Irénise Moulonguet mbushi 112 vjeçe në nëntor të vitit 2012 dhe mendohet të jetë nënshtetësja më e madhe në moshë që jeton në Francë. Të gjithë e njohin si Dëshmitare të Jehovait.

Pak kohë më parë, Maria Richard, një tjetër qindvjeçare që jeton në Francë, mendohej se ishte personi më i moshuar në këtë vend. Por faktikisht ajo ishte 22 ditë më e vogël se Irénise. Edhe Maria Richard, e cila vdiq tetorin e kaluar afër moshës 112-vjeçare, ishte Dëshmitare e Jehovait.

Irénise nuk i ka shkuar gjithnjë jeta vaj. Kur ishte dy vjeçe, mbijetoi nga shpërthimi i malit Pelée, që ndodhej pranë fshatit të saj në Martinikë. Në moshën 15-vjeçare, emigroi në Guajanën Franceze dhe gjeti një punë që i siguronte të ardhura familjes në vendin e saj. Disa vjet më vonë u kthye në Martinikë, u martua dhe krijoi familje. Mjerisht, i shoqi, André, vdiq i ri dhe e la të vetme me tri vajza për të rritur.

Që të mbante veten e fëmijët, Irénise punonte në plantacione bananesh. Një nga ish-shokët e saj të punës, i cili tani është në të 80-at, e kujton akoma si punëtore të palodhur. Ai thotë: «Ishte e zonja të përgatiste mbi 175 dëngje bananesh për transport brenda një dite!»

Ndonëse me raste jeta e saj ka qenë e vështirë, Irénise ishte gjithnjë optimiste. Një nga 75 pasardhësit e saj e përshkruante si «tepër shakaxheshë, mendjehollë dhe se gjithmonë kishte kujtime të bukura për të ndarë me të tjerët». Ky përshkrim u shkon për shtat mjaft individëve të vjetër në moshë.

Megjithëse gjenetika mund të ndikojnë te jetëgjatësia, duket se janë të rëndësishëm edhe jeta që bëjmë e optimizmi. Kur i pyesin për arsyen e jetëgjatësisë, shumë qindvjeçarë thonë se i përmbahen një rutine të rregullt, nuk e teprojnë në të ngrënë dhe kanë dëshirë të zjarrtë për të jetuar. Një studim thotë: «Duket se ata janë njerëz shumë aktivë dhe dinamikë.»

Ndryshe nga ç’mendon shumica, ata që jetojnë gjatë nuk kanë medoemos jetë të rehatshme. Sipas një studimi me një grup të madh njerëzish në Francë, duket se pjesa më e madhe e qindvjeçarëve mezi ia kanë dalë në jetë, kanë qenë «njerëz me karakter të fortë që kanë triumfuar përballë peripecive».

Patjetër që kjo është e vërtetë edhe për Irénise, e cila ka përballuar shumë vështirësi. Një nga nipërit flet shpesh me admirim për qëndrimin e saj pozitiv. Ai thotë: «Edhe pse tani mezi lëviz, nuk ankohet kurrë.»

Irénise lindi në një familje katolike dhe kishte shumë pyetje për Perëndinë dhe donte të dinte pse jeta është e shkurtër. Ajo i gjeti përgjigjet kur studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Në moshën 74-vjeçare, ia kushtoi jetën Perëndisë Jehova. Kur e pyesin çfarë e ndihmon të jetë e fortë pavarësisht nga mosha dhe problemet shëndetësore, shpesh ajo thotë: «Jehovai është forca ime. Ai është ‘krahu im i fortë’. Ja pse ndihem ‘e përtërirë nga dita në ditë’.»Ligji i përtërirë 3:24; 2 Korintasve 4:16.