ROMË—Të premten më 24 nëntor 2017, mjekë, ekspertë të bioetikës dhe profesionistë në fushën ligjore u mblodhën në Universitetin e Padovës, një nga universitetet më të vjetër në Itali, për konferencën me titull «Mospranimi i transfuzionit të gjakut nga pacientë të rritur: cilat janë alternativat?» Konferenca u sponsorizua nga më tepër se 25 shoqata dhe organizata shkencore italiane, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Dr. Luka Velterti

Historikisht, transfuzioni i gjakut është konsideruar i padëmshëm dhe i vetmi trajtim mjekësor jetëshpëtues për pacientë që duhet t’u nënshtrohen procedurave komplekse mjekësore ose kirurgjike. Kjo hipotezë u vu në pikëpyetje nga shumë folës në këtë konferencë. Një nga ekspertët vizitues, dr. Luka Velterti, kardiokirurg në Spitalin Evropian në Romë, shpjegoi: «Sot pamë se transfuzionet mund të jenë të dëmshme dhe në shumë raste të panevojshme.»

Dr. Velterti dhe mjekë të tjerë në këtë konferencë arritën në këtë përfundim bazuar në eksperiencën e tyre mjekësore dhe në provat nga studimet shkencore. Të dyja tregojnë se ekziston një lidhje mes transfuzioneve të gjakut dhe shtimit të numrit të vdekjeve, të sëmundjeve, të kohës së qëndrimit në spital dhe të rreziqeve të tjera serioze për pacientët që marrin gjak.

«Sot pamë se transfuzionet mund të jenë të dëmshme dhe në shumë raste të panevojshme.»—Dr. Luka Velterti, kardiokirurg në Spitalin Evropian të Romës

Në vitin 2010, këto prova shkencore bashkë me koston e lartë të transfuzioneve të gjakut nxitën Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të pranonte sa i nevojshëm ishte Menaxhimi i Gjakut të Pacientit (MGJP)—një lloj kujdesi shëndetësor që përfshin të gjitha fushat e mjekësisë dhe përpiqet të marrë parasysh çdo gjë që lidhet me sigurinë dhe shëndetin e pacientit, që përmirëson rezultatet e operacioneve dhe zvogëlon ndjeshëm përdorimin e transfuzioneve të gjakut. OBSH-ja nxori një rezolutë ku u bënte thirrje 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara të vinin në praktikë metodat e MGJP-së.

Profesoreshë Stefania Valjo

Profesoreshë Stefania Valjo, përgjegjëse për fushën e mjekësisë që lidhet me transfuzionet në Spitalin Universitar Shën-Andrea në Romë, shpjegoi me hollësi pikëpamjen e re ndaj MGJP-së. Ajo tha se më parë kujdesi mjekësor varej nga menaxhimi dhe përdorimi i gjakut të dhuruar, por tani «vëmendja është spostuar plotësisht nga gjaku i dhuruar te gjaku i vetë pacientit». Një nga synimet e MGJP-së është «pakësimi i humbjes së gjakut duke e vendosur pacientin në qendër të procesit, . . . duke i kushtuar vëmendje maksimale dhe duke bërë gjithë sa është e nevojshme për të ruajtur gjakun e pacientit». Profesoreshë Valjo sqaroi edhe se teknikat mjekësore për të ruajtur gjakun e vetë pacientit «në të vërtetë nënkuptojnë trajtim më cilësor».

«Pacientët që nuk morën gjak kishin më pak komplikacione dhe shkallë më të ulët vdekshmërie krahasuar me pacientët që morën gjak.»—Dr. Tomazo Kampanjaro, kirurg i përgjithshëm në Spitalin Universitar të Veronës

Dr. Tomazo Kampanjaro, kirurg i përgjithshëm në Spitalin Universitar të Veronës, konfirmoi dobitë që vijnë nga metodat mjekësore pa gjak. Në bazë të studimit të të dhënave që prej fundit të viteve 90 ku përfshiheshin pacientë që u ishin nënshtruar operacionit më të ndërlikuar në zonën abdominale, ai përfundoi me fjalët: «Pacientët që nuk morën gjak kishin më pak komplikacione dhe shkallë më të ulët vdekshmërie krahasuar me pacientët që morën gjak.»

Docente Ana Aprile

Dr. Kampanjaro bashkë me disa folës të tjerë në këtë konferencë, i falënderuan publikisht Dëshmitarët e Jehovait që kanë ndihmuar në sensibilizimin e mjekëve për të zhvilluar alternativa mjekësore pa gjak. Ana Aprile, docente e degës së ligjit për mjekësinë në Universitetin e Padovës, u shpreh: «U themi faleminderit Dëshmitarëve të Jehovait që kanë ngritur çështjen e të drejtës për të refuzuar transfuzione dhe kanë ndihmuar këdo të reflektojë mbi këtë çështje e t’ia dalë të përdorë më pak gjak.»

«U themi faleminderit Dëshmitarëve të Jehovait që kanë ngritur çështjen e të drejtës për të refuzuar transfuzione . . .»—Ana Aprile, docente e degës së ligjit për mjekësinë në Universitetin e Padovës

Folësit në këtë konferencë ishin specializuar në degë të ndryshme të mjekësisë, si anesteziologji, kardiologji, gjinekologji, hematologji, onkologji dhe ortopedi. Gjithsesi, mesazhi i tyre i përbashkët ishte i qartë: institucionet dhe organizatat mjekësore, ligjvënësit dhe publiku i gjerë duhet të jenë të hapur ndaj metodave të MGJP-së bazuar në rritjen e numrit të të dhënave të botuara dhe në eksperiencat e specialistëve në këtë fushë.

Të pranishëm në sallën e leksioneve Morganji në Universitetin e Padovës, duke dëgjuar një prej prezantimeve

Dr. Velterti shton: «Sot ndërhyrja kirurgjike për riparimin e aortës së çarë është operacioni më i ndërlikuar në trupin e njeriut. . . . Nëse [ky] mund të realizohet pa gjak, atëherë edhe gjithë të tjerët mund të bëhen pa gjak.»

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Itali: Kristian di Blazio, +39-06-872941

Për shembull, gjatë konferencës u përdor si referim një studim i fundit i kryer në Australinë Perëndimore, botuar në Transfusion, një revistë e njohur e cila flet për mjekësinë që lidhet me transfuzionin e gjakut. Autorët e studimit përshkruajnë rezultatet e një nisme gjashtëvjeçare në shkallë të gjerë që, në çdo pjesë të sistemit shëndetësor, të aplikohej një program për menaxhimin e gjakut të pacientit. Ata analizuan të dhënat e 605.046 pacientëve të shtruar në katër spitale të njohura të specializuara për të rriturit. Gjatë periudhës së studimit përdorimi i produkteve të gjakut ra me 41 për qind. Gjithashtu u pakësua me 28 për qind vdekshmëria në spital, u ul me 15 për qind koha e qëndrimit në spital, u reduktuan me 21 për qind infeksionet spitalore dhe u zvogëluan me 31 për qind rastet e atakut të zemrës dhe të iktusit. Zbatimi i programit MGJP solli rezultate më të mira te pacientët, reduktoi përdorimin e produkteve të gjakut dhe koston për blerjen e produkteve që lidhen me transfuzionin.