Një Sallë Mbretërie në Copiapó u përmbyt nga uji dhe balta.

SANTIAGO, Kili—Më 25 mars 2015, shira të dendura përmbytën rajonin Atacama në veri të Kilit, duke shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje të befta, më të rëndat në atë zonë prej 80 vjetësh. Mbi 30.000 banorë u prekën nga kjo katastrofë, nga të cilët rreth 3.000 u shpërngulën në strehime emergjente dhe të paktën 25 u konfirmuan të vdekur.

Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Kili raportoi se asnjë Dëshmitar nuk vdiq ose nuk u lëndua rëndë. Megjithatë, u shkatërruan shtatë shtëpi të Dëshmitarëve dhe dhjetëra të tjera u dëmtuan. Nga përmbytjet u shkatërrua krejtësisht një Sallë Mbretërie, ose vend adhurimi, kurse dy të tjera u dëmtuan.

Pronë e shkatërruar në Diego de Almagro, qytezë e goditur rëndë nga përmbytjet.

Në Copiapó, një nga qytetet më të goditura nga përmbytjet, Dëshmitarët e Jehovait formuan një komitet ndihme që të mblidhte informacione dhe të organizonte punën e pastrimit. Gjithashtu, është dërguar edhe një përfaqësues nga zyra e degës që t’u japë mbështetje dhe inkurajim nga Shkrimet Dëshmitarëve të prekur në atë rajon. Dëshmitarë nga qytetet Antofagasta, Arica, Calama, Caldera, Iquique dhe La Serena dërguan menjëherë ndihma për bashkadhuruesit e tyre në nevojë.

Dëshmitarët mbledhin ndihma në një Sallë Mbretërie në qytetin Alto Hospicio, që t’i shpërndajnë në zonat e prekura.

Jason Reed, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Kili, tha: «Na vjen shumë keq për viktimat e kësaj tragjedie dhe komiteti ynë për ndihmat është i gatshëm të ndihmojë me punën afatgjatë të pastrimit dhe të rindërtimit. Po ashtu, po i përqendrojmë përpjekjet për t’u dhënë ngushëllim dhe inkurajim cilitdo që është rrënuar nga përmbytjet.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Kili: Jason Reed, tel. +56 2 2428 2600