Kjo është Pjesa 3 e një serie me tri pjesë.

Autoritetet ruse po përpiqen të ndalojnë Dëshmitarët e Jehovait si grup fetar, si edhe Biblën e tyre Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, duke i cilësuar «ekstremistë». Dëshmitarët dhe botimet e tyre kanë qenë objekt analizash, për të cilat gjykata ka caktuar Qendrën e Studimeve të Specializuara Socialkulturore në Moskë.

Ndërkohë që pritet të rifillojnë të dyja çështjet, u bënë intervista ekskluzive me studiues të njohur të fesë, të politikës dhe të sociologjisë, si dhe me ekspertë të studimeve sovjetike dhe postsovjetike.

Si do ta përshkruanit mënyrën si i zgjedh ekspertët Rusia që të përcaktojë nëse diçka a dikush është «ekstremist»?

  • Dr. Gerard Besieri

    «Për mendimin tim, komentet e Qendrës së Studimeve të Specializuara Socialkulturore në Moskë janë bërë për arsye politike, jo akademike.»​—Dr. Gerard Besieri, profesor i merituar, studimet evropiane, Technische Universität Dresden; lektor në Universitetin e Stenfordit; drejtor i Institutit Sigmund Nojman për Kërkimet mbi Lirinë dhe Demokracinë, Gjermani

  • Dr. Xhorxh Krisajdsi

    «Nuk ua di emrat të ashtuquajturve ekspertë që ka thirrur Shteti për të dhënë opinione mbi organizatën e Dëshmitarëve, por studiues të tjerë të vërtetë të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi janë tallur me këta ‘ekspertë’. Personalisht s’kam dëgjuar kurrë për Qendrën e Studimeve të Specializuara Socialkulturore, dhe fakti që motorët e kërkimit të Internetit nuk gjejnë asnjë informacion për të, tregon shumë. Jam pjesëmarrës dhe prezantues i rregullt në konferenca akademike ku diskutohet për fetë e reja, përfshirë Dëshmitarët e Jehovait. Si procedurë, pjesëmarrësit tregojnë institucionin ose rolin që kanë, dhe këta të ashtuquajtur ekspertë nuk janë paraqitur kurrë. Certifikimi i dikujt si ekspert përcaktohet nga kualifikimet akademike në fushën përkatëse, nga shkrime në botime të analizuara nga ekspertë dhe nga gatishmëria për të paraqitur për diskutim idetë e veta atje ku duhet, si për shembull, në konferencat akademike. Meqë të ashtuquajturit ekspertë, të cilëve u është kërkuar mendim në Rusi, marrin si shembuj të literaturës subversive, pra që synojnë të rrëzojnë pushtetin politik, libra të parrezikshëm, si Libri im i tregimeve biblike dhe Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, kjo duhet të vërë në pikëpyetje aftësitë dhe arsyet e tyre.»—Dr. Xhorxh Krisajdsi, ish-kryetar i studimeve fetare, Universiteti i Ulvërhamtënit; studiues i nderuar i fesë bashkëkohore në Universitetin Sent-Xhon të Jorkut dhe në Universitetin e Birmingamit, Mbretëria e Bashkuar

  • Dr. Roman Lunkini

    «Kundër çdo logjike, sistemi i zbatimit të ligjit në Rusi krijon studime ekspertësh komplet qesharake (dhe me sa duket i nxit përkrahësit besnikë të hapin qendra ekspertësh). Për sa i përket Qendrës së Studimeve të Specializuara Socialkulturore që u caktua për të analizuar Biblën e Dëshmitarëve, asnjë nga ekspertët nuk është specializuar në studimet fetare e madje nuk njeh botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Analizat e tyre përfshinin citime të marra nga informacioni që u kishte dhënë Irenaeus of Lyon Centre, një organizatë radikale ortodokse kundër kulteve, e njohur për qëndrimin kundër Dëshmitarëve të Jehovait si dhe kundër shumë feve e grupeve të tjera fetare.»—Dr. Roman Lunkini, kryetar i Qendrës për Fenë dhe Shoqërinë në Institutin e Evropës, Akademia Ruse e Shkencave në Moskë; president i Lidhjes së Specialistëve të Fesë dhe të Ligjit, Rusi

  • Z. Aleksandër Verkovski

    «Studiuesit fetarë përfshihen shumë rrallë në këto çështje—madje edhe në ato që duket qartë se lidhen me fenë. Ekziston një normë, e përcaktuar në disa dokumente, se linguistika ose sociopsikologjia janë shkencat kryesore për të kryer analiza eksperte, dhe kjo s’është aspak e vërtetë.»—Z. Aleksandër Verkovski, drejtor i Qendrës SOVA për Informacion dhe Analizë (organizatë jofitimprurëse me qendër në Moskë që merret me kërkime për nacionalizmin, ksenofobinë, lidhjen midis kishave e shoqërisë dhe për radikalizmin politik), Rusi

  • Dr. Mark Elioti

    «’Ekspertët’ e miratuar nga shteti për të dëshmuar për çështjet fetare, përfshirë ata që hodhën poshtë përkthimin e Dëshmitarëve të Jehovait, në përgjithësi janë të paaftë e jo të besueshëm ngaqë, për çështjet e besimit, nxjerrin opinione të pabazuara në fakte.»—Dr. Mark Elioti, themelues i buletinit East-West Church and Ministry Report, Universiteti i Asbërit, Kentaki, Shtetet e Bashkuara

  • Znj. Katerina Kozmani

    «Vendimet e gjykatave të Rusisë shpesh mbështeten te vlerësimet e librave ose të botimeve nga të ashtuquajturit ekspertë të paguar nga shteti.»—Znj. Katerina Kozmani, kryeanaliste për procedurat (për Evropën dhe për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik), Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (KSHBLFN), Shtetet e Bashkuara

  • Prof. Robert Bliti

    «Prej kohësh Rusia është mbështetur te të ashtuquajturat studime ekspertësh që të kategorizojë dhe të ndjekë penalisht grupe të caktuara fetare. Për shembull, në shkurt 2009 Ministria e Drejtësisë e Rusisë themeloi Këshillin e Ekspertëve për Studime Fetare. Ky këshill kishte autoritet të hetonte organizata fetare e, ndër të tjera, të nxirrte përfundime nëse ato nxitnin pikëpamje ekstremiste. Në atë kohë ai drejtohej nga Aleksandër Dvorkini, një njeri pa kualifikimin e duhur akademik si specialist i fesë dhe që njihej tashmë si aktivisti më i flaktë ‘kundër kulteve’ në Rusi. Individëve që caktohen në këshilla të tillë ose edhe atyre që përzgjidhen si ekspertë të palës paditëse në proceset gjyqësore, shpesh u mungojnë kualifikimet e nevojshme e madje elementare. Këta këshilla ‘ekspertësh’ ekzistojnë thjesht për të ligjëruar ndjekjen penale nga qeveria. Megjithatë, së fundmi është vënë re se disa këshilla ekspertësh kanë arritur në përfundime që bien në kundërshtim me interesat e qeverisë. Përfundimet e tyre dhe të këshillave të tjerë të ngjashëm duhen shqyrtuar me kujdes.»—Profesor Robert Bliti, profesor i juridikut në Universitetin e Tenesit; ish-specialist i ligjit ndërkombëtar, Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (USCIRF), Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Emili Barani

    «Në betejën ligjore të tejzgjatur në gjykatat e Moskës për regjistrimin në qytetin e Moskës​—si Organizatë Fetare e Ligjshme—​u përfshinë të ashtuquajturat studime nga ekspertë të cilët arritën në përfundimin se Dëshmitarët shkelnin ligjet e shtetit, dëmtonin familjet e shëndetin dhe propagandonin armiqësi kundrejt feve të tjera. Gjithmonë mund ta gjesh një ‘ekspert’ të gatshëm për të mbështetur supozimet se Dëshmitarët janë të rrezikshëm, ndonëse përfundime të tilla bien ndesh me çdo lloj interpretimi të arsyeshëm të provave të paraqitura.»—Dr. Emili Barani, asistente profesoreshë e historisë së Rusisë dhe të Evropës Lindore, Middle Tennessee State University, Shtetet e Bashkuara

  • Dr. Ludmilla Filipoviçi

    «Për 25 vjet, në Rusi dhe Ukrainë kanë ekzistuar situata të ndryshme ligjore, politike dhe akademike. Megjithatë kam dëgjuar se në Rusi gati nuk ekzistojnë më ekspertizat e paanshme teologjike. Ekspertët—në përgjithësi studiuesit—nuk kanë të njëjtin status dhe nuk mbrohen nga ndonjë ligj i veçantë. Për ekspertizën zgjidhen njerëz që i përkasin një feje dhe mbajnë anën e fesë së tyre, zakonisht asaj ortodokse. Duke qenë ortodoksë, nuk mund të jenë asnjanës dhe të paanshëm kur analizojnë fetë e tjera. Dhe, meqë çdo fe tjetër e identifikojnë si të pavërtetë, nisur nga ‘indinjata e drejtë për pastërtinë e besimit’dhe të shtyrë nga ndjenjat, i etiketojnë egërsisht si ekstremiste të gjitha fetë e tjera.»—Dr. Ludmilla Filipoviçi, profesoreshë dhe shefe e Departamentit të Historisë së Feve dhe të Studimeve Praktike, Instituti i Filozofisë pranë Akademisë Kombëtare të Shkencave; zëvendëspresidente e Shoqatës Ukrainase të Studiuesve të Fesë, Ukrainë

  • Dr. Ekaterina Elbakjani

    «Sot në Rusi studimet e specializuara fetare shpesh bëhen nga njerëz jo specialistë e ‘me porosi’, ku eksperti nuk është i lirë të deklarojë çfarë ka zbuluar vërtet. Mora pjesë në dy gjyqe në Taganrog dhe isha e pranishme si eksperte e specializuar në gjyqin e apelit në Rostov-mbi-Don. E pashë me sytë e mi videon mbi bazën e së cilës Dëshmitarët e Jehovait u akuzuan për ekstremizëm. Dhashë dy herë një raport të detajuar në gjyq ku shpjegova se kjo ishte një shërbesë fetare e krishtere si gjithë të tjerat e s’kishte fare lidhje me ekstremizmin, por gjykata nuk e mori parasysh opinion tim prej eksperteje. Është e pamundur që këtë të mos e konsiderosh si prirje të qartë dhe sistematike për diskriminim fetar. Për sa kohë të ekzistojë kjo prirje, s’ka asnjë garanci që besimtarët nuk do të cilësohen si ‘ekstremistë’ për shkak të bindjeve të tyre.»—Dr. Ekaterina Elbakjani, profesoreshë e sociologjisë dhe e menaxhimit të çështjeve sociale, Akademia e Punës dhe e Marrëdhënieve Sociale në Moskë; anëtare e Shoqatës Evropiane për Studimin e Fesë; kryeredaktore e Fjalorit Westminster për Termat Teologjikë, botimi në rusisht, e Studimit të Fesë dhe e Enciklopedisë së Feve, Rusi

  • Znj. Melisa Huperi

    «S’kam marrë pjesë ndonjëherë në çështje ku diçka a dikush është shpallur ‘ekstremist’. Gjithsesi, kam bashkëpunuar për çështje ku janë përdorur metoda të ngjashme, për shembull, për të identifikuar një veprim si të motivuar nga urrejtja fetare ose si të paramenduar për të nxitur urrejtje raciale apo armiqësi. Në këto situata zgjidhen ekspertë që përkrahin pikëpamje të cilat bien dakord me opinionin e mbështetur nga shteti. Kur zgjidhen ekspertët, shkenca dhe dëshmitë nuk shqyrtohen dhe as merren parasysh. Nëse një ekspert është marrë me ‘studime’ ose kërkime, përfundimet e tij a të saj shpesh bien në kundërshtim me studimet e kërkimet e bazuara në prova dhe mund të sajohen bazuar në opinione personale.»—Znj. Melisa Huperi, avokate, drejtoreshë e International Law Scholarship Project/Pillar Project, Human Rights First; ish-drejtoreshë rajonale e American Bar Association Rule of Law Initiative në Moskë, Shtetet e Bashkuara

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, 1-718-560-5000

Rusi: Jaroslav Sivulskij, 7-812-702-2691