Gabriela Votava, kryetarja e bashkisë në Meidling të Vjenës, duke mbajtur fjalimin me rastin e përurimit.

VJENË—Më 13 maj 2015, rreth 400 veta morën pjesë në përurimin e pllakës përkujtimore kushtuar Gerhart Shtajnakerit, një Dëshmitar i Jehovait që u ekzekutua 75 vjet më parë nga nazistët, ngaqë refuzonte të futej në radhët e ushtrisë gjermane. Kryetarja e Bashkisë në Meidling të Vjenës, Gabriela Votava, ishte oratorja kryesore në programin që u mbajt në anë të trotuarit me rastin e përurimit të pllakës së vendosur jashtë ish-shtëpisë së familjes Shtajnaker në adresën Lägenfeldgasse 68.

Tema e programit ishte «Nuk qëlloj dot me armë», arsyeja që dha Gerharti në kërkesën që shkroi për t’iu kursyer jeta. Këto fjalë të thjeshta flasin shumë për parimet e krishtere që kishte për zemër, si për shembull fjalët e Jezuit te Mateu 19:19: «Duaje të afërmin tënd si veten.»

Ai kishte filluar të studionte Biblën disa vjet më parë. Në moshën 17-vjeçare vendosi të bëhej Dëshmitar i Jehovait. Por në 15 shtator 1939 e arrestuan ngaqë refuzonte të futej në ushtri për arsye ndërgjegjeje dhe të bënte betimin e besnikërisë ndaj Hitlerit. Pas gjashtë javësh burg në Vjenë, e çuan në paraburgim në burgun e Moabit në Berlin, Gjermani.

Që në seancën e parë gjyqësore më 11 nëntor 1939, Gerharti u akuzua për sabotim lufte dhe u dënua me vdekje. Pastaj e çuan në qelitë e atyre që ishin në pritje të ekzekutimit. Ai bëri kërkesë për mëshirë, bazuar në bindjet e tij fetare. Megjithatë, në 2 mars të 1940-s, Gjykata Ushtarake e Rajhut (Reichskriegsgericht) nuk e anuloi dënimin e tij me vdekje. Pas katër javësh, në 30 mars, Gerhartit ia prenë kokën në gijotinë në burgun famëkeq Plötzensee, Berlin. Ishte vetëm 19 vjeç.

Pas ceremonisë së përurimit, ngjarja vazhdoi aty afër në teatrin Volkshochschule. Programi përfshinte edhe një ekspozitë të historisë së familjes Shtajnaker. Një nga sendet e ekspozuara ishte një kuti e vogël, e gjetur në 1976-n, ku ndodheshin 28 letra që Ignac dhe Luisa Shtajnakeri ia kishin dërguar në burg të birit, Gerhartit, si edhe 25 kartolina e letra që Gerharti ua kishte dërguar prindërve për t’i ngushëlluar dhe për të shprehur besimin e fortë te feja e përbashkët.

Kjo kuti me letra e kartolina u gjet në shtëpinë e familjes Shtajnaker pas vdekjes së të ëmës, Luisës, në vitin 1976.

Një artikull në të përjavshmen vjeneze Wiener Bezirkszeitung, e cilësoi këtë ngjarje si «një homazh të jashtëzakonshëm» që nxori «nga errësira në dritë» guximin e Gerhartit. Më tej artikulli e lavdëronte Gerhartin: «Ishte gati të vdiste për parimet e tij, po ato parime për të cilat jetoi.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Austri: Johann Zimmermann, tel. +43 1 804 53 45

Gjermani: Wolfram Slupina, tel. +49 6483 41 3110