Kryetari i bashkisë së Tekelsbergut, z. Johan Kobani (në qendër), teksa zbulon pllakën e Tekelsbergut, bashkë me Peter Stokerin (në të djathtë) dhe guvernatorin e Karintias, dr. Peter Kaiserin (në të majtë)

SELTERS, Gjermani—Mëngjesin e 19 majit 2017 bashkia e Tekelsbergut, Austri, mbajti një ceremoni në kujtim të Dëshmitarëve të Jehovait që u ekzekutuan ose u burgosën në kampet naziste të përqendrimit. Në këtë eveniment u zbulua një pllakë përkujtimore në nder të 31 Dëshmitarëve, «viktima të nacional-socializmit në Tekelsberg e në rrethinat e tij».

Programi nisi me 60 vokalistë që këndonin a cappella këngën «Përpara, o Dëshmitarë!» Kjo këngë, një version i së cilës këndohet ende herë pas here gjatë mbledhjeve fetare të Dëshmitarëve në mbarë botën, fillimisht u kompozua në kampin e përqendrimit të Zaksenhauzenit nga Erik Frosti, një Dëshmitar i burgosur nga nazistët gjatë Luftës II Botërore. Pas hyrjes muzikore, para një auditori me rreth 350 veta folën oratorët e ftuar, z. Johan Kobani (kryetari i bashkisë së Tekelsbergut), z. Peter Stokeri (nipi i një prej viktimave të Tekelsbergut, Gregor Volfartit), prof. Peter Gestetneri, prof. Vincens Jobsti dhe dr. Peter Kaiseri (guvernator shteti). Ky lajm u mbulua nga stacionet austriake të lajmeve ORF 2 dhe ORF Kärnten, si dhe nga disa gazeta lokale.

Prof. Peter Gestetneri duke folur para auditorit

Gjatë Luftës II Botërore, 212 nga 550 Dëshmitarët në Austri u dërguan në kampet e përqendrimit ngaqë gabimisht konsideroheshin kërcënim për regjimin nacional-socialist në Gjermani, sepse ishin asnjanës në politikë dhe nuk pranonin të mbështetnin luftën. Në kampet e përqendrimit, Dëshmitarët e Jehovait u detyruan të mbanin trekëndësha ngjyrë vjollcë në uniformat e tyre si shenjë identifikuese. Gjatë Holokaustit vdiqën gjithsej 154 Dëshmitarë austriakë.

Para kësaj ceremonie, emrat e pesë Dëshmitarëve nga Tekelsbergu që u ekzekutuan nga nazistët (Johan Stosieri, Anton Urani, Gregor Volfarti, Gregor Volfarti i Riu dhe Uillibald Volfarti) ishin në listën e «personave të zhdukur» në një përkujtimore lufte, dhe ky ishte një gabim historik. Prof. Gestetneri shpjegoi domethënien e pllakës: «Kjo e nxjerr fare sheshit të vërtetën historike, e cila tani është aty ku duhet si një kujtim i përhershëm për ata njerëz, që me guxim të jashtëzakonshëm dhe me besim të vërtetë, dëshmuan se rezistenca e palëkundur ndaj kërkesave të një sistemi çnjerëzor është moralisht e justifikueshme dhe në fund mbetet triumfuese.»

Pllaka përkujtimore e Tekelsbergut për 31 Dëshmitarët e Jehovait që u vranë, u burgosën ose u përndoqën nga nazistët gjatë Luftës II Botërore. Në pllakë gjendet një poezi e shkruar nga Franc Volfarti (shih kutinë poshtë), si edhe emrat e pesë Dëshmitarëve nga Tekelsbergu, që fillimisht ishin klasifikuar si «persona të zhdukur» në një përkujtimore lufte

Johan Zimermani, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Austri, thotë: «I çmojmë evenimente të tilla, që vlerësojnë siç duhet guximin dhe besimin e Dëshmitarëve të Jehovait, pavarësisht nga përndjekja e egër. Shpresojmë që ky rast të ketë shërbyer si një përkujtues që të sjell në vete për mizorinë që mund të vijë kur një grup minoritar gabimisht etiketohet si kërcënim i rrezikshëm ndaj Shtetit.»

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Austri: Johan Zimermani, +43-1-804-53-45

Gjermani: Volfram Slupina, +49-6483-41-3110