SANTA-KRUZ, Bolivi—Më 27-29 tetor 2017 Dëshmitarët e Jehovait në Koçabambë, Bolivi, organizuan një kongres ku morën pjesë afro 17.000 veta nga 20 shtete. Kjo ngjarje u bëri kaq përshtypje dy institucioneve boliviane, sa i vlerësuan me çmim Dëshmitarët për përmirësimet e mëdha të ambientit të kongresit dhe për krijimin e një ekspozite ku paraqitën kulturën e larmishme indigjene.

Duke nisur nga 2012-a Dëshmitarët e Jehovait kanë organizuar çdo vit kongrese në ambientet e Fundación para la Feria Internacional de Cochabamba (FEICOBOL). Zakonisht Dëshmitarët e pastrojnë vendin ku mbahet kongresi disa ditë para. Por këtë vit, për të përgatitur vendin për mijëra të pranishmit, dolën vullnetarë rreth 4.900 Dëshmitarë, të cilët për 15 ditë rinovuan ndërtesën brenda dhe jashtë. Ata u morën me lyerje, me punime hidraulike dhe instaluan rrjetet e sistemet audio-video. Gjithashtu u morën me punë kopshtarie, rregulluan stolat dhe ndriçimin e rrugës në ambientet e jashtme të godinës.

Çmimi që u dha Dëshmitarëve FEICOBOL-i

Për më tepër, Dëshmitarët vendës krijuan një muze që mbi 1.800 delegatët ndërkombëtarë që ishin ftuar, të njiheshin me kulturën indigjene boliviane. U ekspozuan edhe produkte bujqësore dhe piktura murale. Një nga veçoritë e muzeut ishin edhe tri modele shtëpish me arkitekturë unike boliviane, të cilat Dëshmitarët ia dhuruan FEICOBOL-it.

Çmimi nga Këshilli i Departamentit të Kulturës së Koçabambës

Aldo Vakaflores, president i bordit drejtues të FEICOBOL-it, i cili u dorëzoi çmimin Dëshmitarëve në shenjë mirënjohjeje për punën e tyre, tha: «Kemi mbetur të mahnitur nga përkushtimi i madh që kanë treguar anëtarët e kishës suaj.» Ai shtoi: «Ju keni [punuar] plot entuziazëm, përkushtim e angazhim që ky [kongres] të ishte i denjë për admirim nga të gjithë të pranishmit. Do t’ju përdorim si model.»

Edhe Këshilli i Departamentit të Kulturës së Koçabambës, një zyrë shtetërore e Koçabambës, u dha një çmim Dëshmitarëve ngaqë i pëlqeu shumë muzeu i tyre. Sdenka Fuentes, presidente e këshillit, i falënderoi personalisht Dëshmitarët që zgjodhën Koçabambën për të organizuar kongresin, duke thënë se muzeu ishte paraqitje unike e kulturave të larmishme të Bolivisë.

Muzeu që bënë Dëshmitarët ekspozoi kulturën indigjene boliviane

Garth Gudmani, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Bolivi, u shpreh: «Bashkë me gjashtë qytetet e tjera që u lidhën me kongresin, kjo ishte një mundësi fantastike që 49.320 veta të adhuronin Perëndinë së bashku. Jemi të kënaqur që komuniteti e vlerësoi respektin që treguam për vendin që na mirëpriti, Bolivinë, dhe për kulturat indigjene unike të tij.»

Dëshmitarët e Jehovait në Bolivi po kryejnë veprën e arsimimit biblik që nga viti 1924. Fillimi i 2017-s shënoi dy ngjarje të spikatshme për ta, pasi Shkrimet e Krishtere Greke (Dhiata e Re) u botuan në gjuhët keçua dhe ajmare.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Bolivi: Garth Gudmani, +591-3-342-3442