Një skuadër e përbërë nga 40 Dëshmitarë të Jehovait në Nju-Jork ka bashkëpunuar ngushtësisht për disa muaj me repartet e Artit dhe të Shkrimit për t’i dhënë sitit www.jw.org një pamje më tërheqëse dhe për ta bërë më të lehtë lundrimin në këtë faqe si nga kompjuterët, ashtu edhe nga pajisjet portative. Veç kësaj, rinovimi i sitit ka pasur edhe dy qëllime të tjera.

1. Të shkrijë sitet tona në një të vetëm. Tri sitet ueb të administruara nga Dëshmitarët e Jehovait, do të shkrihen në një sit zyrtar të vetëm—www.jw.org. Dy sitet e tjera, www.watchtower.org dhe www.jw-media.org, nuk do të ekzistojnë më. Shkrirja e përmbajtjes së siteve ueb do të sigurojë një burim të vetëm informacioni për ose nga Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, mund të shihen, të dëgjohen ose të shtypen faqe të Biblës dhe të botimeve biblike në shumë gjuhë.

2. Të shtojë informacione. Siti i përditësuar përmban përgjigje të përmbledhura të pyetjeve biblike dhe flet për veprën e predikimit, zyrat e degëve, Sallat e Mbretërisë dhe kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait. «Të rejat e fundit» përmbajnë raporte për ngjarje që kanë lidhje me Dëshmitarët në mbarë botën. Ka edhe disa veçori që nxitin përfshirjen e familjeve, adoleshentëve dhe fëmijëve.

Në një ditë të zakonshme, disa qindra mijë njerëz lexojnë online botimet e Dëshmitarëve në një nga 430 gjuhët. Ata shkarkojnë pothuajse gjysmë milion materiale audio, EPUB, PDF ose video në gjuhën e shenjave. Çdo ditë, njëqind veta kërkojnë që dikush t’i ndihmojë të studiojnë Biblën.