin paqësor se një fe është më e mira. Kjo është një arsye madhore pse USCIRF-ja [Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Ndërkombëtare Fetare] e sheh këtë ligj si një ‘kërcënim të madh për lirinë fetare’. Një masë tjetër e këtij ligji, që ndalon ‘nxitjen për përçarje fetare’, përdoret për të penguar veprimtarinë e prozelitizmit, sidomos nga grupe fetare që nuk shihen me sy të mirë nga shteti, si Dëshmitarët e Jehovait.»—Znj. Kozmani, Shtetet e Bashkuara

  • «Është e pajustifikueshme të kufizosh një fe që thotë se është e vërtetë dhe më e mira, sepse do të ishte kundër ndërgjegjes së një individi (forum internum), si edhe kundër lirisë së besimit.»—Dr. Ventura, Itali

  • Dr. Brajan Grimi

    «Të gjitha grupet fetare bëjnë ca deklarata ekskluzive se kanë fenë e vërtetë, por këto në vetvete nuk janë të rrezikshme. Në fakt, deklarata të tilla ekskluzive janë në thelb të shumicës së feve.»—Dr. Brajan Grimi, president i Fondacionit të Lirisë së Fesë dhe të Biznesit; profesor i përkohshëm në St. Mary’s University, Londër; këshilltar në Fondacionin Fetar ‘Toni Bler’; një nga studiuesit në Projektin Liria Fetare, Universiteti i Xhorxhtaun; studiues në Institutin e Kulturës, të Fesë dhe të Çështjeve Botërore në Universitetin e Bostonit, Shtetet e Bashkuara

  • «Liria fetare përfshin të drejtën e besimtarëve për të deklaruar se feja e tyre është e vërtetë dhe më e mira ose versioni i vetëm i së vërtetës. Kjo mund të jetë e bezdisshme për disa, por, për aq kohë sa besimtarët nuk imponojnë pikëpamjet e tyre ose nuk u bëjnë presion të tjerëve, kanë të drejtë të deklarojnë se bindjet e veta janë të vërteta.»—Dr. Karolinë Evansi, dekane e Shkollës së Juridikut në Melburn (Harrison Moore Chair of Law); redaktore e librit Feja dhe Ligji Ndërkombëtar dhe e Law and Religion in Historical and Theoretical Perspectives, Australi

  • Dr. Uilliam Kevëno

    «Nëse është ‘ekstremizëm’ deklarata se një fe është e vërtetë, atëherë shumica e besimtarëve do të ishin fajtorë.»—Dr. Uilliam Kevëno, profesor i studimeve katolike, drejtor i Qendrës së Katolicizmit Botëror dhe i Teologjisë Ndërkulturore, DePaul University, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Xhon Bernbaumi

    «Të përkrahësh vërtetësinë e bindjeve të tua, nuk është shenjë ‘ekstremizmi fetar’, por përkushtim ndaj vlerave të tua themelore. Për aq kohë sa këto vlera themelore janë tolerante ndaj bindjeve ose feve të tjera, autoritetet civile duhet t’i mbështetin si një e drejtë bazë e njeriut.»—Dr. Xhon Bernbaumi, president i Institutit Ruso-Amerikan (Moskë), Shtetet e Bashkuara

Ndër ekspertët dhe studiuesit, çfarë reputacioni kanë Dëshmitarët e Jehovait si qytetarë?

  • «Gjatë studimeve mbi Dëshmitarët e Jehovait në disa vende, i kam njohur si qytetarë paqësorë, të bindur ndaj ligjit dhe që i kontribuojnë shoqërisë. I pranojnë plotësisht dhe respektojnë përkatësinë fetare të të tjerëve, ama në të njëjtën kohë përpiqen me zell t’u garantohet e drejta për të besuar dhe për t’i shfaqur lirshëm bindjet fetare. Përpjekjet e tyre, sidomos përmes rrugëve ligjore, kanë përmirësuar ndjeshëm lirinë e fesë ose të besimit për shumë individë e komunitete të vogla, por edhe për fe të mëdha.»—Dr. Efije Fokasi, themeluese e Forumit për Fenë, (2008-2012), studiuese në Observatorin Helenik, Universiteti Ekonomik i Londrës; ish-anëtare e shoqatës Mari Kyri, Pluralizmi dhe Liria Fetare në Vendet Ortodokse të Evropës (PLUREL), Fondacioni Helenik për Politikën Evropiane dhe të Huaj, Greqi

  • «I njoh Dëshmitarët e Jehovait jo vetëm si studiues i historisë, i mësimeve dhe i praktikave të tyre, por edhe si njeri i thjeshtë, domethënë në jetën e përditshme. I kam fqinjë, të njohur dhe kolegë. Në rrethin tim, kanë reputacion mjaft të mirë. U binden ligjeve dhe shkojnë mirë me të tjerët, pavarësisht nga pikëpamjet politike ose përkatësia fetare. Nuk kujdesen vetëm për interesat dhe nevojat e komunitetit të tyre fetar. Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në politikën e një vendi, nuk japin opinione dhe gjykime për autoritetet, ama nuk janë as indiferentë ndaj asaj që ndodh në vend. Besoj se i kontribuojnë goxha progresit, mirëqenies dhe stabilitetit të shoqërisë, sepse mbrojnë vlerat tradicionale universale të krishterimit. Janë familjarë të mirë, besnikë ndaj gruas a burrit; i duan prindërit dhe kanë ndjenjën e përgjegjësisë në rritjen e fëmijëve.»—Dr. Filipoviçi, Ukrainë

  • «Dëshmitarët e Jehovait që njoh në Britani, i kontribuojnë shoqërisë duke bërë punë të ndershme dhe duke mos u bërë bisht taksave. Bindjen ndaj ligjeve e konsiderojnë si detyrim fetar, përveç pak situatave që mund të bien ndesh me kuptueshmërinë e tyre mbi ligjin e Perëndisë.»—Dr. Krisajdsi, Mbretëria e Bashkuar

  • «Si studiuese e feve të ndryshme, di se Dëshmitarët e Jehovait nuk janë agresivë, por janë një organizatë fetare paqësore, pjesëtarët e së cilës, për arsye parimore, nuk diskutojnë për politikën, nuk marrin pjesë në të dhe nuk ndërhyjnë kurrë në çështjet shtetërore. Megjithatë, këta besimtarë i kontribuojnë shoqërisë duke punuar me ndershmëri në biznese dhe organizata të ndryshme, duke paguar me ndershmëri taksat për të ndihmuar qeverinë dhe duke mbështetur bashkëqytetarët në nevojë, si në rast katastrofe natyrore a shoqërore.»—Dr. Elbakjani, Rusi

  • «Kam takuar shumë Dëshmitarë ndër vite dhe një nga studentët e mi më të mirë që ka mbrojtur masterin për të drejtat e njeriut, ishte një Dëshmitare që dorëzoi një studim të shkëlqyer për lirinë fetare në Rusi. Nga përvoja ime, Dëshmitarët e Jehovait janë model në etikë e mirësjellje, dhe nuk u mbetet qejfi që unë nuk jam dakord me bindjet e tyre.»—Prof. Boringu, Mbretëria e Bashkuar

  • Z. Bruno Segrei

    «Personalisht, pasi kam mbrojtur shumë Dëshmitarë të Jehovait 60 vitet e fundit, mund të them se, ndonëse nuk jam dakord me mendimet e tyre për Biblën, i kam konsideruar gjithmonë si njerëz me moral tepër të lartë e besim të flaktë dhe si aktivistë paqësorë.»—Z. Bruno Segrei, avokat; gazetar, kryeredaktor i gazetës L’INCONTRO; president i nderuar i Turin Council for Institutional Laity; president i nderuar i Shoqatës Kombëtare për Mendimin e Lirë «Xhordano Bruno», Itali

  • «Kam qenë disa vjet si vëzhgues në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait që të mbroja temën e doktoraturës sime, si dhe që të shkruaja për ta në botime shkencore. Mendoj se Dëshmitarët janë qytetarë të mirë e të ndershëm. Nuk përfshihen në çështjet politike të vendit, por i paguajnë taksat; ndonjëherë bashkëpunojnë me komunitetin vendës si zjarrfikës vullnetarë; ndihmojnë të prekurit nga katastrofat, siç bënë pas përmbytjes në Orange dhe Bollène të Francës, ku nuk u përpoqën të bënin dishepuj mes njerëzve që ndihmuan. E bëjnë vetëm për të ndihmuar. Dëshmitarët po mbështetin kërkimet për alternativa në vend të transfuzionit të gjakut, nga të cilat nxjerrin dobi edhe ata që nuk janë Dëshmitarë.»—Dr. Derihburi, Belgjikë

  • «Dëshmitarët e Jehovait njihen si qytetarë të ndërgjegjshëm që i binden ligjit.»—Dr. Noksi, Mbretëria e Bashkuar

  • «Kam respekt të thellë për Dëshmitarët e Jehovait. Janë të përkushtuar, paqësorë, besnikë në shërbimin që u bëjnë të tjerëve dhe dëshirojnë seriozisht të nderojnë Perëndinë. Njoh punëdhënës që kërkojnë të punësojnë Dëshmitarë të Jehovait ngaqë janë të ndershëm dhe kanë etikë të mirë pune.»—Dr. Dejvisi, Shtetet e Bashkuara

  • «Kur shoh situatën e Dëshmitarëve të Jehovait në Estoni, është e qartë se përshtypjet e publikut për ta kanë ndryshuar ndër dekada, stereotipet negative nuk ekzistojnë më. Në një shoqëri multifetare, Dëshmitarët e Jehovait shihen si një ndër grupet fetare.»—Dr. Ringve, Estoni

  • «Dëshmitarët e Jehovait jetojnë në paqe si pjesë e shoqërisë.»—Prof. Klarku, Shtetet e Bashkuara

  • «Mjerisht, përndjekja e Dëshmitarëve të Jehovait i ka rrënjët në një logjikë mjaft primitive, elementare: nuk pëlqehen nga një pjesë e shoqërisë që shpesh nuk dinë asgjë për mësimet dhe praktikat e tyre. Pavarësisht nga kërkimet e hetimet dhe nga konfiskimi i librave e i revistave pasi janë shpallur ekstremiste, Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë brenda kufijve të ligjit.»—Dr. Lunkini, Rusi

  • «Ata që nuk i ka lidhur shumë puna me Dëshmitarët e Jehovait, i njohin ndoshta vetëm për ungjillëzimin shtëpi më shtëpi, që duhet pranuar se disa e shohin si të bezdisshëm. Prandaj, u kujtoj gjithmonë njerëzve se e drejta e Dëshmitarëve për t’u trokitur në derë është pjesë e jetës në një shoqëri demokratike. U jemi mirënjohës Dëshmitarëve që i kanë mbrojtur ligjërisht të drejtat e tyre para gjykatave, pasi kështu kanë mbrojtur edhe më tej lirinë e fjalës.»—Dr. Barani, Shtetet e Bashkuara

  • «Njoh kryesisht Dëshmitarët e Jehovait në SHBA. Ata i kanë kontribuar jashtë mase shoqërisë dhe kuptueshmërisë mbi Amendamentin e Parë, duke mbrojtur lirinë civile në çështje të famshme, si ajo e Barnetit. Si për ironi, ka të ngjarë që Rusia t’i frikësohet pikërisht kësaj historie për mbrojtjen e lirive civile.»—Prof. Raviçi, Shtetet e Bashkuara

  • «Gjatë kërkimeve të mia në historinë ligjore të Amerikës, kam arritur të kuptoj kontributin e madh të Dëshmitarëve të Jehovait për të garantuar mbrojtje kushtetuese për liritë civile. Vendosmëria e tyre për të praktikuar lirisht besimin fetar ka çuar në shtimin e masave mbrojtëse për të drejtat e Amendamentit të Parë për të gjithë amerikanët. Kontribute po kaq të rëndësishme kanë dhënë edhe në vende të tjera, nga të cilat nuk përfitojnë vetëm ata, por edhe pjesëtarët e mijëra feve të tjera.»—Dr. Pitërsi, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Ain Ristani

    «Në vendin tim, në Estoni, Dëshmitarët e Jehovait njihen si qytetarë të mirë. I kontribuojnë shoqërisë dhe i paguajnë taksat. I përkasin asaj pjese kryesore të shoqërisë që u bindet ligjeve. Nuk marrin pjesë në shërbimin ushtarak, por meqë ekziston një sistem për shërbim alternativ (puna në shkolla, spitale etj.), kontribuojnë në këto fusha.»—Dr. Ain Ristani, lektor i Dhiatës së Re, Shkolla e Teologjisë dhe e Studimeve Fetare, Universiteti i Tartusë, docent i teologjisë së kishave të lira dhe i historisë së fesë, Seminari Teologjik i Tartusë, Estoni

  • «Personalisht, kam krijuar miqësi me disa Dëshmitarë grekë. Ish-fqinjët e mi në Selanik (ku jetoja më parë) janë Dëshmitarë. Kudo të jem, ngre zërin kundër përndjekjes së padrejtë ndaj Dëshmitarëve, sepse parimisht dhe në përgjithësi janë të krishterë të sinqertë, njerëz punëtorë dhe besnikë.»—Dr. Groeni, Austri

  • «Me aq pak sa më ka lidhur puna me Dëshmitarët e Jehovait, kryesisht në Spanjë, kam kuptuar se janë njerëz të mirë, të përkushtuar dhe të ndershëm, të palëkundur në doktrinat e tyre—që jo medoemos është gjë e keqe kur përfshihesh në biseda të arsyeshme për ta.»—Dr. Martinez-Toroni, Spanjë

  • «Besimtarët, si Dëshmitarët e Jehovait, janë qytetarë të dobishëm për vendin ku banojnë. S’ka arsye për të pasur frikë nga ky komunitet fetar. Diskriminimi ndaj tyre është krejt i pajustifikueshëm.»—Dr. Bernbaumi, Shtetet e Bashkuara

  • «Ajo që admiroj te Dëshmitarët e Jehovait është qëndrimi i tyre kundër dhunës dhe idhujtarisë, e cila shfaqet në formën e nacionalizmit dhe të adhurimit të flamurit.»—Dr. Kevëno, Shtetet e Bashkuara

  • «Me sa kam parë në Gjermani, për mua kanë qenë gjithmonë qytetarë normalë, besnikë, që nuk bien në sy, tamam si shumica e njerëzve.»—Dr. Bremeri, Gjermani

  • «Ndërhyrja e pajustifikueshme dhe e paimagjinueshme në jetën e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, nuk ka absolutisht asnjë bazë, duke pasur parasysh reputacionin e tyre në Evropë dhe në mbarë botën si komunitet paqësor, që lufton për të mirën e përbashkët. Siç dëshmojnë kërkimet e pavarura në histori dhe në shkencat shoqërore, Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë një reputacion të merituar dhe të shkëlqyer se edukojnë qytetarë të bindur ndaj ligjit, paqësorë e besnikë dhe se kontribuojnë në shumë mënyra për zhvillimin, unitetin dhe mirëqenien e shoqërisë. Liria e tyre është një burim i çmuar në luftën kundër ekstremizmit në Rusi dhe më gjerë.»—Dr. Ventura, Itali

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, 1-718-560-5000

Rusi: Jaroslav Sivulskij, 7-812-702-2691