NJU-JORK—Sot Gjykata e Lartë e Federatës Ruse nisi shqyrtimin e padisë së Ministrisë së Drejtësisë për të mbyllur Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Gjykata njoftoi shtyrjen e seancës e cila do të rifillojë të enjten më 6 prill 2017, në orën 14.00.

Më 30 mars 2017 Dëshmitarët kishin paraqitur në Gjykatë një kundërpadi ndaj Ministrisë së Drejtësisë. Gjithsesi, sot para se të njoftonte shtyrjen e seancës, Gjykata e hodhi poshtë kundërpadinë. Gjithashtu, Gjykata nuk i lejoi ekspertët të dëshmonin në lidhje me bazat e përdorura nga Ministria e Drejtësisë për të ngritur padinë. Ajo refuzoi të dëgjonte edhe ata që kishin qenë dëshmitarë okularë të falsifikimit të provave kundër organizatave fetare lokale të Dëshmitarëve të Jehovait.

Për këtë çështje shumë të rëndësishme po flasin edhe disa media ndërkombëtare. Për shembull, më 4 prill revista Time postoi një artikull online me temë «Gjykata e Lartë Ruse po shqyrton çështjen për ta shpallur të paligjshëm adhurimin e Dëshmitarëve të Jehovait», kurse më 5 prill në botimin e shtypur të The New York Times në faqen e parë gjendej artikulli me temë «Paqësorë, të krishterë, por në Rusi kërcënohen të ndalohen si ‘ekstremistë’».

Dejvid Semoniani, një zëdhënës në selinë botërore të Dëshmitarëve në Nju-Jork, shtoi: ‘Shpresojmë vërtet se Gjykata e Lartë Ruse do të mbrojë të drejtat e bashkëbesimtarëve tanë në Rusi që të mos kenë asnjë pengesë ndërsa adhurojnë Perëndinë në mënyrë paqësore. Miliona njerëz anembanë botës do të shohin me vëmendje si do të zhvillohet çështja dhe nëse Rusia do të veprojë në mbrojtje të qytetarëve të saj Dëshmitarë të Jehovait të cilët zbatojnë ligjin.’

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Rusi: Jaroslav Sivulskij, +7-812-702-2691