SEUL, Kore e Jugut—Një anketë e bërë kohët e fundit nga Gallup-i, zbuloi se një numër gjithnjë e më i madh koreanësh tani po e përkrahin shërbimin alternativ që ofron qeveria për ata që e refuzojnë rekrutimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Në datat 4-7 nëntor 2013, u anketuan gjithsej 1.211 burra e gra, dhe rezultati tregoi se 68% preferuan shërbimin alternativ dhe jo burgosjen e atyre që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Këto rezultate tregojnë se opinioni publik ka ndryshuar në një masë të madhe, pasi një anketë e ngjashme që u bë në vitin 2008 zbuloi se vetëm 29% ishin në favor të shërbimit alternativ.

Duket se edhe disa persona të fushës ligjore në Kore, preferojnë një mundësi tjetër përveç burgosjes për çështjet e refuzimit për shkak të ndërgjegjes. Në artikullin e tij «Dilema e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes», Han In-seop, një profesor në Universitetin Kombëtar të Seulit, Fakulteti i Drejtësisë, tha: «Zor se ka një gjykatës që do t’i fuste këta persona në kategorinë e atyre që kryejnë shkelje etike ose sociale. Madje, as urdhër-arresti nuk lëshohet për ata që kundërshtojnë për shkak të ndërgjegjes, pasi nuk ka asnjë merak që ata t’ia mbathin. Në çdo rast kur e kanë shpallur fajtor të pandehurin, gjykatësit janë ndier të trazuar dhe në faj.»

Kjo çështje për të drejtat e njeriut është theksuar kohët e fundit në një prodhim kinematografik nga Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kore. Filmi përfshinte një pjesë me titull «Lumi i akullt», i cili paraqiste një Dëshmitar të Jehovait që refuzoi shërbimin ushtarak. Regjisori tha se vendosi ta bënte filmin pasi kishte mësuar se qindra Dëshmitarë po i futin çdo vit në burgje ngaqë refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Sipas një raporti nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut që u botua në qershor 2013, vetëm në Korenë e Jugut ndodhen 93% e Dëshmitarëve të burgosur në mbarë botën që kanë refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Republika e Koresë: Dae-il Hong, tel. +82 31 690 0055